Studimet për mësuesi, Shahini: Bursë për maturantët me mesatare mbi 9

Apr 19, 2018 | 8:57
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Mësuesia nuk do të jetë më zgjedhja e fundit për maturantët që nuk fitojnë degën e dëshiruar. Nëse pragu minimal për t’u futur në universitet është 6, për t’u bërë mësues nevojitet minimalisht nota mesatare 7.

besa

Kjo tashmë është vendosur nga Ministria e Arsimit dhe do të hyjë në fuqi që këtë vit akademik. Detajet e implementimit të saj i bën publike në një intervistë për gazetën, zëvendësministrja e arsimit, Besa Shahini. Bursat e plota nga Ministria, sipas Shahinit, do të thithin maturantët më të mirë. Por, ajo që do të garantojë cilësi është ruajtja e këtij niveli edhe në fakultet me qëllim përfitimin e bursës në të gjitha vitet e studimit. Ky është mekanizmi i përzgjedhur nga MASR, me qëllim që në fakultetet e edukimit të hyjnë e të dalin më të mirët.

Është folur prej kohësh për një rritje të mesatares së pranimit të maturantëve në fakultetet e edukimit? Është vendosur? Sa do të jetë ajo?

Duke u nisur nga praktikat më të mira europiane, ideja është që degët e mësuesisë të tërheqin nxënësit më të mirë, që ata pastaj të bëhen mësues të mirë. Vendi që e përmendim shpesh si model për cilësinë në arsim është Finlanda dhe arsyeja që ata kanë arritur të kenë atë imazh, është se kanë vendosur që vetëm personat më të arsimuar në vend të mund të kenë të drejtën për t’u bërë mësues. Rrjedhimisht, ata kanë vendosur rigorozitet në përzgjedhjen dhe trajnimin e mësuesit fillestar. Në ditët e sotme, kjo do të thotë që vetëm nxënësit më të mirë pranohen në mësuesi apo 25% e të gjithë aplikantëve. Ajo që propozojmë ne është që të shkojmë drejt atij modeli. Pra, të vendosim një notë minimale për pranimin e nxënësve në degët e mësuesisë – tani për tani nota 7, por me mundësi rritjeje në të ardhmen – që të sigurohemi që secila gjeneratë e re e mësuesve të jetë më e mirë se ajo e shkuara.

Kur keni parashikuar të hyjë në fuqi?

Ne kemi filluar diskutimet me IAL-të, pasi kjo nuk është një gjë që e bëjmë të vetëm. Po shpresojmë që kjo të jetë e aplikueshme, duke filluar nga vjeshta e 2018-ës. Por ky nuk është elementi i vetëm i reformës: kjo duhet të shoqërohet me harmonizim të programeve dhe kurrikulave mes IAL-ve që prodhojnë mësues, si dhe me definimin e standardit të mësuesit. Jemi në proces të themelimit të grupeve tematike të punës me IAL-të, që të çojmë deri në fund diskutimin për reformën në mësuesi, si në aspektin e përmirësimit të programeve, ashtu edhe në rritjen e notës mesatare të atyre nxënësve që duan të bëhen mësues.

Përse një ekselent duhet të shkojë te mësuesia? Çfarë instrumentesh do të përdorni për t’i orientuar?

Janë tri shtysa kryesore që unë besoj se do të tërheqin nxënësit më të mirë te mësuesia (nëse jo vitin e parë, përfundimisht vitet në vazhdim): 1. bursa për ata që e kanë mesataren mbi 9; 2. rritje rrogash deri në 40% të mësuesve në 3-vjeçarin e ardhshëm, rritje që do të afektojë studentët që sot shkojnë në mësuesi dhe 3. Rigoroziteti, me të cilin do të zhvillohet mësimi në programet e më- suesisë. Kjo e fundit është e rëndësishme, pasi jo të gjithë ata që mbarojnë mësuesinë përfundojnë në shkollë – disa zgjedhin profesione të tjera – dhe si rezultat, ne shpresojmë që aftësitë që i marrin nga degët e mësuesisë të jenë të aplikueshme edhe në industri të tjera.

Fakultetet tashmë i kanë shpallur kriteret hyrëse. A mund të bëhen ndryshime në këtë moment?

Unë them se po. Nxënësit kanë ende kohë të mësojnë për provimet e fundvitit dhe maturës, që të arrijnë mesataren 7 për t’u futur në mësuesi. Ngaqë kjo është në interes kombëtar, pra, përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies në Shqipëri, ndaj dhe arsyetohen këto lloj ndërhyrjesh.

Si do të implementohet udhëzimi i MASR?

Fillimisht përmes grupeve tematike të punës, të përbëra nga drejtues dhe pedagogë universitetesh, MASR (përfshirë Institutin e Zhvillimit të Arsimit) do të përcaktohen standardet për mësuesin e shekullit të 21-të në Shqipëri, si dhe çka duhet bërë për universitetet për të harmonizuar kurrikulat dhe programet e tyre. Grupet do të sjellin edhe rekomandimet e tyre për intervenim në gjithë sistemin e përgatitjes së mësuesit fillestar, si në përgatitjen e përgjithshme, ashtu edhe në përgatitjen lëndore dhe në përforcimin e gjuhës së huaj dhe përdorimit të TIK-ut në klasë. Këto rekomandime pastaj do t’i implementojnë universitetet në fakultetet dhe programet përkatëse.

Rritja e mesatares së pranimit në hyrje, sipas jush, garanton që ajo notë të ruhet edhe në përfundim të fakultetit?

Jo, nuk e garanton. Por i jep shanse sistemit të përgatitjes së mësuesit fillestar që të punojë me nxënës më të mirë. Ndërsa ata që mbesin më të mirët deri në fund dhe kalojnë provimin e licencës, marrin pikë më shumë në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe filtrohen si të parët për të zënë vendet e lira të punës nëpër shkolla. Gjithashtu, ata që kanë mesataren mbi 9 dhe marrin bursë, nëse nuk e mbajnë notën e lartë në IAL, e humbasin bursën për vitin tjetër. Kjo praktikë zbatohet në universitetet perëndimore dhe besoj se shërben si model i mirë për të nxitur nxënësit të mbajnë notat kur të jenë studentë. Por, detajet e gjithë kësaj duhet të diskutohen më gjatë me IAL-të pjesëmarrëse, pasi ata kanë edhe eksperiencën e duhur për të zbatuar një praktikë të tillë. Është folur gjithashtu për një reformim të kurrikulave.

Si do të arrihet standardi uniform për të gjitha universitetet që formojnë mësuesit e rinj?

Ideja është që grupet tematike të punës të punojnë gjatë në harmonizimin e kurrikulave mes tyre, prej emërtimit të programeve e deri te përmbajtja e lëndëve. Kjo punë bëhet nga IALtë. Ato kanë pavarësi të plotë akademike dhe shpresoj që kur të ndajnë përvojat mes tyre, të marrin ato më të mirat si model për të tjerat. Pra, kurrikula për ndonjë profil të caktuar të harmonizohet me kurrikulën që ka standardin më të lartë dhe që përputhet me standardin e mësuesit fillestar.

Ndërkohë, me mësuesit në sistem çfarë parashikohet të bëhet, në funksion të rritjes së cilësisë?

Për mësuesit në sistem është bërë një punë e madhe deri tani. Janë riakredituar disa nga programet për trajnimin e mësuesve në shërbim, në mënyrë që të mënjanohet korrupsioni që ka ekzistuar në sistem (ka pasur raste në të kaluarën kur mësuesit kanë paguar për të marrë certifikatën e trajnimit pa vijuar fare trajnimin). Janë testuar mësuesit dhe ata që kanë nevojat më emergjente për ngritje kapacitetesh, kanë marrë trajnim në 6-mujorin e fundit. Gjithashtu, është vendosur një sistem monitorimi i pjesëmarrjes së më- suesve në trajnime që të sigurohemi që mësuesit marrin trajnimin që u duhet dhe që me të vërtetë marrin pjesë në trajnim. Duhet të përmendet që portali “Mësues për Shqipërinë”, për shkak se liston mësuesit më të mirë në majë të listës, ka sjellë mësimdhënie më cilësore nëpër shkollat që kanë punësuar mësues përmes tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura