TABELA/ Çmimet e apartamenteve, sa janë dhe pse janë rritur

May 29, 2016 | 12:21
SHPËRNDAJE

Rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë, e paralajmëruar nga ndërtuesit pak muaj më parë, ka filluar. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë se indeksi i çmimit të banesave shënoi një shtrenjtim me 11.3%.

ApartamentetSipas ndërtuesve, arsyet e rritjes së çmimeve lidhen tërësisht me shtimin e ngarkesës fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe ajo e banesës për stokun e pashitur) dhe jo me faktorë të kërkesës.

Kostot e ndërtuesve janë rënduar nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë taksën e banesës për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, ndërtuesit posedojnë stok për shkak të kërkesës të dobët, ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave.

Përpos kësaj takse, në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos që ishte më parë. Dyfishimi nga 4 në 8%, por edhe ndryshimi i bazës së llogaritjes nga kosto në çmimin e shitjes ka rritur ndjeshëm barrën fiskale. P.sh. një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m2 dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m2, më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 eur/m2 (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë.

Ende nuk ka ndërtime të reja këtë vit pohojnë ndërtuesit, por stoku që do të vijë, do të sjellë rritje të menjëhershme të çmimit, faturë të cilën e merr blerësi në kryeqytet. Por, ndërtuesit paralajmërojnë se paralelisht do rriten dhe çmimet e banesave të ndërtuara tashmë, ndonëse me ritme më të ulët se ato të reja.

CMIMET-E-BANESAVE

Fratari: Me ndërtimet e reja, periferia 50 euro/m2 më shtrenjtë

Me vendosjen e taksës së re “absurde”, sipas ndërtuesve, të banesës mbi apartamentet e pashitura në Tiranë, iu shtua më shumë barra tregut. Kështu vlerëson Hajredin Fratari, kreu i Konfindustrisë dhe ndërtues. Ai shton se në asnjë vend të botës nuk paguhet për banesat e pashitura ende.

“Një ndërtues mund të ketë një sasi të lartë të apartamenteve të pashitura, nga tkurrja e kërkesës. Përpjekja e rritjes së taksave nga ana e Bashkisë së Tiranës për apartamentet e pashitura në mënyrë që të nxitet shitja, ka rezultuar e gabuar. Përkundrazi, ka paralizuar tregun”,- tregon z. Fratari.

Ndërsa dyfishimi i taksës në infrastrukturë (nga 4% e kostos në 8% mbi vlerën e shitjes) pritet të shtrenjtojë çmimin e tyre.

“Më parë paguhej 7-8 euro/m², ndërsa me ndryshimet e reja rreth 50 euro/m² në periferi dhe në qendër do të jetë më e shtrenjtë.”- pohon Fratari.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet vetëm në vendet e Ballkanit, analizon Fratari, për shkak se vendet në zhvillim kanë nevoja të investojnë në zhvillimin e infrastrukturës.

Si drejtues i Konfindustrisë, ai tregon për “Monitor” se nuk është kundër politikave të taksave, por sipas tij arkëtimi i tyre duhet të përdoret për destinacionin e duhur.

Në rastin konkret, taksa e ndikimit në infrastrukturë u vilet kompanive të ndërtimit për të plotësuar nevojat themelore të infrastrukturës si kanalizimi elektrik dhe ujësjellësi, rrugë etj., që nevojiten për objektin e ri. Në shoqëritë perëndimore tregon ai, sikurse në Itali, në rastin e vjeljes së kësaj takse, qeveria e plotëson vetë këtë nevojë të komunitetit. Në rastin se e bën shoqëria ndërtuese, pushteti u zbret këtyre shpenzimin e përdorur për infrastrukturë.

Fratari tregon se momentalisht, duke u bazuar në sjelljen e tregut, blerësit potencialë janë ata që u drejtohen zonave jashtë Unazës, pra në periferi. Kjo për disa arsye, çmime më të favorshme, stok më i madh. Kjo, nxitur edhe nga kushtet e favorshme të kreditimit, familjarëve që jetojnë me qira, nxiten që të blejnë në këto zona me kredi. Por, pikërisht këta blerës potencialë janë ata që do të “rëndohen” nga një rritje 50 euro/m2 më tepër.

Shoqata e Ndërtuesve: Të çlirohet tregu nga stoku problematik

Nevojitet në mënyrë të menjëhershme një politikë e mirë me taksat. Kështu bën thirrje sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, i cili theksoi se një menaxhim më i mirë i taksave do të sjellë uljen e çmimeve. Përveç kësaj, edhe hapja e lejeve të ndërtimit do të japë një frymë çliruese sektorit.

Por, thekson z. Dervishi, jo në zonat ku është ndërtuar gabim. Një këshillë nga eksperti është që qeveria t’i përdorë zonat ku ka stok të konsiderueshëm, për të pastrehët apo kërkuesit e banesave sociale, kështu realizohen dy qëllime në një. Sipas tij, do të ndihmonte një shtresë në nevojë, duke i mundësuar një banesë, nga ana tjetër, do të sillte ndërtime të reja më cilësore në treg, të cilat do të ishin brenda kërkesave që shqiptarët kanë tani për apartamentet (cilësi ndërtimi dhe dokumentacion).

Agjencitë imobiliare: Tregu ndodhet në ngërç

Mungesa e dokumentacionit hipotekor dhe infrastruktura e dobët përbën pengesë në shitjen e banesave në kryeqytet. Aktorët kryesorë të tregut në Tiranë tregojnë për ‘Monitor’ se nga muaji shkurt deri në maj kanë pasur një periudhë shumë të vakët të aktivitetit të tyre, i cili vjen në tkurrje për shkak të mungesës së fuqisë blerëse. Pavarësisht se kërkesa ka, ato nuk finalizohen me transaksione.

Ing. Xheni Jahja nga Tirana Real Estate tregon se dy muajt e fundit kanë pasur shumë pak transaksione, duke qenë se blerësit janë ndërgjegjësuar për kërkesat që kanë për banesa: dokumentacioni i rregullt dhe kushtet e mira infrastrukturore.

“Për sa kohë stoku momental i apartamenteve në kryeqytet ka probleme që lidhen me arsyet e mësipërme, sidomos ai në periferi, pasi edhe kërkesat për në periferi janë më të larta, si dhe ndërtime të reja nuk ka, tregu është thuajse në një ngërç”,- tregon znj. Jahja.

Ndërsa drejtuesi i agjencisë Info 93, Lefter Sila, aprovon se transaksionet e muajve të fundit kanë qenë shumë të ulëta për të pasur një panoramë të përgjithshme të ecurisë së këtij fillimviti. Megjithatë, z. Sila tregon se pallatet e reja që do të vijnë, do të sjellin në treg një stok të ri, me një çmim të rritur. Duke përmendur barrën e taksave që ndërtuesit kanë, ai pohon se në rast se pak pallate që janë ndërtuar në 2015 erdhën në treg me rreth 30% më shtrenjtë, çdo pallat tjetër që nis të ndërtohet në 2016, do të ketë me vete edhe kostot të tjera si taksa e infrastrukturës, që do rrisë çmimin më tej.

 BSH: Rriten çmimet e banesave në Tiranë, në tremujorin e parë të 2016-s

Çmimet e banesave në qytetin e Tiranës kanë shënuar rritje në tremujorin e parë të vitit 2016, sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Raporti tregon se, pas një rënie të çmimeve në tremujorin e katërt të 2015-s, tremujori i parë i këtij viti dëshmoi një rritje të indeksit të çmimit të banesave me 11.3%.

Sektori i ndërtimit vijoi të zgjerohet me ritme të larta edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, megjithëse tendenca e ndjekur tregon për ngadalësim të aktivitetit. Vlera e shtuar e sektorit u rrit me 12.7% në terma vjetorë në tremujorin në analizë, pas zgjerimit me 24.7% dhe 16.7% përkatësisht gjatë tremujorëve të dytë dhe të tretë të vitit.

Banka e Shqipërisë tregon se, analiza e të dhënave të tërthorta të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit tregon për rritje të tyre, të drejtuar kryesisht nga shtimi i punimeve inxhinierike, me kontribuues kryesor sektorin publik, si dhe në një masë më të vogël nga ndërtesat për qëllime banimi.

Niveli ndjeshëm më i ulët i treguesit të besimit në ndërtim, si dhe rënia e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve sugjerojnë ngadalësim me ritme më të shpejta të aktivitetit në sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të parë të vitit 2016.

 Rritet kreditimi për banesa

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se ka pasur rritje të vazhdueshme të kredisë për pasuri të paluajtshme për individë, e dukshme kjo në monedhën vendase. Stoku i huas për shtëpi arriti në 41.8 miliardë lekë në shkurt 2016, me një rritje prej 8% me bazë vjetore.

Ndërsa disa vite më parë ishte euro preferenca e kredimarrësve për shtëpi, tashmë bankat i kanë orientuar individët drejt lekut, me synim uljen e riskut të këmbimit, që do t’i përballte huamarrësit (që kanë të ardhurat në lekë) me rritje të kësteve në rast të zhvlerësimit të monedhës vendase.

Po sipas statistikave tremujore të Bankës së Shqipërisë, pjesa më e madhe e huas që është dhënë në Tiranë për individët ka qenë për blerjen e pasurive të paluajtshme (72% e totalit). Nga 1.6 miliardë lekë, që ka qenë shtesa e huas në tremujorin e parë, në raport me fundin e vitit për gjithë vitin, në Tiranë ajo është rritur me rreth 1.7 miliardë lekë, ndërsa në rrethet e tjera është ulur lehtë. Huaja në kryeqytet është gjallëruar lehtë vetëm në tremujorin e parë të 2016-s, pasi kishte qëndruar konstante apo në rënie të lehtë gjatë gjithë vitit 2015.

Në fund të vitit 2011, kredia për individë shënoi rënie të ndjeshme në vend, kryesisht si rrjedhojë e uljes së huave për shtëpi. Ajo u gjallërua sërish në 2014-n, për të rënë më pas në vitin 2015 dhe duke njohur rigjallërim në tre muajt e parë të këtij viti.

/Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura