Askush si Leva tek Barça, por paratë janë problem. Në sezonin e ardhshëm klubi duhet t’i paguajë…

May 2, 2024 | 14:01
SHPËRNDAJE

Robert Levandovski do të mbushë 36 vjeç më 21 gusht të këtij viti, por sulmuesi duket ende larg perëndimit.

levandovski

Ai vazhdon të jetë ende vendimtar për ekipin. Madje, edhe në këtë sezon që nuk ka qenë shumë i lehtë për të, me 16 gola në La Liga dhe 23 gola gjithsej në të gjithë kompeticionet mbetet lideri i sulmuesit të Barcelonës. Nëse thellohemi më tej në analizën e paraqitjes së tij, polaku rezulton të jetë lojtari më vendimtar në La Liga deri më tani. Falë 16 golave të shënuar prej tij, Barcelona ka fituar 17 pikë më shumë në kampionat, pa të cilat do të ishte jashtë zonës Champions.

Me idenë fikse për të mos lëvizur nga Barça, objektivi minimal për Barcelonë për ta mbyllur sezonin si nënkampione mbështetet kryesisht te golat e tij. Sikur të mos ishte tregolëshi i tij kundër Valencias, Barça do të ishte mundur të hënën në mbrëmje. Kur Leva vendosi të merrte Barçën pas vetes, katalanasit po mundeshin 1-2. Por në 45 minutat e dyta polaku iu kthye viteve të arta duke përmbysur i vetëm Valencian 4-2. Barça është kthyer në vendin e dytë, +2 nga Girona, kundër të cilës do të luajë të shtunën në “Montilivi”.

BELLINGAM Në këtë renditje të veçantë, Levandovski ka lënë pas Xhud Bellingam. Ndonëse ylli i Realit ka shënuar një gol më shumë sesa polaku, golat e anglezit i kanë dhënë 14 pikë Realit, dy më pak sesa Leva. Nga ana e tij, Artem Dovbik, aktualisht golashënuesi më i mirë në La Liga numëron 19 gola, por që i kanë dhënë direkt 10 pikë Gironës.

E ARDHMJA DHE MILIONAT Kjo ecuri e Levandovskit mund të kthehet në një “problem” për Barcelonën! Tingëllon e çuditshme, gati në absurd, por nuk duhet të habitemi edhe aq nëse llogaritë bëhen me financat e rrënuara të klubit katalanas. Problemi për të ardhmen e tij në Barcelonë ka të bëjë vetëm me çështjen ekonomike. Dhe ka një zgjidhje të vështirë. Sezonin e ardhshëm, dhe sipas informacioneve që “Cadena SER” i zbuloi ditën kur u konfirmua nënshkrimi i tij, Levandovski do të fitojë 16 milionë euro neto në sezonin e ri. Në sezonin e kaluar ai fitoi dhjetë milionë euro. Në këtë sezon shuma arrin në 13 dhe në sezonin 2024- 2025 do të arrijë në 16 milionë euro, për të zbritur sërish në 13 në sezonin 2025- 2026. Tani topi është në anën e Laportës për të tentuar një marrëveshje më të leverdishme me Pini Zahavin, agjentin e Levës. Për më shumë që së fundmi, dy personazhet kanë pasur një fërkim për sa i përket trajnerit. Zahavi ishte “sponsorizues” i Flikut, por vazhdimi i Barçës me Ksavin ka krijuar hatërmbetje.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura