Arratisja e Stresit, gjykata liron tre policët

Feb 4, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Kengetari i njohur si “Stresi”. Foto e marre nga profili i tij ne “Facebook”

UPDATE/ Tre punonjësit e policisë të arrestuar pas arratisjes së Stresit nga Komisariati Nr.3 në Tiranë janë liruar nga qelitë e paraburgimit. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për lirimin e dy policëve rrugorë, Bashkim Dybeli dhe Sajmir Cinga, të dyshuar për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ndaj tyre nga gjykata u caktua masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi. Në sallën e gjyqit ata kanë përjashtuar veten nga ngjarja, duke pretenduar se nuk kanë qenë në Komisariat në momentin që këngëtari është larguar.

Oficeri i tretë i policisë i arrestuar pas arratisë së Stresit, Mark Gjonpalaj, nuk u paraqit në Gjykatë për caktim të masës së sigurisë. Ai është liruar dy ditë më parë me urdhër të Prokurorisë. Hetimi ndaj tij do të vijojë në gjendje të lirë. Pas arratisë së Stresit nga ambientet e Komisariatit Nr.3 ditën e shtunë, Policia e Tiranës arrestoi tre efektivë të Policisë, si dhe pezulloi nga detyra nëntë të tjerë.

DESHMITE
Në dy seanca me dyer të mbyllura për publikun, Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj dy efektivëve të Policisë Rrugore, të dyshuar për “shpërdorim të detyrës”. Para gjyqtares së gatshme, Elbana Lluri, dy policët e arrestuar kanë mohuar akuzën e ngritur ndaj tyre. Burime brenda sallës bënë me dije, se policët janë distancuar nga ngjarja.

“Nuk kemi asnjë lidhje me arratinë e Arkimed Lushës”, mësohet të jenë shprehur të dyshuarit. Sipas tyre, i vetmi veprim që kanë bërë ka qenë ndalimi i këngëtarit. “Në vetëm e kemi ndaluar dhe kanë qenë kolegë të tjerë që e kanë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë Nr.3”, janë shprehur policët. Nga kafazi i hekurt punonjësit e policisë kanë rrëfyer se në ambientet e komisariatit kanë qëndruar vetëm për kryerjen e veprimeve procedurale. “Pasi kemi përpiluar dokumentacionin përkatës të rastit, procesverbalet e ndalimit dhe të shoqërimit, e kemi lënë personin e ndaluar në dispozicion të oficerit të Policisë Gjyqësore, Mark Gjonpalaj dhe jemi larguar. Nuk kemi qenë aty në momentin që është arratisur. Ngjarjen e kemi mësuar rreth 7-8 orë më vonë”, kanë pretenduar policët.

I njëjti fakt është pretenduar dhe nga avokatët e tyre. Mbrojtësi i të dyshuarit Dybeli, avokati Besmir Ndrukaj, i ka kërkuar gjykatës deklarimin e paligjshëm të arrestimit të klientit të tij dhe moscaktimin e asnjë mase sigurie. “Fakti penal nuk ekziston, klienti i përfaqësuar prej meje nuk ka qenë në ambientet e Komisariatit në kohën që ka ndodhur ngjarja”, mësohet të jetë shprehur avokati Ndrukaj.

Pasi është njohur me kërkesat e avokatëve dhe të përfaqësuesit të akuzës, gjykata ka vendosur vlerë- simin e ligjshëm të arrestit të dy policëve rrugorë dhe caktimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj tyre.  

Policët

1. SAIMIR CINGA 39 vjeç, me detyrë ndihmësspecialist për Linjat Interurbane në Qarkullimin Rrugor, Tiranë
2. BASHKIM DYBELI 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit, Tiranë
3. MARK GJONPALAJ46 vjeç, oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor, Tiranë.


Zbardhet dëshmia e tre policëve të arrestuar: “Testimin ia bënë në komisariat, drejtoi mjetin nën efekt alkooli”

Në përballjen e parë me shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, këngëtari i njohur Stresi ka kundërshtuar forcat e rendit dhe njëkohësisht ka refuzuar të bëjë testin e alkoolit. Kështu të paktën deklarojnë burimet zyrtare të Policisë në Tiranë.

Megjithatë në dëshminë që kanë dhënë gjatë marrjes në pyetje, tre oficerët rrugorë të arrestuar, të cilët të premten i vunë prangat këngëtarit, kanë deklaruar se sjellja e 27- vjeçarit në momentin e ndalimit ishte e dyshimtë dhe për këtë kishin këmbëngulur që t’i bëhej testi i alkoolit.
Sipas dëshmisë së dhënë nga efektivat e Policisë Rrugore, kryerja e testit ishte formale dhe për të provuar faktin që ai kishte konsumuar alkool, pasi ky fakt ishte i dukshëm me sy të lirë.

Duke qenë se drejtuesi i mjetit ka refuzuar që ky formalitet të bëhej në vendin ku ishte ndaluar me makinë, sipas Policisë, Arkimed Lushaj është shoqëruar për t’u marrë në pyetje në Komisariatin Nr.3. Ai është vendosur në një dhomë të posaçme që i është vënë për përdorim Policisë Rrugore për personat që ndalohen në territorin e mbuluar nga Komisariati Nr.3.

Aty këngëtari i është nënshtruar edhe provës së testit të alkoolit, dhe sipas policëve ka rezultuar me 0.6 për qind mbi kufirin ku ndahet heqja e patentës me arrestimin.

Sipas Kodit Rrugor, nëse testi shënon nga 0.3 deri në 0.5 për qind alkool, drejtuesit të mjetit i hiqet patenta. Por nëse masa e kalon 0.5 për qindëshin, kryhet arrestimi në flagrancë. “Prova e testit për Stresin rezultoi me 1.1 për qind alkool”, kanë thënë efektivat e Policisë.

Oficerët që bënë arrestimin e këngëtarit janë marrë në pyetje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm menjëherë pas arratisjes së ndodhur në Komisariatin Nr.3 të Policisë në kryeqytet. Ministria e Brendshme filloi hetimet në lidhje me shkeljen e mundshme të procedurave të sigurisë gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje të këngëtarit 27-vjeçar që ishte ndaluar teksa drejtonte një makinë “Benz” nga zona e Laprakës në drejtim të qendrës së Tiranës.

Një tjetër element i dëshmuar nga efektivat e policisë ka qenë mungesa e patentës së drejtuesit të mjetit. Veç testit të alkoolit, policët i kanë kërkuar këngëtarit edhe patentën, por ai nuk ua ka dhënë një dokument të tillë. Në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”, Stresi ka thënë dje se lejen e drejtimit nuk e ka pasur me vete në momentin kur është ndaluar nga ana e Policisë Rrugore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura