Ta qeverisësh si piktor

May 6, 2016 | 12:52
SHPËRNDAJE

shabaniENDRIT SHABANI

Zot’ri ‘i sekond. K’tu është pronë private. Edhe s’keni asnji lloj t’drejte me hy k’tu pa pyt… Dilni aty jashtë dhe pastaj ankohuni”. Me këto fjalë u pritën (dhe u përcollën) gazetarët dhe aktivistët që kishin shkuar për të marrë pjesë në dëgjesën publike për projektin e stadiumit kombëtar. Mesazhi ishte i qartë: Qërohuni nga këtu ku vendoset për qytetin tuaj, dhe ikni e bëni zhurmë aty larg ku nuk bezdisni pushtetin.

* * *

Kjo ngjarje ndodhi pak ditë më parë te Hotel Tirana, ose 15-katëshi, siç quhej njëherë e një kohë, kur populli i Tiranës ende impresionohej nga godina aq të larta, pa e ditur se do të vinte dita që 15-katësh do të kishte edhe stadiumi kombëtar. Ata që nuk vuajnë nga amnezia apo përtesa kronike për të menduar, e dinë se ashtu si stadiumi kombëtar, edhe Hotel Tirana njëherë e një kohë na përkiste të gjithëve, pra ishte pronë publike.

Për ndërtimin e tij kanë punuar qytetarët e Tiranës, dhe për dekada të tëra ai ka qenë simbol i kryeqytetit. Mirëpo në një moment të caktuar ai iu mor publikut dhe kaloi në dorë të privatit, i cili sot me të drejtën që i jep mentaliteti i vet, thotë: “M’fal, por je n’pronë private”. A thua se i ke shkuar në shtëpi për qokë në vakt të papërshtatshëm.

Fatkeqësisht, duket se kështu do ta humbasim edhe stadiumin kombëtar, të cilin qeveria ka vendosur ta menaxhojë përmes partneritetit publik-privat. Një togfjalësh ky që, siç po duket, i shërben pushtetit jo vetëm si gjethe fiku për të fshehur mëkatet që Perëndia i ka thënë të mos i ndajë me dynjanë, por edhe për të dëshmuar njëmendësi bajraktare pushteti.

* * *

Dilemës nëse kjo sjellje ndodhi me apo pa dijeninë e kryeministrit, ky i fundit i dha vetë përgjigje duke sqaruar se aktivistët dhe gazetarët nuk ishin ftuar të merrnin pjesë në këtë aktivitet publik (?!) dhe se nuk bëhej fjalë për dëgjesë publike, por vetëm për prezantim të projektit. Unë mendova se këshillimi publik pa publikun ishte në valën e ironive origjinale të kryeministrit, por jo. Ai ishte i qartë se bëhet fjalë vetëm për komunikatë, jo këshillim me publikun, jo dialog me të.

* * *

Kjo nuk është një mendësi e re, për hir të së vërtetës. Prej kohësh, duke kaluar nga pushtuesi në pushtues, nga diktatori në diktator, dhe nga manipuluesi në manipulues, populli shqiptar ngjan si personazh i dalë nga romani “Rënia” i Albert Kamysë. Potencialisht memec, ai dëgjon premtime boshe, justifikime bajate dhe broçkulla pa fund, por nuk ka mundësi të flasë, nuk e dëgjon njeri.

Deri para 20 e kusur vitesh po të fliste, i thyenin kockat, ndërsa vitet e fundit, thjesht nuk ia varin. Në këtë drejtim, mbase për ironi, Fatos Lubonja është mishërimi i qytetarit shqiptar që deri dje ishte në burg politik, ndërsa sot nuk e lënë të marrë pjesë në prezantimin e planit të një vepre publike, që zhvillohet për një audiencë (me sa duket) private.

* * *

Mirëpo, ndryshe nga arrogantët e tjerë që kanë qeverisur në këto anë, Rama ndryshon me një pjesë të tyre në atë që ai është artist. Kjo do të thotë që, për hir të interesit të tij në këtë drejtim, pasojat e qeverisjes së tij do të shpalosen (siç janë shpalosur) edhe në arkitekturën dhe pamjen estetike të qyteteve. Kështu që, kur ai të ikë nga pushteti (se do ikë një ditë), përveç kullave të betonit nëpër Tiranë, do të na lërë peshqesh edhe bunkerë që të kujtojnë qoftëlargun, sheshe si llogore lufte, institucione si të dala nga bota e Lizës, apo stadiume me minare.

* * *

Por le ta çojmë analizën më tej. Kushdo me pak interes për shkencat politike, mund të vërë re që të rrallë janë popujt që kanë vendosur të qeverisen nga një piktor (një e gjen në Lindje të Mesme, ndërsa tjetrin e kanë fshirë nga historia, se përfundoi duke shfarosur popujt që kishte zët). Një gjë e tillë nuk ndodh rastësisht. Në përgjithësi liderët politikë dhe piktorët ndryshojnë jo vetëm në formimin e tyre akademik, por mbi të gjitha në mendësinë me të cilën ata veprojnë.

Për shembull, në politikë të duhet të balancosh kërkesat e grupeve të ndryshme shoqërore dhe kompromisi është thelbësor. Në botën e ngjyrave kompromisi (siç Rama ka qejf ta përmendë) prodhon ngjyrën gri (në fakt diçka mes të zezës dhe grisë). Por që ta bëjmë edhe më të qartë këtë kontrast, le të imagjinojmë për një moment sikur një piktor të pikturonte duke aplikuar parimet dhe mendësinë e liderëve që qeverisin sot Europën Perëndimore.

* * *

Duke aplikuar koncepte të demokracisë pjesëmarrëse, transparencës, apo respektimit të institucioneve dhe shtetit ligjor, do të duhet të imagjinonim që piktori ynë hipotetik teksa pikturon në sy të publikut (fshehtësia është e ndaluar), të pyesë pjesëmarrësit se si duhet të heqë vijat dhe të hedhë në votim ngjyrat që duhet të përdorë për pikturën.

Jo vetëm kaq, por ai as do të ketë mundësi të fillojë të pikturojë në një telajo të pastër. Përkundrazi, do të duhet të vazhdojë punën që kanë nisur piktorë paraardhës, dhe duhet të punojë me përgjegjësi, që t’u lërë mundë- si të vazhdojnë pikturën pasuesve të tij. E që ta bëjmë më të vështirë rastin, piktori në fjalë do të duhet që për çdo pjesë të pikturës të ndjekë disa protokolle të mirëpërcaktuara, me afate precize dhe me bashkëpunëtorë të caktuar.

Me pak fjalë, ta institucionalizojë procesin e të pikturuarit, në mënyrë që edhe kur ai të largohet, puna me veprën të vazhdojë normalisht. Ai gjithashtu do të duhet të japë llogari vazhdimisht për mënyrën se si i harxhon bojërat dhe se si e përdor hapësirën në telajo.

Mbi të gjitha, më shumë sesa të pikturojë vetë, piktori do të duhet të koordinojë punën e një ekipi të tërë, dhe të balancojë kërkesat e publikut me mundësitë e ekipit. Duke u siguruar kështu që në fund të fundit piktura të mos ketë pronësi, por t’u përkasë të gjithëve (ashtu, në përpunim të vazhdueshëm). Unë nuk e di nëse procedura të tilla përdoren për të pikturuar në ndonjë cep të botës, apo në ndonjë laborator psikologjik, por di me siguri që kryeveprat më të njohura nuk janë bërë kështu.

* * *

Përse? Sepse arti është ai që është. Është shpesh punë individuale, është projektim i jashtëm i botës së brendshme, është komunikim përmes veprës. Piktori nuk ka asnjë detyrim të japë llogari për shijet e tij, as nuk ka nevojë të kërkojë leje për të shpalosur trazirat e tij të brendshme në veprën që krijon.

Ai nuk ka nevojë të jetë transparent apo të marrë mendimin e publikut se si duhet t’i bëjë veprat e veta. Piktorit i lejohet të jetë një diktator mbi telajon e tij dhe ta lëvizë penelin poshtë e përpjetë si t’ia dojë zemra. Në fund, kur ta ketë përfunduar veprën, ajo i përket vetëm autorit (të paktën ligjërisht) dhe ai madje as që është i detyruar ta bëjë atë publike.

* * *

Mirëpo si do të ishte, po të ndodhë e kundërta? Pra, që një lider politik të qeverisë me parimet e pikturës. Hmm… besoj se nëse një politikan do të qeveriste njësoj siç veprohet me një pikturë, ai do të përfundonte duke lyer një qytet pa pasur asnjë synim të pyeste banorët se me çfarë ngjyre do t’u pëlqente t’ua lyenin pallatin, apo nëse do ta kishin me qejf t’u vizatonin një palë mbathje në ballkon.

Nëse ky politikan do të kishte pushtet për të ndërtuar vepra publike, ai me shumë gjasë do të injoronte çdo protokoll dhe çdo institucion, dhe në fund do t’ia përplaste në fytyrë publikut. Në e pëlqenin mirë, në mos, u plaçin sytë që nuk e kuptonin të bukurën, e cila duhet të vijë vetëm sipas mënyrës që ai e percepton atë.

Nëse ky politikan do të kishte në dorë të ndryshonte pamjen e godinave të institucioneve, ai pa një pa dy mund të impononte në këto hapësira publike shijet personale estetike, pa e vrarë mendjen se çfarë do të donte publiku. Ky politikan do ta kishte zët përzierjen e publikut, apo ekspertëve nëpër këmbë. Kështu, çdo punë publike mund të reklamohej si vepër personale që reflekton shijet e artistit, talentin dhe gjendjen e tij emocionale dhe psikologjike.

Ai gjithashtu mund ta kishte me bezdi të madhe të merrej me punë të tjera që zor se mund t’i fotografosh dhe t’i bësh të dukshme për syrin e një turisti kalimtar (se domosdo, kush ka ndër mend të rrijë më tepër në një qytet ku vëmendja është te fasada dhe jo te jeta e përditshme?). Të ngjan edhe ty sikur e ke parë më parë këtë eksperiment? Ashtu mendova dhe unë.

* * *

Me këtë nuk dua të më keqkuptosh dhe të mendosh se unë po argumentoj që qytetet nuk duhen lyer, apo që veprat publike nuk duhet të jenë të bukura. Përkundrazi, e vërteta është që të gjitha këto qytete europiane që nuk drejtohen nga piktorë, por politikanë, janë shumë të bukura. Diferenca është se ndërsa ato janë të bukura sipas mënyrës se si komuniteti që jeton në to i ka perceptuar, qytete si Tirana janë të bukura (ose të shëmtuara) sipas shijes (apo interesave) të atij që ua ka imponuar shijet e veta estetike qytetarëve.

* * *

Nuk dua as që të mendosh se po argumentoj që një njeri lind artist apo politikan. Mendoj se kryesisht është çështje zgjedhjesh që njeriu bën në jetë, dhe në veçanti si zgjedh të ndërveprojë me njerëzit dhe botën përreth. Rama, siç duket, ka zgjedhur të veprojë si artist, dhe jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. E mbase shembulli më ilustrues mund të jetë fiksimi i tij me dekorin e qyteteve.

* * *

Unë kam qenë një nga ata që kanë menduar se Rama ishte ndryshe nga Berisha. Pavarësisht të gjithave – thosha me vete – ai i ka hesapet me historinë dhe do që të lërë gjurmë në këtë vend. Në fakt kisha të drejtë, pjesërisht të drejtë. Rama erdhi në pushtet dhe filloi të merret kryesisht me bojatisje pallatesh, zbukurim qendrash, mbjellje palmash dhe ndërtim lulishtesh. Për më tepër, ta bënte këtë në mënyrë imponuese dhe autoritare, sikur Shqipërinë ta kishte telajon e tij.

Atëherë kuptova se ai vërtet ka zgjedhur të lërë gjurmë, por ama më shumë si piktor sesa si lider politik. E në të vërtetë, më shumë sesa një herë, Rama na e ka thënë hapur se ai nuk është politikan, por piktor. Mirëpo shumë syresh e kanë keqkuptuar apo edhe kanë dyshuar në sinqeritetin e pohimeve të tilla. Kështu që unë besoj se herës tjetër, kur ai ta thotë sërish këtë, në mos e besofsh, të paktën do ta dish se për çfarë e ka fjalën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura