Taksë e re për mjedisin, 1 mijë lekë për çdo banor. Ja tri llogaritjet

Jun 16, 2016 | 8:08
SHPËRNDAJE

Tarifat fikse të pastrimit që paguhen në faturat e ujit të pijshëm do të ndryshojnë. Për pastrimin, qytetarët do të taksohen sipas mbetjeve për frymë që ata gjenerojnë. Pagesa e taksës do t’i përgjigjet kostos së menaxhimit të mbetjeve nga pushteti vendor.

pastrim

Në një dëgjesë publike me përfaqësues të pushtetit vendor, Qeveria prezantoi dje draftin me formulën e llogaritjes së kostos për menaxhimin e mbetjeve dhe tarifat që do të paguhen nga qytetarët për këtë shërbim.

Në formulën e re të llogaritjes, taksa për këtë shërbim do të jetë e ndarë në tri kategori: për familjarët, bizneset (nëndarje e kategorive biznes i vogël, i mesëm dhe i madh) dhe administrata shtetërore. Zëvendësministrja e Mjedisit, Olijana Ifti, informoi se bashkitë sipas metodologjisë për llogaritjen e kostove do të përcaktojnë tarifat e shërbimit. Ifti tha se drafti sjell rishikimin e skemës së menaxhimit të mbetjeve dhe në bazë të kostos të menaxhimit për banor, propozohet tarifa 100 lekë në muaj.

TARIFAT

Sipas metodologjisë së përcaktuar në draft, tarifa e pastrimit do të përcaktohet e ndryshme për familjarët, bizneset dhe institucionet publike. Për të llogaritur tarifën e pastrimit, drafti propozon tri modele llogaritjeje, ajo e bazuar në numrin e popullsisë, në sipërfaqen e pronës dhe modeli progresiv.

Modeli i tarifimit do të përzgjidhet nga pushteti vendor. Drafti përcakton nëpërmjet formulës mënyrën e llogaritjes së tarifës, e cila do t’i përgjigjet kostos që një bashki do të shpenzojë për menaxhimin e plehrave që nga kazanët e grumbullimit deri në depozitimin e tyre në landfill.

Si referencë për koston e menaxhimit të mbetjeve do të merret vlera 1,329 lekë për banor/vit apo 110 lekë për banor/muaj. Formula përfshin shpërndarjen e kostos për grumbullimin e mbetjeve, kostoja referencë është llogaritur 478 lekë për banor/vit, kostoja e transportit 196 lekë për banor/vit, amortizimi 160 lekë për banor/ vit, kostoja e depozitimit 495 lekë për banor/vit.

LLOGARITJA

Formula e llogaritjes përfshin tri modele. Tarifa referencë është 110 lekë për banor në muaj. Në modelin për përllogaritjen e taksës bazuar në numrin e popullsisë, drafti ofron si referencë numrin e pjesëtarëve të familjes, numrin e të punësuarve në një biznes apo në një institucion. Për këtë model ofrohet shembulli që një familje me 4 pjesëtarë duhet të paguajë 718 lekë në muaj, biznesi me 6 të punësuar 938 lekë në muaj, dhe për një institucion shtetëror me 80 nëpunës fatura mujore llogaritet 11,429 lekë.

Modeli i bazuar në sipërfaqen e pronës paraqet tarifa të njëjta si ato të llogaritura për frymë, por në rast zbatimi do të konvertohen në metra katror të pronës truall, për të llogaritur tarifën për secilën familje apo biznes.

Modeli progresiv bazohet në sasinë e mbetjeve që një person gjeneron, duke mbajtur tarifa të hapura, por duke ofruar edhe përjashtimin nga taksimi të familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Në rast se krijohet mosrealizim i të ardhurave, ky model lejon që bashkitë të përdorin skema subvencionimi ose fonde të tjera për të shmangur shpenzimet shtesë.

Dorina Azo 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura