Statistikat e botimeve letrare/ Viti 2014, erotikë tej provokimit e kritikë autorëve të panjohur

Apr 23, 2015 | 23:39
SHPËRNDAJE

Dhurata Shehri

NGA DHURATA SHEHRI  

Gjatë vitit 2014, sipas të dhënave të Bibliotekës Kombëtare, në Shqipëri janë botuar 954 libra letrarë, të ndarë në këtë mënyrë sipas gjinive: 329 poezi, 303 romane; 93 tregime dhe novela; 73 përralla; 43 fabula, 35 kritika letrare. Si në vitin e shkuar, edhe në vitin 2014 titujt në prozë i kalojnë në numër ata poetikë. Botimet nga autorët shqiptarë mbeten dominues edhe këtë vit me 627 tituj, nga 954 gjithsej, pra gati 66%. Kategorizimi i brendshëm i letërsisë shqipe në gjini, ku 271 janë vëllime me poezi; 137 romane, 70 tregime dhe novela, pjesa tjetër kritika, drama, ese, shumë kujtime, biografi etj., e përmbys raportin total, ku proza dominonte mbi poezinë. Edhe këtë vit, në botimet e letërsisë shqipe, poezia zë 43%. Letërsitë e përkthyera përfaqësohen në këto shifra: 47 letërsi amerikane; 44 letërsi italiane; 38 letërsi angleze; 35 letërsi franceze; 26 letërsi gjermane; 20 letërsi turke etj. Ndërsa letërsia për fëmijë përfaqësohet nga 159 tituj, prej të cilëve autorët shqiptarë kanë botuar 42 tituj, 13 prej tyre poezi. Shtëpitë botuese me më shumë tituj janë Ada me 68 tituj; Albas 47 tituj; Toena 47 tituj; Dudaj 36 tituj; Edlora 31 tituj; Geer 31 tituj; Emal 28 tituj; Fan Noli 24; Pegi 21 tituj; Muzgu 21; Onufri 20 tituj; Uegen 18 tituj; Botart 14; Jolanda 14; Ombra GVG 14 tituj; Dituria 11 tituj; UET Press 5 etj.
Kombinimi i të dhënave statistikore me titujt e botuar prej shtëpive botuese zbulon se kreun e statistikave e zë një shtëpi botuese e “specializuar” në letërsinë shqipe bashkëkohore. Harta e botimeve edhe këtë vit ka një pamje të ngjashme me atë të viteve paraardhëse: në Tiranë janë botuar 751 tituj; në Durrës 33 tituj; në Shkodër 29 tituj; në Vlorë 24 tituj; në Sarandë 20; në Fier 14 etj. Autorët më të botuar në Shqipëri, kësaj here, nuk janë shqiptarë. Autorët e letërsisë për fëmijë Christian Tielmann dhe Hale Gürgül Canat kanë botuar nga 10 libra dhe vetëm një më pak autori shqiptar i letërsisë për fëmijë, Ferit Lamaj, me 9 libra me fabula. Daniele Steel vazhdon të njohë sukses në shitje, duke botuar edhe këtë vit 9 tituj. Nga klasikët, Mark Twain përfaqësohet me 5 botime, ndër të cilat 4 përkthime të ndryshme; Agron Corati dhe Moikom Zeqo kanë botuar nga 4 tituj, por Zeqo ka shumëllojshmëri zhanrore, pasi ka botuar prozë dhe poezi, studime letrare dhe letërsi për fëmijë, madje edhe përkthime. Mund të flasim për autorët më të botuar, por e kemi të pamundur të përcaktojmë suksesin editorial, pasi edhe këtë vit të gjitha botimet letrare në Shqipëri janë botuar pa tirazh, madje 92 prej tyre janë botuar edhe pa çmim.

Në Kosovë, në 2014 janë botuar 271 tituj letrarë të ndarë si më poshtë: letërsi e përkthyer vetëm 6 tituj, letërsi shqipe 265 tituj të klasifikueshëm në këto kategori: poezi 137 tituj; prozë 53; kritikë 18; drama 15; letërsi për fëmijë 42.
Nga këto, 180 janë botuar në Prishtinë, 28 në Prizren, 25 në Kastriot, 17 në Gjilan, 4 në Pejë etj. Shtëpitë botuese me më shumë tituj janë “Fahri Fazliu” me 25 tituj (24 prej të cilëve janë të Adem Zaplluzhës); “Faik Konica” 22 tituj etj. Adem Zaplluzha kryeson edhe këtë vit në Kosovë, duke thyer edhe rekordin personal me 24 libra të botuar (8 libra në vitin 2013 dhe 15 në vitin 2012), të gjitha vëllime me poezi. Përtej shifrave, panorama e botimeve letrare na përvijon disa prirje domethënëse për procesin letrar. Në vitin 2014, duke e krahasuar me vitet paraardhëse, vërehet ulja e numrit të botimeve nga autorët klasikë të letërsisë shqipe. Zhurma e 200-vjetorit të lindjes së De Radës solli për herë të parë botimin kritik të plotë të veprës së tij letrare, por përveç kolanës së De Radës, janë botuar vetëm nga një vepër prej Çajupit, Kutelit dhe Bilal Xhaferit.

Ndërsa në Kosovë janë botuar vetëm Gavril Dara, Pashko Vasa e Pashku. Konsumatorët më të mëdhenj të kësaj literature janë “shkollarët” dhe pakësimi i botimeve mund të lidhet me pakësimin e leximeve “të detyruara” shkollore (hamendësojmë se veprat e letërsisë më shumë përfliten, sesa lexohen në shkollë). Ndonëse si numër veprat e autorëve klasikë janë në rënie në krahasim me autorët bashkëkohorë nga viti në vit, edhe në 2014 janë botuar vepra të rëndësishme të literaturës botërore nga Shekspir, Dikens, Virginia Woolf, David Lowrence, Jane Austen, Aleksandër Dyma, Balzak, Mopasan, Molier, Sartri, Anatol France, Simone De Beauvoir, Sadi, Rumi, Stendal, Sweig, Hugo, Corneille, Shiler, Kafka, Eskili dhe Sofokliu, Herodoti, Dostojevski, Cehov (jo në rend kronologjik a rëndësor). Nga viti në vit, po thellohet dukuria e ripërkthimit të klasikëve. Klasikët modernë prihen nga Kundera me “Mosdijen” dhe Witold Gombrowicz me “Ferdydurke” (dy të ngjashëm për nga forma e shkrimit, i pari ndikuar prej të dytit), që dalin njëkohësisht në shqip, poezitë e Pessoa dhe të Lucian Blaga, “Udhëtimi nëpër Itali, Egjipt, Sinai dhe Jerusalem….” i Kazanzaqisit, “Burri i saj” i Pirandelo-s, antiutopia e Evgenij Zamatin, “Mobi Dik” i Herman Melville, “Poezi të zgjedhura” nga Paul Claudel, “Si një roman” i Daniel Pennac. Përveç përkthimeve të Kunderës, Zamiatin- it, Melville-it e Pirandelos në prozë, shkëlqejnë përkthimet e poezisë së Claudel-it, Elitis-it dhe Blaga-s.
Nëse numri i klasikëve vjen në rënie, rritet numri i veprave të letërsisë bashkëkohore botërore. Autorë me sukses editorial të letërsisë bashkëkohore amerikane, angleze, franceze, italiane, etj., autorë të rinj në moshë, përgjithësisht prezantohen me veprat e tyre më të njohura, por ka raste kur botohen edhe për herë të dytë dhe të tretë në shqip. Dallojnë Ana Gavalda, Julia Navarro, Carlos Ruiz Zafon, Donna Tartt, Linda Hogan (poezi), Anna Godbersen, Lesley Naa Norle Lokko, Markus Zusak, Salman Rushdie, Anna Kim, Alexandre Jardin, Gregoire Delacourt, Jean-Luis Fournier, Guido Zavanone (poezi), Alda Merini (poezi), Emanuele Trevi, Margaret Mazzantini. Në këtë listë përfshihen edhe autorë fitues çmimesh të rëndësishme, por nobelistët e rinj pothuajse mungojnë, botohet vetëm Mo Yan me romanin “Ndryshime”. Përkthimi i poezisë bashkëkohore (Hogan, Merini, Zavanone etj.) ndihet si prirje e re e këtij viti. Letërsia ballkanike edhe këtë vit është e ndjeshme në botimet shqiptare, përkthyer nga origjinali me autorë si Andrej Nikolaidis (“Bir”), Vasilis Guroyianis (“Këputja lulëzon”) dhe disa autorë të tjerë të letërsisë bashkëkohore greke, autorët turq si Sabahattin Ali (“Mulliri”), Orhan Kemal (“Krimineli”). Letërsia turke nga viti në vit po bëhet gjithnjë e më e pranishme në botimet shqiptare, shifrat flasin për numrin më të madh të botimeve nga vendet ballkanike. Kategoria best seller i shfaq “klasikët” e vet edhe këtë vit: Danielle Steel, Douglas Kennedy, Veronica Roth, Johen Green, por edhe Kami Garcia, Erica Jong, Vanessa Diffenbaugh, Gayle Forman, Adele Parks, Graeme Simsion, Liane Moriarty, Massimo Gramellini, Jan Mehlum etj. Letërsia për fëmijë është përmbytur nga autorët e huaj, të ndarë në dy kategori: pjesa më e madhe autorë bashkëkohorë, amerikanë, anglezë, gjermanë, italianë, turq, të përkthyer gati në kohë reale, pasi librat e tyre janë bërë të suksesshëm në pjesën më të madhe këto 10 vitet e fundit, por edhe “klasikët” e letërsisë botërore: “Pinoku”, “Hirushja”, “Tom Sojer”, “Udhëtimet e Guliverit” etj.

Nga autorët shqiptarë, dominojnë fabulat si gjini. Romani i dytë fantastik i një 15-vjeçareje, Enisa Adil, “Lotus”, në skajin tjetër ka botimin e një autori “të hershëm” të letërsisë për të vegjël, Gaqo Bushaka, me “Rrëfenja nga pylli i majmunëve”. Autorët e rinj në moshë e të mirëshkolluar të letërsisë botërore, si dukuri editoriale, shoqërohen vetëm me pak shembuj të ngjashëm ndër autorët shqiptarë të letërsisë për fëmijë. Vepra të autorëve shqiptarë që vlen të dallohen këtë vit, janë ato nga Kadare, Keko, Tufa (ese), Virjon Graçi, Zija Çela, Mustafai (ese), Rita Petro (poezi erotike), Albatros Rexhaj, Lisandri Kola, Gazmend Krasniqi, Arben Dedja, Lazër Stani, Marku (Rudolf) (ese) dhe Marku (Arta), përmbledhja prej katër vëllimesh e gjithë krijimtarisë poetike të Fatos Arapit, poezitë e Sokol Zekës. Dallohen këto prirje: zgjerimi i konceptit “letërsi” deri tek eseja te disa autorë që njihen më shumë si poetë e prozatorë; zgjerimi i hapësirës së shkrimit erotik përtej provokimit; zhurma në media për disa botime zhgënjyese. Në kategorinë e kritikës, interpretimit dhe studimeve letrare thellohet një prirje që është ndier edhe më herët, studimet mbi autorë më pak të njohur se studiuesit e tyre. Disa nga veprat që mëtojnë ta mbajnë në këmbë këtë prirje janë: “Hysen Zeqo dhe vëllezërit e tij”, “Momenti i së vërtetës në krijimtarinë letrare të Vangjel Zafiratit”, “Adresa e poetit: poezia e Nase Janit dhe “Çmendina”, një roman ndryshe”, “Takim me Col Cufin: kujtime dhe mbresa”.
Përveç disa përsiatjeve kritike, për herë të parë shfaqet edhe një kategori e re estetike në studimin “E veçanta si njësi estetike”. Në kategorisë e kritikës, interpretimit dhe studimeve këtë vit janë botuar edhe vepra që nisin nga historia (A. Xhiku) për të mbërritur tek analizat e përimtuara tekstore (V. Osja, V. Isufaj, V. Marku) për autorët e traditës dhe të bashkëkohësisë. Toposet banale të poezisë shqipe nuk mungojnë edhe këtë vit duke filluar nga: Shpirti, përfaqësuar nga këto vepra: “Çelësi i shpirtit”, “Udhëve të shpirtit”, “Qielli i shpirtit tim”, “Ditari i shpirtit”, “Trokitje shpirti”, “Jam shpirt i lirë” etj. Dashuria, përfaqësuar nga këto vepra: “Ankth dashurie”, “Klithmë për dashurinë”, “Jeta ndryshon vetëm me dashuri”, “Dridhma dashurie”, “Fytyrë e dashurisë”, “Mall dhe dashuri”, “Tempulli i dashurisë”, “Udhëtoj mes dashurive”, “Eh, si qenka dashuria” (është titull, dhe jo pasthirrmë e autores së këtij shkrimi). Ndërsa vëllimet “Rojtari i zemrës”, “Të pyesësh zemrën”, “Beso te zemra jote”, “Thuaji zemrës”, “Mjaft më tha loti” (edhe ne bashkë me lotin) mund të grupohet përmes një procedimi metonimik në kategorinë e mësipërme. Ëndrra: që këtë vit ka rënie në sasi, por jo në “cilësi”, përfaqësohet me: “Përtej ëndrrës”, “Zgjimi i ëndrrave”, “Arratia e ëndrrës” etj.
Poezitë me urdhërore: “Eja nënë”, “Më thuaj diçka të bukur”, “Eja më buzëqesh”, “Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë”, “Lërmëni të lirë” etj.

Poezi me topos qiellor: “Me yjet flas” (ku termi yjet është polisemik), “Krenari që sfidon yjtë”, “Ylbere të këputur”, “Në krahë engjëjsh dua të dremis”, “Lot engjëjsh”, “Dënesa në qiell”, etj.
Toposi i vendlindjes, i vështruar nga larg, afër: “Fllad i vendlindjes”, “Mëmëdheu im në qerpik dielli”, “Palcë e kombit tim”, “Shqipërisë”, “Me atlaset e kombit”, “Po vjen Shqipëria”, “Në Kanada: përshkrime, ngjarje, histori”, i ngjashëm me të edhe “Jetë, punë, familje”, “Ditët e javës së emigrantes”, “Mes Austrisë dhe Shqipërisë jam unë”, “Rrëfej jetën time: ditar i një emigranti”, “Gostivari në zemrën time”, “Myzeqeja flet”, “Origjina e fshatit Dukaj”, “Çamëri zemra ime”, “Divjaka ime”, “Bota ime” (që paraqet më së miri relacionet mes lokales dhe globales). Topose të ngjashme shfaqen edhe në poezinë shqipe të botuar në Kosovë që, më mirë se ne i përmbledh titulli i një vëllimi “Për dëshmorët dhe për dashurinë: poezi”. Poetika e shiut, pak më e tharë këtë vit në poezitë shqipe të botuara në Shqipëri (ndoshta për shkak të përmbytjeve) mbijeton në letërsinë e botuar në Kosovë. Ndjenja të përziera, por jo konfuze: “Melodi trishtimi”, “Mbi krahë emocionesh”, “Dritëhijet e jetës”, “Shekulli i lotuar”, “Poezia m’i solli pranë sytë e tu”, “Plagë shtegtimi”, “Vesë mëngjesi”, “Të prisja” (që përmbledh në një fjalë gjithë zhvillimet e mësipërme), “Krihem në sytë e tu”, “Blerim paçi në zemra”, “Ndryshe nga dje”, “Ta çmend heshtjen” (bashkë me ne), “Në emër të Zotit” që është në listë pranë me “Kohë me djallin”, “Nostalgji, bukuri të brishta” (hajkut që nuk mund të mungonin). E përfaqëson kategorinë bashkë me “Thirrjet e gjakut” (hajku) dhe në Kosovë me “777 [Shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë] Haiku: shtigjeve të shpirtit. Vijojmë me “Ekonomia e ndjenjës”, “Stinët e mia”, “Art, sport, letërsi” (një libër që çuditërisht nuk është financuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit), “Shkëndijat” (për të cilin jemi të mëdyshur ta klasifikojmë në toposin qiellor apo tokësor), “Njerëz të thjeshtë (që nuk mund të kishte vazhdim tjetër përveçse) me shpirt të madh”, “Ju përfalem” (që me pa të drejtë kategorizohet si publicistikë), “Koha e uritur”, “Klithma fryme”, “Xhelozia mbiemër i mendjes”, “Absurditet apo…: poezi” (nuk jemi shumë të qartë për saktësinë e shenjave të pikësimit), “Dhe më pas”, “Mirë se ju gjej” (dhe neve s’na mbetet t’i themi vetëm mirëserdhe), “Vrullimi i flakës” (ku flaka mund të jetë ose jo metaforë), “Nuk të dua, por puthmë”, e cila është pranë e pranë me vëllimin tjetër me poezi “Heroizëm”, “Ku flet veç e vërteta”, “Mirëmëngjes demokraci”, “Mendime të arnuara”, “Rri e qetë nëse mundesh” (e nëse jo??? autori mund ta provojë vitin tjetër me prozë), “Ku po vemi” (sepse nuk mund të mungojë as pyetja dhe as forma e rubariave me të cilën shprehet kjo pyetje), “Lodroj ndër mbresa”, “Jehona e zërit tim”, “ Kur ti vjen”, “Jetë kuturu”, që e shpreh më qartë gjendjen e këtij grupimi.

Seria e antologjive poetike: për muzgun (nga shtëpia botuese “Muzgu”), e cila nuk ka botuar prozat në muzg me titullin “Portat pa epilog”, as vëllimin “Erë muzgu” dhe as “Myshku i muzgut”; antologjitë për nënën, për dashurinë, për udhën, për fëmijërinë, si dhe “Antologji poetike me temë të lirë” (nga e njëjta shtëpi botuese). Në të njëjtën kategori, për fat të keq përfshihet edhe antologjia “Mozaik ndjenjash”, ku e re është vetëm mosha e autorëve. Në fund, konkursi për titullin më të mirë mbetet i hapur mes “Hingëllima uni”, i botuar në Shqipëri dhe “Kur era teshtin” dhe “Mbi flokët e ullukëve” të botuar në Kosovë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura