Tahiri, letër Berishës: Interpelancë për Bulqizën

Aug 31, 2012 | 15:00
SHPËRNDAJE
Sajmir Tahiri

TIRANE- Nenkryetari i grupit parlamentar te PS-se, Sajmir Tahiri i eshte drejtuar sot me nje leter kreut te qeverise, Sali Berisha, mes te ciles i kerkon interpelance per zbatimin e marrëveshjeve koncesionare për shfytëzimin e kromit në Bulqizë.

Tahiri ka akuzuar qeverine per situaten atje, duke numeruar aksidentet e shpeshta te ndodhura, me pasoje humbjen e jeteve te minatoreve, me e fundit, vetem nje dite me pare.

Leter e plote

Z. Kryeministër,

Dje humbi jetën një tjetër minator dhe një tjetër u plagos rëndë. Para pak ditësh, një tjetër minator humbi jetën. Po kështu kanë humbur jetën mbi 70 minatorë të tjerë, të gjithë të vrarë nga varfëria, por mbi të gjitha, nga qeveria e tyre, e cila i ka lënë në mëshirë të fatit dhe të mafies që shfrytëzon minierat.

Nuk di sa çnjerzore mund të jetë numërimi publik i minatorëve që po vriten në galeritë e minierave, nën hundën tuaj dhe heshtjen thuajse kriminale. Inventari makabër i minatorëve që trajtohen si skllevër dhe i minierave që janë kthyer në kampe përqëndrimi të kohëve moderne, do bënte të dridhej e të kërcente nga karrigia, dhe njeriun më të pashpirt, jo më Kryeministrin e vendit.

Por sigurisht, as që besoj se Ju i keni të tilla vlera.

Megjithatë, keni një detyrim të pashmangshëm, dhe ky është nënshtrimi Juaj i detyrueshëm ndaj Kushtetutës dhe Ligjeve të vendit.

Grupi Parlamentar i PS ju ka kërkuar të paraqiteni 2 herë në interpelancë urgjente për çështjen e Bulqizës. Me kërksen e Dt. 07.05.2012 dhe kërkesën tjetër Dt. 10.07.2012, kemi kërkuar që Ju si Kryeministër i vendit, të jepni shpjegime para parlamentit rreth punës tuaj për të ndalur rrethanat kriminale dhe pasojat tragjike me minatorët dhe mineralin.

Gjithashtu, me kërkesën e Dt. 09.07. 2012 i kemi kërkuar informacion Ministrit të Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjitikën lidhur me pagesën ose jo të detyrimeve të ACR ndaj shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për detyrimet e papaguara që ministri i atëhershëm, Genc Ruli i shtyu me një kontratë nën tavolinë dhe një justifikim banal sipas të cilit parlamenti ishte mbyllur.

Të gjitha këto kërkesa janë sot të stivosura në sirtarin e znj. Jozefina Topalli, e vijon të sillet më shumë si kujdestare e ndonjë konvikti vajzash, sesa si Kryetare e Kuvendit.

Ndërsa Ju vijoni heshtjen Tuaj, tashmë të përmasave kriminale.

Çfarë duhet të ndodhë akoma që Ju të përgjigjeni para Parlamentit Z. Kryeministër? Dhe sa minatorë të tjerë duhet të vriten në galeritë e vdekjes, që Ju të bindeni se duhet të jepni llogari para Parlamentit? Çfarë duhet të ndodhë që Ju ti nënshtroheni Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Ligjeve në fuqi?

Z. Kryeminsitër, heshtja Juaj ndaj situatës në Bulqizë nuk mund të ketë shpjegim tjetër veç kapjes së shtetit, korrupsionit dhe nënshtrimit ndaj karteleve mafioze që kanë zaptuar Bulqizën. Por njëkohësisht, heshtja Juaj është edhe simbol i injorimit të shtetit ligjor, parlamentarizmit dhe detyrimit Tuaj kushtetues për të dhënë llogari para deputetëve.

Ndaj përpara se të jetë shumë vonë, po Ju rikujtoj edhe një herë detyrimin tuaj për të dhënë llogari para Parlamentit duke respektuar kërkesën e Grupit të PS për interpelancë urgjente lidhur me çështjen e Bulqizës. Siç njëkohësisht po Ju rikujtoj edhe një herë të detyroni Ministrin Tuaj ti përgjigjet kërkesës për informacion lidhur me aspekte po të së njëjtën çështje.

Në pritje të përgjigjes Tuaj,

Saimir Tahiri

N/Kryetar i Grupit Parlamentar të PS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura