Tasho: Si i bëra 46 shkrimtarë të pozonin për mua

Jan 23, 2014 | 15:25
SHPËRNDAJE

Fotografi Roland Tasho
Pas 15 vitesh botohet albumi i dhjetë i fotografit.

Të fotografuar mes viteve 1997-2000, 12 prej tyre nuk jetojnë më. Kujtimet gjatë takimeve.

“Ku e çon atë karrige?, më tha ime më ditën kur mora një karrige druri dhe e futa në makinë”. Kështu nisi aventura e fotografit Roland Tasho, rreth 15 vjet më parë, për të përfunduar vetëm tani.
E vërtetë që zanati i tij është fotografia, por kësaj here kishte vendosur të fotografonte njerëz “jo të thjeshtë”. Pikërisht shkrimtarët dhe përkthyesit. Ata me natyrën e tyre të vështirë, mjegullore, herë-herë tekanjozë si fëmijë, por edhe të dashur e të mirë pa fund. Nuk qe fort e lehtë, por më në fund arriti të fiksojë portretet e 46 shkrimtarëve, 12 prej të cilëve nuk jetojnë më. Të gjithë i ka mbledhur në një album, të titulluar “Karrigia e shkrimtarit”. Kjo për arsyen e thjeshtë se bashkë me portretin, ata linin edhe një firmë mbi një karrige të vjetër prej druri, nga ato të “Misto Mames”. Fotografi tregon se si i ka realizuar këto portrete, batutat me shkrimtarët dhe pengu se nuk arriti dot të fiksojë portretet e shumë artistëve, qofshin këta aktorë apo piktorë, të cilët tashmë janë ndarë nga jeta. “Një karrige për shkrimtarët” është albumi i dhjetë fotografik i Tashos.
Keni realizuar shumë albume, por duket se ky është më i veçanti, si vendosët të fotografoni shkrimtarët shqiptarë?
Në vitin 1997 m’u propozua nga Ministria e Kulturës që në bashkëpunim me një fotografe franceze, të realizonim një botim fotografik me portretet e shkrimtarëve të botuar në Francë. Ishin 13 të tillë. Ishte një projekt, i cili mua më tërhoqi shumë, por ndërkohë nga ana e Bashkisë së Parisit m’u akordua një bursë dhe unë largohem drejt Parisit. Kështu që projekti mbeti përgjysmë. Megjithatë, kur isha atje e përpunova më tej idenë dhe e realizova kur u ktheva. Por nuk u mora vetëm me shkrimtarët e përkthyer në Francë, por me të gjithë shkrimtarët dhe përkthyesit tanë më të mirë.
Pse një karrige?
Në fillim mendova një makinë shkrimi, ku të firmosnin të gjithë, por ajo duke qenë metalike paraqiste vështirësi dhe duke përpunuar idenë dhe duke e diskutuar me miqtë e mi, mendova për një karrige, të cilën e mora nga shtëpia. Nga një karrige e thjeshtë, e vjetër shtëpie, është tjetërsuar në një objekt me vlera dokumentare dhe shpirtërore. Kisha katër karrige të vjetra në shtëpi, dhe më kujtohet ime më që më pyeti: Ku e çon atë karrige?! Duke pasur katër të tilla, mendova t’i firmosja të katërta, një nga shkrimtarët, një nga artistët, muzikantët dhe tjetra me artistët vizualë, por duke u vonuar në kohë, tri të tjerat mbetën pa u realizuar. Gjithsesi, të paktën pas 15 vjetësh arrita ta realizoja këtë album, falë mbështetjes së një djali shqiptaro-francez, Gjergj Themeli, i cili e pëlqeu shumë këtë dhe shprehu dëshirën për ta financuar.
Që të realizosh një portret, duhet ta njohësh subjektin, si ka qenë njohja juaj me ta?
Portreti është shumë interesant, sepse nuk mund ta realizosh atë pa njohur personazhin, kështu që ky proces mua më dha mundësinë që t’i njihja këto personalitete dhe t’i fotografoja. Unë jam i nderuar që në njëfarë mënyre kam fotografuar elitën e shkrimtarëve. Të gjithë kishin veçantitë e tyre. Marr rastin e Robert Shvarcit që sa miqësor ishte me ata që njihte, aq edhe i vështirë. Teksa e fotografoja më tha: Lando, mos na prish bisedën tani… Kështu që u detyrova që ta hiqja merinën e aparatit dhe ta mbaja poshtë, që të mos i prishja ritmin e bisedës. Ishte nder për mua që të punoja me ata shkrimtarë me të cilët isha rritur.
Ishin të vështirë, pozonin…?
Ishin jashtëzakonisht bashkëpunues. Kishte mes tyre ish-të burgosur politikë, ish-kryetarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të angazhuar në Partinë e Punës dhe askush nuk protestoi apo të thoshte se nëse është filani, unë nuk marr pjesë. Zakonisht karrigia rrinte mbi një tavolinë në një zyrë të Mira Meksit, ku unë fotografoja. E shikon Xhevahir Spahiu dhe aty kam parë t’i ngrihen qimet përpjetë. Dhe më thotë i çuditur: Do të ngjitem unë aty sipër?! Jo i thashë, do ta zbresim ne karrigen poshtë! Me më të vjetrit e merrja karrigen me vete me makinë dhe kam shkuar te Shuteriqi, Vrioni, Agolli… Në shtëpinë e Dritëroit, në punë e sipër, kthyem nga një kupë raki, tok me kafen që na kishte bërë Sadia. “Kjo karrige është si puna e verës, më tha Dritëroi atë ditë kur e fotografova në studion e tij. Sa më e vjetër, aq më me vlerë ka për të qenë”.
Albumin e keni hapur me Kadarenë…
Kadareja ishte i pari që ka firmosur në atë karrige bashkë me Helenën. U tregua mjaft dashamirës. Iu duk një ide e mirë, sepse ashtu siç u shpreh ai: Ne shkruajmë libra, dikush më mirë e dikush më keq, por ky libër me foto është diçka ndryshe nga librat tanë, një gjini tjetërsoj, por po aq i vlefshëm sa edhe librat e shkrimtarëve. Që aty e kuptova që projekti do të më ecte mbarë.
Një pjesë e mirë e shkrimtarëve që kanë firmosur në të nuk jetojnë më. A është ky album edhe një homazh për ta?
Po, aq më tepër. Koha e realizimit të fotografive është 1998-2000, janë 46 personazhe, 12 prej të cilëve nuk jetojnë më, si Kol Jakova, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Robert Shvarc, Qamil Buxheli, Dhimitër Xhuvani, Shuteriqi, Teodor Keko, Vath Koreshi…
Do mund t’i mbushni dot tri karriget e tjera?
Më vjen keq, sepse në plejadën e artisteve sidomos më kanë ikur shumë figura. Unë i kam fotografitë e tyre, por jo të shkrepura në mënyrë të veçantë, artistike. Unë kam fotografi të Kadri Roshit, por jo të ulur në karrige… do merrte të tjera vlera. E shoh se më ka rrëshqitur… edhe shumë piktorë më kanë ikur…
[portfolio_slideshow]

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura