Surprizat në panairin e “Klik Ekspo Group” në Tiranë. Sulmet kibernetike, “Luarasi” trajnim me ekspertizë izraelite

Dec 4, 2021 | 13:04
SHPËRNDAJE

Bizneset kosovare të pranishme në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të “Klik Ekspo Group”, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, nga data 1-4 dhjetor, shprehen optimistë për zgjerimin e sipërmarrjeve në tregun shqiptar, nxitur edhe nga politikat e përbashkëta midis dy vendeve.

264289546_10160042839861419_5020935238182201510_n

Në një prononcim për mediat, Fadil Arifi, drejtor i shitjeve në kompaninë ERC Trade, me aktivitet në prodhimin e gotave të letrës, tregon se ka filluar të përfitojë nga tregjet brenda Ballkanit dhe më gjerë. Pjesëmarrjen në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të “Klik Ekspo Group”, e sheh si një mundësi shumë e mirë për zgjerim dhe bashkëpunim. “Siç dihet, tashmë plastika po hiqet nga përdorimi dhe aktiviteti ynë shkon drejt prodhimeve të duhura, ekologjike dhe jo të dëmshme për shëndetin e njeriut. Momentalisht, kemi hapur disa linja për prodhimin e gotave, duke filluar nga sasi të vogla deri në 350 ml, garantuar cilësi me çmime të favorshme”.

Pjesëmarrës në disa panaire jo vetëm në Ballkan, Europë, edhe më gjerë së fundmi në panairin e njohur të Dubait, thotë se strategjia e tyre është të përfitojnë tregje, përmes pjesëmarrjes në panaire, të informojmë blerësit për produktet dhe lidhje të mundshme për bashkëpunim. ERS Trade është një kompani nga Prishtina, operon në treg sipas standardeve, me 12 linja prodhimi që punojnë 24 orë pa ndërprerje dhe me synimin e zgjerimit të kapaciteteve. “Më herët kemi bashkëpunuar me tregun shqiptar, me distribuimin e artikujve ushqimorë dhe sanitare, po mendoj se ka hapësirë për më shumë intensifikim të marrëdhënieve me biznesin shqiptar, pasi është një treg i lirë dhe mund të bashkëpunojmë për të qenë të pranishëm në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Tiranë, se këto lloj prodhimesh i përgjigjen kërkesave të tregut”, u shpreh Arifi.

Një tjetër kompani, EKRO, vjen nga Kosova, e cila operon në fushën e ndërtimit me fasada, dritare etj. “Për ne nuk është hera e parë që marrim pjesë në panair, por shohim interes të lartë nga blerësit dhe vizitorët shqiptarë. Jemi në partneritet me kompaninë austriake që është në treg që prej vitit 1950 dhe duam të prezantojmë produktin tonë për tregun shqiptar bashkë me eksperiencën europiane dhe ofruar siguri”, tha Arburim Selimi, menaxher prodhimi

UNIVERSITETI “LUARASI”

263886084_10160042839851419_8973042617755597529_n

Shoqëria po ekspozohet çdo ditë e më shumë ndaj rreziqeve të sigurisë kibernetike. Për këtë arsye, universiteti “Luarasi” ka krijuar Akademinë e Sigurisë Kibernetike dhe zhvilloi një bashkëbisedim me studentët në këtë fushë. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë, Informacionit dhe Inovacionit në Universitetin “Luarasi”, Prof. Dr. Indrit Baholli, tha se studentët do trajnohen përmes ekspertizës izraelite dhe do të pajisen me një certifikatë të njohur në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Pjesë e kursit, sipas dekanit, mund të bëhen edhe gjimnazistët. Profesor Dr. Hergis Jica, profesor në universitetin “Luarasi”, tha se siguria kibernetike është një nga fushat më të rëndësishme dhe sot institucionet shtetërore e private po angazhohen për të rritur masat e sigurisë. Prof. Dr. Indrit Baholli tha se “Luarasi” synon të mbetet lider në fushën e sigurisë kibernetike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Ai ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e kursit të Akademisë së Sigurisë Kibernetike.

SIPËRMARRJA TURKE, INVESTIME NË SEKTORË STRATEGJIKË TË EKONOMISË

Pavijoni i Turqisë, dikur një panair i mëvetësishëm kushtuar ekskluzivisht eksporteve turke në Shqipëri, sot Pavijoni i Turqisë, rikthehet për të pestën here, nën organizimin e Dhomës së Tregtisë së Stambollit, duke sjellë ekspozuesit më të spikatur në fushën e industrisë agroushqimore, tekstilit, materiale ndërtimi, industria kimike. E rralla e këtij edicioni është edhe ndërthurja e ngushtë me kulturën dhe historinë, duke i shtuar prezantimit të kompanive dhe organizimin e evenimenteve kulturore dedikuar promovimit të librave dygjuhësh. Në Panair, prezantohet një nga kompanitë prestigjioze turke në fushën e paneleve diellore, ODUL Sunreliance. Cagdas Aktas, përfaqësues i kompanisë, e sheh pjesëmarrjen si mundësi bashkëpunimi me tregtarë shqiptarë për zgjerimin e aktivitetit edhe në Shqipëri. “Jam për herë të parë në Shqipëri dhe sipas një studim tregu që kemi kryer, shohim se ka interes të lartë për panelet diellore. Mendojmë se do jetë efikas bashkëpunimi ynë, pasi garantojmë produkte cilësore me kosto të ulëta”, tha Aktas. Sipas tij, për momentin ka kërkesa për bashkëpunim. “Jemi të gatshëm për të bërë gjithçka për nxitjen e sipërmarrjeve të reja në Shqipëri dhe synojmë të intensifikojmë marrëdhëniet në planin afatgjatë. Pikërisht sot kemi arritur të lidhim bashkëpunime të reja dhe mendojmë se do kemi sukses siç garanton edhe vetë panairi”. Energjia e rinovueshme është sot në fokus të investimeve që po ndërmarrin sipërmarrjet jo vetëm në vende të ndryshme, por edhe në Shqipëri. “Përfaqësues i kompanisë Kalekim, kompani serioze nga Turqia me një eksperiencë 50-vjeçare, në partneritet me kompaninë shqiptare Neon, aktive në sektorin e prodhimit të bojërave, tha se pjesëmarrja për herë të parë në panair të këtij niveli në Shqipëri, është një përgjegjësi dhe angazhim për të zhvilluar biznesin. “Ne operojmë në tregun shqiptar prej dy vitesh, kemi partner të rëndësishëm në tregun tonë dhe mundohemi dita-ditës ta konsolidojmë këtë marrëdhënie. Pjesë e kësaj është edhe pjesëmarrja në këtë panair, sikurse e shohim si një mundësi e mirë dhe me interes konsolidimin e një marrëdhënie me aktorët rajonalë siç janë: Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia”, tha Dritan Dulli, drejtor i shitjeve dhe marketingut për rajonin. Kompania tashmë prej dy vjetësh ka ngritur fabrikën e saj në Tiranë dhe prodhon produkte të një cilësie të lartë, që synojnë të tregtohen edhe në vendet e rajonit.

AKSESORËT MË NË ZË TË MOMENTIT

Vitet e fundit mund të keni dëgjuar apo të keni parë në rrjetet sociale, sikurse nga personazhe të njohur, për aksesorët e punuar nga atelie “Eli”. Për këtë, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka sjellë në katin e tretë të Pallatit të Kongreseve edhe stendën e atelie “Eli”, që të mund të shohim nga afër punimet artizanale të punuara me dorë, të cilat u japin veshjeve dhe pamjes suaj një tjetër hijeshi. “Ne jemi një atelie me eksperiencë prej 20 vitesh në tregun e modës në Shqipëri, por jemi kujdesur që përgjatë këtyre viteve të kemi fokus kryesor punën cilësore dhe artizanale”, tregon Elisjana Stafuka, drejtuese dhe themeluese e ateliesë. Më pas, ajo shtoi: “Prezantimi ynë sot konsiston në materiale të përgatitura në mënyrë artizanale në studiot tona dhe që janë të kombinueshme me veshje jo vetëm eventesh, por edhe me veshje casual. Synimi ynë kryesor është përçimi ndër breza të punimeve tona dhe për këtë përkujdesemi ta theksojmë në çdo dalje tonën!”. Koleksionin e aksesorëve të atelie “Eli” mund ta gjeni në katin e tretë të Pallatit të Kongreseve deri në datën 4 dhjetor. Dhjetëra vizitorë në masterclass-in e parë të panairit Panairi Ndërkombëtar i Tiranës përgjatë të gjithë ditëve të tij të organizimit ka rezervuar një sektor të tërë për bukurinë dhe modën shqiptare. Këtë e ka treguar me një numër të madh eventesh të organizuara përgjatë 3 ditëve të këtij panairi, por “qershia mbi tortë” ishte eventi i make up artistit të njohur, Henri Gjata. Në prani të dashamirësve, make up artistëve të tjerë dhe emrave të njohur, Henri ka demonstruar aplikimin dhe realizimin e make up-i në një modele. “Ishte një eksperiencë shumë e këndshme për mua. Të bërit make up është një veprimtari, të cilën, le të themi, unë e dashuroj dhe e bëj gjithmonë me shumë kënaqësi”, u shpreh Henri. “Sidomos në një organizim të tillë, kënaqësia është shumë herë më e madhe!”. Interesi i vajzave dhe djemve për masterclass-in e Henri Gjatës ka qenë shumë herë më i madh se ç’pritej dhe kjo është treguar edhe në rrjetet sociale, ku kërkesat kanë qenë të shumta.

“FATMARRELA” LË “GOJËHAPUR” VIZITORËT E PANAIRIT

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ka sjellë për vizitorët e tij në ditën e tretë të organizimit mjaft evente, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e të gjithë panairit. Nga sfilada e modës te masterclass-i i Henri Gjatës, ka qenë një numër i madh eventesh që janë organizuar në datën 3 dhjetor, mirëpo ajo çka ka lënë me gojë hapur vizitorët dhe organizatorët ka qenë “Fatmarrela”. Mesditën e sotme, disa vajza kanë parakaluar në stendat e të gjithë panairit të veshura me peshqir duke i lënë vend imagjinatës, çka ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm të vizitorëve, organizatorëve, por edhe mediave të tjera. Ky ishte një “truk” i kompanisë “Fatmarrela” të Fatma Haxhialiut, e cila u bë pjesë për herë të parë në Panair duke i dhënë një tjetër frymë këtij organizimi. Stendën e “Fatmarrelës” mund ta gjeni në katin e dytë, ku mund të shihni të gjitha produktet e linjës së parë të kaçurrelave në vend, por jo vetëm kaq, por mund të bëheni pjesë e surprizave që Fatma ka përgatitur për vizitorët e saj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura