TABELA/ Taksa e re për shtëpitë, sa do të paguani sipas zonës ku banoni

Mar 6, 2017 | 21:32
SHPËRNDAJE

Fondi Monetar Ndë- rkombëtar i dorëzoi qeverisë formulën për llogaritjen e taksës së re të pronës mbi çmimet e tregut, apo siç njihen ndryshe çmimet fiskale. Departamenti Fiskal i Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka propozuar qeverisë dy vlera taksimi. Në raportin e FMN-së qeverisë i rekomandohet që taksa për pronën të vendoset në nivelin 0.075 për qind të çmimit të shtëpisë referuar tregut, ose niveli më i lartë 0.15 për qind.

pallate nderime

Llogaritjet e taksës do të bëhen mbi bazën e çmimeve fiskale, mbi të cilat apartamenti është regjistruar në hipotekë. Formula që rekomandohet gjeneron taksë më të lartë për apartamentet që kanë çmime fiskale më të larta krahasuar me një shtëpi në zonën periferike, ku çmimet fiskale janë më të ulëta. Gazeta boton llogaritjet për vlerën e taksës që do të paguhet në Tiranë mbi bazën e çmimeve fiskale, për 32 zonat kadastrale me të dyja variantet e propozuara.

Nëpërmjet tabelës me çmimet fiskale dhe tarifat për metër katror, qytetarët mund të llogarisin se sa taksë do të paguajnë për shtëpitë e tyre, sipas dy niveleve të propozuara. Taksa do të paguhet një herë në vit. Fondi Monetar Ndërkombëtar llogarit që për qytetarët që banojnë në apartamente taksa të jetë sa 2.6 për qind e të ardhurave minimale vjetore, kurse ata që banojnë në vila taksa që do të paguhet do të jetë sa 7.3 për qind e të ardhurave të tyre vjetore.

Taksë e re do të arkëtohet nëpërmjet faturave të ujit. Qeveri është duke hartuar kadastrën fiskale me hartën e vlerës së shtëpive dhe pronës për të vendosur taksimin e ri mbi bazën e vlerës së tregut për metra katror. Për këtë është ngritur një grup pune, ku në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë do të mblidhen të dhënat e plota për pronësinë e apartamenteve të regjistruara, sipërfaqen e tyre dhe zonat ku ndodhen.

zonat e tiranes

SHEMBUJT

Taksa për metër katror do të llogaritet sipas çmimeve fiskale që janë në fuqi dhe aplikohen nga hipoteka ku kryhet regjistrimi. Çmimet fiskale përdoren si referencë për hipotekat. Referuar tabelës për një shtëpi që ndodhet tek “Ali Demi”, në hipoteka kjo pronë është e regjistruar te zona kadastrale 1/1 dhe çmimi fiskal në fuqi është 98.000 lekë për metër katror. Nëse qeveria do të aplikojë nivelin e taksës 0.075 për qind të çmimit të tregut për zonën e “Ali Demit”, tarifa për metër katror do të jetë 73.5 lekë/ m2. Nëse një qytetar ka një shtëpi me sipërfaqe 100 m2, ai do të paguajë 7.350 lekë në vit.

Nëse qeveria do të vendosë të aplikojë nivelin 0.15 për qind i propozuar nga FMN-ja për rastin e qytetarit që banon në zonën e “Ali Demit” dhe ka në pronësi një apartament 100 metra katrorë, ai do të paguajë në vit 14.700 lekë. Më shumë taksë do të paguhet nga qytetarët që jetojnë në zona të shtrenjta. Për zonën e ish-Bllokut që përkon me zonën kadastrale 5/1 dhe çmimi fiskal për apartamentet është 190.000 lekë/m2, një qytetar që ka një shtëpi 100 metra katrorë për nivelin e taksës 0.075 për qind do të paguajë 14.250 lekë në vit. Nëse aplikohet, niveli 0.15 për qind do të paguhet 28.500 lekë në vit.

llogaritja e takses

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura