“Synojmë integrimin e shërbimit të hemodinamikës”/ Manastirliu në spitalin Memorial të Fierit: Mbi 1500 mjekë e infermierë të punësuar gjatë 2021

Jan 28, 2022 | 17:26
SHPËRNDAJE

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, në spitalin Memorial të Fierit synohet që të integrohet shërbimi i hemodinamikës 24 orë për rajonin e jugut.

ogertamanastirliu

Këtë e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila ka inspektuar zgjerimin e shërbimeve të nivelit terciar ditën e sotme.

“Janë 17 shërbime mjekësore që aktualisht funksionojnë dhe objektivi ynë është të shtrihemi edhe në shërbime të tjera të reja. Shërbimi okulistik, shërbimi i ortopedisë që duhet zhvilluar dhe gjithashtu edhe hemodinamika 24 orë, janë objektivat e afërt që ne duam të realizojmë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti”, tha Manastirliu.

Aktualisht stafi i Spitalit Memorial të Fierit është zgjeruar me 34 infermierë të rinj të punësuar nga portali “Infermierë për Shqipërinë”, ndërsa janë mbi 100 mjekë turq që kanë ofruar shërbim në këtë spital gjatë 8 muajve të funksionomit të tij.

Ministrja Manastirliu bëri me dije se edhe numrin e mjekëve dhe infermierëve të punësuar në sistemin shëndetësor gjatë 2021.

“Në gjithë sistemin tonë shëndetësor vetëm përgjatë vitit të shkuar janë punësuar më shumë se 1200 infermierë përmes portalit Infermierë për Shqipërinë dhe më shumë se 320 mjekë. Me të mirët duhet të shërbejnë për qytetarët tanë dhe më të mirët zgjidhen vetëm përmes portaleve transparente dhe meritokracisë”, tha Manastirliu.

Teksa bëri me dije se po punohet për kuadrin e ri ligjor, Manastirliu tha se ky spital, me miratimin e ligjit të ri të kujdesit spitalor, do të fillojë menjëherë implementimin e autonomisë spitalore.

“Spitali Memorial Fier do të jetë edhe spitali ku do të aplikohet për herë të parë Autonomia Spitalore, ndaj ne kemi hedhur bazat e mira të punës edhe për faktin që ky spital ka një ekip menaxherësh edhe nga Turqia. Jemi duke punuar për protokollet e punës, protokollet standarte, pra po bëhemi gati që me miratimin e ligjit të ri për shërbimin spitalor, ku brenda këtij kuadri ligjor të ri që duam të miratojmë do të jetë gjithashtu edhe hapësira për të përfshirë Autonominë Spitalore, si një model të ri i cili fillon me spitalin Memorial Fier dhe më pas do të shtrihet në shumë spitale të tjera”, nënvizoi Manastirliu.

Nga Fieri Ministrja Manastirliu theksoi se pavarsisht pandemisë, në të gjithë spitalet e vendit bashkiake, rajonale dhe universitare po punohet për rritjen e gamës së  pajisjeve dhe trajtimeve mjekësore duke mos i ndalur investimet në asnjë moment.

Në Spitalin Memorial Fier janë 17 shërbime shëndetësore që tashmë po ofrojnë një standard të ri shërbimi për pacientët e rajoneve të jugut. Janë ofruar deri në fund të vitit 2021 mbi 36 mijë shërbime, për një periudhë tetë-mujore.  Gjatë këtyre 8 muajve ky spital ka ofruar shërbime të reja në sitemin publik spitalor që janë: Angio-Scanneri i Enëve të Gjakut; Trajtimi i Polipektomisë Endoskopike; Ndërhyrje Kirurgjikale të Kompleksitetit të lartë e të vështirë si ato Ekstroperitonale, Ezofagu; Heqje Tumori, etj. Në këtë spital po ofrojnë shërbimin e tyre 256 staf shqiptar dhe turk.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura