Studentët i bëjnë Suzana Turkut surprizën që nuk e priste, batuta dhe të qeshura pafund në emision

May 27, 2018 | 15:12
SHPËRNDAJE

Jemi mësuar gjithmonë ta shohim serioze dhe autoritare me lëvizjet harmonike të duarve teksa drejton kore të ndryshme. Por këtë herë studentët e Universitetit të Arteve na kanë sjellë një zyshë tjetër, atë që nuk duket në skenat e mëdha të koncerteve. Dirigjentja e mirënjohur Suzana Turku ishte përzgjedhur nga studentët e saj për të qenë pjesmarrëse tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan pasi i kishin përgatitur një surprizë të këndshme. Siç treguan studentët ata zhvillojnë dy lëndë me profesoreshën e cila modestisht preferon të thirret thjesht zyshë Zana, pavarësisht se është “Artiste e Merituar”.

29-e1527341401772

Disa prej 20 studentëve të pranishëm në studio kanë treguar përvojat e tyre të njohjes me zyshë Zanën duke zbuluar dhe një pjesë të karakterit të saj. Sipas tyre ajo nuk është thjesht ajo zysha autoritare dhe strikte që duket në fillim por di të jetë dhe zemërmirë, tolerante dhe me shumë humor. Xhon Jesku, njëri nga studentët ka treguar sesi në fillim është mërzitur nga rreptësia e zyshës por asnjëherë nuk e ka urryer.

22-1-e1527341247119

Kanë shkaktuar të qeshura pafund batutat e zyshë Zanës të imituara nga studentët. Përtej “moralit” që mund t’u bëjë shpesh herë që të jenë rigorozë në studime, ata ndihen të lumtur se çdo fjalë e saj ka zënë vend tek ata. Ka studentë të cilët kanë treguar se nuk e frekuentonin fakultetin rregullisht deri në momentin që janë bërë pjesë e klasës së zyshë Zanës. Duke ardhur nga gjimnazet, paksa të përkëdhelur, kjo u ka vlejtur që të mësojnë të punojnë me disiplinë dhe në grup.

“Kam patur një vit të parë shumë dramatik me shkollën, nuk shkoja dhe klasa korale më dukej si gogol sepse është e vetmja orë ku bëjmë mësim mbi 150 veta. Ishte shumë e vështirë. Aty e kuptova se përse profesoreshë Zana sillej në atë mënyrë sepse ishte e vështirë të mbaje në kontroll një numër të tillë. Por sot ne jemi si miq sepse profesoreshë Zana na ka trajtuar si fëmijët e saj”, është shprehur një student.

34-1024x576

Ata kanë treguar sesi zysha ka shpesh herë punon jashtë orarit, thjesht nisur nga dëshira e saj për të nxjerrë breza profesionistësh të muzikës. Përtej kritikave ajo përdor një ironi të këndshme, që studentët të mos ndihen keq por përkundrazi të qeshin e në fund të reflektojnë për të ardhmen e tyre. Për të gjithë këta studentë është një fat që punojnë me një mjeshtre të tillë të muzikës, një nga dirigjentet dhe njohëset më të mira të vokalit që i ndihmon aq shumë në profesionin e tyre.

Zyshë Zana e ka pritur me shumë emocion surprizën e studentëve aq më shumë kur i ka parë ata duke kënduar një ndër pjesët korale më të preferuara të saj. Dashurinë për profesionin e ka shprehur me fjalët “Unë nuk kuptohem dot pa kor”.
Studentët nuk kanë harruar t’i kërkojnë ndjesë profesoreshës së tyre për ato herë kur nuk kanë qenë korrektë apo në lartësinë e duhur artistike. Nga ana e saj ajo e ka pranuar se ndonjëherë është e rreptë por nuk ka hezituar të shprehë mirënjohjen për studentët të cilët ajo i cilësoi si artistë të mirë dhe njerëz të mirë.

“Unë kam përshtypjen që studentë sot përfaqësojnë qindra dhe qindra artistë që kanë kaluar nga arti juaj. Kam qenë deshmitar i sa e sa koreve që ju keni drejtuar, i sa e sa emocioneve që ju keni thënë keshtu që më konsidero dhe mua një pjesë të këtyre studentëve për të të dhënë një mesazh mirënjohje dhe falenderimi për artin tënd të madh që ke bërë”, i është drejtuar Ardit Gjebrea zyshë Zanës. Me një modesti fisnike ajo është përgjigjur që “Artin nuk e kam bërë vetëm. Artin e kam bërë me juve dhe nga ju e kam suksesin”. Nuk kanë munguar batutat dhe të qeshurat mes saj dhe studentëve e në fund një surprizë e këndshme për teleshikuesit duke dirigjuar me mjeshtëri korin e të rinjëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura