Strategjia e re e komunikimit të KLSH-së

Nov 19, 2017 | 13:00
SHPËRNDAJE

IRENA ISLAMI

Ndryshimi në drejtimin e institucionit, në dhjetor 2011, solli transformime të rëndësishme në filozofinë e menaxhimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), si dhe të raportit të institucionit me palët e interesit në përmbushjen e misionit të tij kushtetues. Kryetari i ri i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, theksonte në fundvitin e 2011 se, “Do të realizojmë përmirësimin e transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe me organizatat jofitimprurëse që luftojnë korrupsionin”.

Kontrolli i Lartë i Shtetit
Kontrolli i Lartë i Shtetit

Gjatë viteve 2012-2017, institucioni në përmbushje të objektivit për rritjen e transparencës është zhvilluar në disa dimensione. Kështu, krahas rritjes së kanaleve të komunikimit me publikun, përmirësoi përmbajtjen dhe cilësinë e mesazheve në njoftimet e tij për shtyp.

Njoftimet për shtyp kanë qenë dhe janë përcjellësi kryesor i mesazheve publike të institucionit. Institucioni ka konsideruar median e shkruar dhe audiovizive si partnerin kryesor në realizimin e misionit të tij si “watchdog’-u për miradministrimin e fondeve dhe pasurisë publike, si dhe për të forcuar luftën ndaj korrupsionit.

Ky partneritet ka qenë real dhe që në analizën vjetore të KLSH-së, të zhvilluar në janar 2012 dhe më tej rregullisht çdo vit, mediat dhe përfaqësuesit më në zë të organizatave joqeveritare që luftojnë korrupsionin janë ftuar të marrin pjesë dhe të diskutojnë në analizat në nivel departamenti auditimi dhe në analizën e përgjithshme të KLSH. KLSH zgjodhi një qasje origjinale dhe të drejtpërdrejtë, komunikimin me qytetarin nëpërmjet shkrimeve, editorialeve, analizave, profileve dhe eseve në shtypin e përditshëm.

Një vlerë e shtuar e KLSH-së, të pesë viteve të fundit (2012-2016) në fushën e komunikimit dhe të transparencës së institucionit, është kolona e botimeve të tij, e cila ka arritur në fund të vitit, muajit tetor 2017, në 78 tituj, nga vetëm 12 botime modeste të periudhës 1992-2011. Një tjetër dimension i rëndësishëm është komunikimi me Parlamentin.

Qysh prej vitit 2012, KLSH i ka kushtuar një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Parlamentin duke e konturuar këtë raport në shinat e forcimit të llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes. Vullneti për thellimin e bashkëpunimit ka qenë reciprok sepse edhe Kuvendi ka treguar një vëmendje të veçantë në raport me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Një përmasë tjetër e promovimit dhe forcimit të komunikimit në KLSH, që ka theksuar dhe garantuar profilin e fituar profesional të institucionit, është organizimi për herë të parë i konferencave shkencore, për nxitjen e mendimit të përparuar shkencor për çështje të sotme të auditimit publik dhe të financave publike, duke realizuar pesë konferenca shkencore në pesë vite. KLSH ka institucionalizuar marrëdhënien individ-libër, duke e kaluar në një instancë më të lartë, mes institucionit dhe librit. KLSH në pesë vite e gjysmë (2012-2017) ka një kolanë botimesh prej 78 titujsh. Kolana e botimeve, e cila pasurohet nga viti në vit, pasqyron çdo kronikë të reformave që ka nisur KLSH për të modernizuar institucionin drejt parametrave të SAI-ve europiane.

Partneriteti me shoqërinë civile dhe mediat ka filluar të institucionalizohet në vitin 2012 nëpërmjet marrëveshjeve të nënshkruara nga Kryetari i KLSH me disa OJF, ndër më aktivet në luftën kundër korrupsionit dhe për më shumë transparencë në qeverisje.

Ky partneritet është zgjeruar dhe shpalosur fort përgjatë viteve 2013-2017, duke kulmuar në aktivitete të përbashkëta, mini peer review për institucionin, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga shoqëria civile, si dhe në pjesëmarrjen e shumë ekspertëve të organizatave joqeveritare në auditime të KLSH-së. Ai do të vijojë të jetë pjesë e zhvillimeve strategjike të institucionit për vitet 2017-2019, duke sjellë një rol të shtuar të shoqërisë civile në rritjen e transparencës dhe komunikimit të KLSH, si dhe në monitorimin dhe vlerësimin e punës së tij. Deri tani, KLSH ka nënshkruar 27 marrëveshje bashkëpunimi me OJF.

KLSH është anëtar i INTOSAI-t që nga viti 1984 dhe anëtarësimi në këtë organizatë, shtron detyra për të respektuar standardet e saj, duke i zhvilluar ato në përputhje me kushtet e vendit tonë. KLSH është gjithashtu anëtar i EUROSAI-t, organizatës europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit. Vitet 2012-2017 njohën pjesëmarrje të gjerë të institucionit në kongreset, konferencat, seminaret dhe takimet e punës të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.

Përveç kësaj, KLSH, nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe me SAI-t partnere në Europë (janë nënshkruar 15 marrëveshje bashkëpunimi), ka realizuar trajnime intensive të stafit të saj, duke rritur kapacitetet audituese dhe bashkëpunuar sidomos në dy vitet e fundit, në kryerjen e auditimeve paralele dhe të përbashkëta të performancës me SAI europiane të zhvilluara dhe me SAI-t e rajonit. Me gjithë arritjet e viteve të fundit, ne jemi të vetëdijshëm që të shndërrohesh në një zë publik, duhet të kesh një strategji të qartë për komunikimin dhe marrëdhëniet me qytetarin, dhe KLSH, në bashkëpunim me partnerët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë, ka hartuar dhe ka miratuar “Strategjinë e Komunikimit 2017- 2019”. Sigurimi i komunikimit të efektshëm me qytetarin dhe publikun është një prej sfidave më të mëdha dhe më emergjente, me të cilat përballen sot SAI-t dhe për të siguruar efektshmërinë e politikës së komunikimit që është maksimizimi i vlefshmërisë së raporteve të auditimit dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit, KLSH ka përcaktuar në strategjinë e tij të komunikimit 2017-2019, gjashtë objektiva strategjikë:

1. Rritja e profilit publik të KLSH-së dhe e të kuptuarit të misionit, vizionit dhe rolit të tij në shoqëri, për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucioni.

2. Shtimi i mjeteve të komunikimit të jashtëm të KLSH-së me qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit me qëllim rritjen e nivelit të ndërgjegjë- simit të publikut.

3. Promovimi i rezultateve të auditimit të KLSH për të transmetuar tek opinioni publik rezultatet dhe dobitë e institucionit në përmirësimin e qeverisjes, përmes luftës kundër korrupsionit.

4. Shtimi i komunikimit dhe ndërveprimit të KLSH-së me qytetarin, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në aktivitetet dhe tryezat e rrumbullakëta.

5. Konsolidimi i pjesëmarrjes së audituesve në opinion-dhënien në median e shkruar dhe kalimi gradual drejt dhënies së opinionit në emisionet televizive.

6. Rritja e komunikimit të brendshëm në institucion dhe e shkëmbimit të informacionit mes drejtorive dhe departamenteve të auditimit. KLSH ka përgatitur edhe Planin e Veprimit për implementimin e strategjisë, por në këtë shkrim do të doja të ndalesha në realizimin e Muajit të Hapur të KLSH-së, në datat 6 nëntor-11 dhjetor, i cili realizohet në zbatim të kësaj strategjie dhe konkretisht të objektivit nr.4, “Shtimi i komunikimit dhe ndërveprimit të KLSH-së me qytetarin, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në aktivitetet dhe tryezat e rrumbullakëta”.

Gjatë këtij muaji, qytetarët do të kenë mundësinë të vizitojnë mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit (çdo ditë nga ora 08:00-16:00) dhe do të mund të njihen me historikun dhe arritjet e institucionit në 92 vitet e ekzistencës se tij nëpërmjet mini-muzeut në korridorin qendror të KLSH, do të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, për të marrë të gjithë informacionin që ata do të dëshirojnë të kenë, përfshirë edhe auditimet në proces. Gjatë muajit të hapur janë planifikuar të zhvillohen 49 aktivitete të ndryshme, si takime mes departamenteve të ndryshme të auditimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave; takime me gazetarë; prezantime të botimeve të KLSH-së nga auditues të rinj; pjesëmarrje në Panairin e librit 2017; takime me deputetë të Komisionit të Ekonomisë; takim me ish-kryetarët e KLSH-së në vite; prezantimi i Rregullores së Re të KLSH; prezantimi i kolanës së botimeve të KLSH-së në qytete të ndryshme të Shqipërisë; takime dhe leksione me akademikë, profesorë, filozofë të fushave të ndryshme; prezantim i draft-strategjisë së KLSH-së për periudhën 2018-2022; leksione nga kolegë të SAIve partnere, prezantimi i buxhetit faktik për vitin 2016; promovime librash që kanë interes për KLSH; aktivitete kulturore, promovimi i pjesëmarrjes së KLSH-së në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, në dy vitet e fundit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave; pjesëmarrje në kongresin dhe ekspozitën rajonale “Zgjidhja e mbetjeve të ngurta, të lëngëta dhe të gazta”, etj. Java e parë e Muajit të Hapur ka përfunduar dhe është ndjekur me kureshtje dhe interes nga qytetarët. KLSH aspiron të realizojë nëpërmjet aktiviteteve të Muajit të Hapur, një politikë komunikimi sa më të efektshme, pasi ajo luan një rol kyç në funksionimin e institucionit dhe përmbushjen e misionit të tij. Cilësia e politikës së komunikimit të institucionit përcakton mënyrën e perceptimit të KLSH-së nga palët e interesit. Kjo është veçanërisht thelbësore kur bëhet fjalë për transparencën dhe besimin e publikut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura