Qëllohet me armë zjarri drejt Top Channel, vritet roja i sigurisë (EMRI)

Mar 27, 2023 | 7:38
SHPËRNDAJE

Roja i sigurisë së televizionit Top channel u vra pas breshërisë së plumbave që u shkrepën në drejtim të ndërtesës së televizionit.

Pal Kola, 60—vjeç, u qëllua me disa plumba ndërsa ngrohej në kabinën në hyrje të godinës. Ai u transportua me urgjencë në drejtim të spitalit ku edhe ndërroi jetë. Në vendin e ngjarjes janë regjistruar të paktën 20 të shtëna kallashnikovi.

Menjëherë pas breshërisë së plumbave në drejtim të godinës, një automjet tip ‘Range Rover’ është gjetur i djegur në zonën e Golemit në Kavajë, duke ndjekur kështu skenarin e ngjarjeve kriminale ku autorët djegin automjetet për të humbur gjurmët. Burime për Panorama Tv bëjnë me dije se dy armë zjarri të llojit kallashnikov janë gjetur brenda automjetit të djegur, i cili rezulton të jetë me targa të vjedhura.

Përveç se konfirmoi ngjarjen, policia e kryeqytetit tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sulmi vjen ndërkohë që mediat janë vënë në presion të shtuar kohët e fundit.

Duke e konsideruar një ngjarje vërtetë të rëndë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj kërkoi nga organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura