Tatimi i ri për pagat, afat biznesit deri në shtator

Aug 9, 2015 | 12:55
SHPËRNDAJE

Grupimet e biznesit do të duhet të diskutojnë projektligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat personale brenda muajit gusht dhe të dalin me propozimet e tyre për Financat.

Ministri i Financave Shkelqim Cani dhe Kryeministri Rama
Ministri i Financave Shkelqim Cani dhe Kryeministri Rama

Në kërkesën zyrtare të kësaj ministrie përcjellë grupeve të interesit, theksohet se ky projektligj është ndjekur nga afër nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. E ndërsa Financat deklarojnë se një pjesë e shifrave të përfshira në nene të caktuara janë për ilustrim, ka edhe nga ato shifra që FMN vetë nuk i cilëson si ilustrim. Një e tillë është ajo për nivelin e të ardhurave, si kusht për plotësimin e deklaratës vjetore.

DISKUTIMI PËR DRAFTIN FMN

kërkon që projektligji i ri për tatimin mbi të ardhurat personale të jetë më i thjeshtë dhe të harmonizohet edhe me ligjet e tjera që ka lidhje. Pjesa më e kontestuar e këtij drafti duket se mbetet ajo e taksimit të pagave të ulëta dhe të mesme. Financat dy ditë më parë thanë se do të ruhet taksimi progresiv dhe se shifrat në draft janë thjesht si shembull, por edhe në rast se është kështu, ka diçka të vërtetë. Taksimi sërish do të niste nga zero, pra edhe pse përqindja e taksimit mund të jetë më e ulët, gjasat që të ketë taksim nuk përjashtohen.

Kjo, pasi në diskutimet mes FMN-së dhe Financave mësohet të jetë hedhur si variant edhe pjesa që shuma e pataksuar e parave të mos përfshihet për të gjithë marzhet, pra jo për ata që kanë shuma të konsiderueshme të ardhurash. Ky si variant ndoshta nuk godet të varfrit, sikurse pretendon qeveria, por sërish rrit barrën e taksimit për individë të tjerë. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë, pasi ende do të duhet të diskutohet. Një tjetër kërkesë e FMN-së është që kufiri i të ardhurave për ata që plotësojnë deklaratën të jetë shumë më i ulët sesa e kërkojnë Financat. Këto të fundit kanë propozuar që nga 2 milionë lekë që janë të ardhurat vjetore të atyre që kanë detyrimin e plotësimit të deklaratës, kufiri të shkojë 1.5 milionë lekë në vit. Por, FMN kërkon që kjo të jetë shumë më e ulët.

BRAÇE

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ishte i pari nga krahu i maxhorancës që doli kundër draftit të Financave dhe pas deklaratës së këtyre të fundit se asgjë nuk është zyrtare, Braçe ishte sërish i pari që e përshëndeti. Në një status në rrjetin social “Facebook”, Braçe shprehej se qeveria nuk do të rrisë taksimin mbi pagat e vogla dhe të mesme. “Qeveria lajmëroi dje në mbrëmje se nuk ka në plan të ndryshojë skemën e tatimit mbi të ardhurat nga puna. Pra, qeveria nuk ka në plan të rrisë tatimin mbi pagat e vogla e të mesme. Vendim i duhur dhe në parimet tona. Ndërkohë është i mirëpritur një ligj i ri për tatimin mbi të ardhurat, i qartë, i thjeshtë, i drejtë dhe efikas!”.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura