Taksa e rrogës, preken 24 mijë të dypunësuar. Ja ç’thotë drejtoresha e Tatimeve

Nov 19, 2019 | 8:04
SHPËRNDAJE

Janë mbi 24 mijë të dypunësuar, të cilët do të preken nga rritja e taksave.

Drejtoresha e Tatimeve, Dalina Ibrahimaj
Drejtoresha e Tatimeve, Dalina Ibrahimaj

Drejtoresha e Tatimeve, Dalina Ibrahimaj, ka sqaruar dje efektet e paketës së re fiskale, duke përligjur këtë ndryshim me faktin se këta persona i shmangen formulës së llogaritjes progresive të tatimit mbi pagat.

“Një individ që merr dy paga nga 29 mijë lekë të rinj, te dypunëdhënës të ndryshëm, paguan 0 tatim mbi të ardhurat për pagat. Nga ana tjetër, në rastet e dy apo më shumë të punësuarve, individët i shmangen formulës së llogaritjes progresive të tatimit mbi pagat, duke zbritur shumën 30 mijë lekë si të patatueshme në të gjitha pagat që ai përfton”.

Sipas Ibrahimajt, nga verifikimet e bëra në sistem rezulton se aktualisht janë rreth 24 mijë individë, që janë të dy apo trepunësuar në punëdhënës të ndryshëm. Pra, këta individë, që marrin dy rroga nga dypunësimi nën 30 mijë lekë (normalisht këto janë punët më të papaguara dhe u përkasin profesioneve të shërbimeve, “punëve të krahut”), do të taksohen dhe do të plotësojnë deklaratë tatimore njësoj si ata që marrin të ardhura, pra rroga, deri në 2 milionë lekë në vit, ose mbi 160 mijë lekë në muaj.

“Ky përjashtim nuk zbatohet për individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës. Këta individë deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit”, thuhet edhe në ligj.

Në deklaratën për mediat, drejtoresha e Tatimeve vuri në dukje se të dypunësuarit jo vetëm mirëpaguhen, por edhe u takojnë profesioneve elitare.

“Këta individë janë të profesioneve, të cilat realisht mirëpaguhen në tregun e punës, si inxhinierë, arkitektë, ekonomistë, mësues, pedagogë, konsulentë, kuzhinierë. Në shumë raste, ata janë individë, të cilët kanë pozicione drejtuese në kompanitë ku janë të punësuar, si drejtorë ekzekutivë, drejtorë shitjesh, administratorë të kompanive etj.”, theksoi Ibrahimaj.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura