Studentë nga Dubai, vizitë studimore në universitetin “Luarasi”

Nov 16, 2022 | 8:20
SHPËRNDAJE

Universiteti “Luarasi” ka pritur këtë të martë disa vizitore të veçantë. Pesëmbëdhjetë studentë të ciklit master bashkë me pedagogët e tyre, pjesë e akademisë Manipal në kampusin e Dubait, e bënë Shqipërinë pjesë të vizitës së tyre studimore si një vend në Ballkanin Perëndimor me zhvillim ekonomik në rritje.

luarasi65656-1-770x397

Studentët nga Dubai u pritën nga dekani i Fakultetit Ekonomik, Mateo Spaho, dhe Dael Dervishi, përgjegjësi i marrëdhënieve me publikun, të cilët prezantuan para të ftuarve se çfarë përfaqëson universiteti. Dekani i fakultetit Ekonomik, Mateo Spaho, tha se studentët dhe pedagogët e tyre nga një universitet i rëndësishëm në Dubai përzgjodhën “Luarasin” për të parë sesi funksionon arsimi publik në vendin tonë.

“Në kuadrin e bashkëpunimit që ata po krijojnë me universitetin ‘Luarasi’, por edhe për shkak të një vizite studimore që ata kanë kryer në biznese të ndryshme në Shqipëri, në aktiviteteve prodhuese, por dhe në atë të shërbimeve, sidomos në fushën e edukimit, ata përzgjodhën ‘Luarasin’ për të parë se si funksionon arsimi i lartë. Ata përzgjodhën Shqipërinë si një nga vendet në zhvillim, pjesë të Ballkanit Perëndimor, për të parë deficitet e ekonomisë shqiptare, por edhe elementët e rritjes së saj.

Ata kanë parë institucione të ndryshme, të cilat nga një anë në rastin e bujqësisë shfaqin problematikat e tyre, por nga ana tjetër, në sektorin e shërbimeve, siç është fusha e edukimit tregojnë ecurinë apo vrapimin me hapin e kohës, që e bën të krahasueshme me vendet e tjera të Bashkimit Evropian”. Një ndër pedagogët që vizitoi “Luarasin”, Suchi Dubey, dha përshtypjet më të mira për universitetin dhe gjithë Shqipërinë duke i dhënë një fokus të veçantë mikpritjes dhe vendeve me peshë kulturore e historike që vendi ynë ka. Përtej vizitës studimore njëjavore, ata kërkojnë të rikthen sërish në vendin tonë. “‘Luarasi’ është një universitet i mrekullueshëm, sot mësuam kaq shumë në lidhje me programet që ofron. Inputi i ofruar nga profesorët ishte i jashtëzakonshëm dhe duket që studentët përfitojnë shumë.

Falënderojmë drejtuesit e ‘Luarasit’, që na dhanë mundësinë ta bëjmë pjesë të agjendës sonë. Këtu moti është i freskët, në Dubai është 35 deri në 40 gradë këto kohë. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Dje humbëm rrugën, disa persona na shoqëruan në destinacion dhe qëndruan me ne 15 minuta. Këtu të gjithë flasin anglisht, na kanë kuptuar pa vështirësi. Kemi kaq shumë kujtime të mira këtu, duam të rikthehemi ndoshta për turizëm, apo për të parë atraksionet historike. Është definitivisht një vend që duhet vizituar patjetër”, tha për “News 24” prof. Suchi Dubey, pedagoge pranë Manipal Academy of Higher Ecucation, Dubai Campus. “Luarasi”, si një ndër universitetet private më të mirë në vend në kuadër të ndërkombëtarizimit prej vitesh, ka pritur studentë nga shtete të ndryshme, të cilët lënë pas përshtypjet e tyre më të mira për universitetin dhe vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura