U bë meme kur u përmbyt nga uji, stadiumi i Përmetit tani është vend gërmimesh për varre greke. Kapiteni: U habitëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 20:52

U bë meme kur u përmbyt nga uji, stadiumi i Përmetit tani është vend gërmimesh për varre greke. Kapiteni: U habitëm

Përmeti rikthehet në skenë, por jo për… futboll. Pas pamjeve skandaloze që ofroi stadiumi në ndeshjen kundër Labërisë (e kthyer në pishinë dhe e zaptuar nga balta), tashmë merr vëmendje prej gërmimeve që kanë nisur në aneksin e stadiumit. Autoritetet greke po punojnë për të hapur një tjetër varrezë masive, ku dyshohet se gjenden eshtrat e ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke (në Luftën e Dytë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1940-1941).

kerkime varre

VENDIMI – Komisioni i përbashkët greko-shqiptar ka urdhëruar hapjen e një parcele të pozicionuar përbri stadiumit të qytetit të Përmetit. Kërkimet nisën të hënën dhe parashikohet të shtrihen në një sipërfaqe 80×40 metra. Të pranishëm ishin përfaqësues nga trupi diplomatik grek i akredituar në Tiranë, si edhe ata nga Prefektura e Gjirokastrës. Mendohet se në këtë parcelë janë varrosur 100 trupa, për të mos thënë më shumë.

Çështja është që në këtë fushë stërviten ekipet e moshave të Përmetit, konkretisht ato U-13 dhe U-15. Nëse në bashki mund të kenë pasur dijeni për gërmimet, në klub nuk kanë qenë fare të informuar. Duke qenë se gërmimet janë pranë shkallëve të stadiumit, rrezikohet edhe rrëzimi i tyre dhe janë vetë lojtarët që bëjnë apel që të merren masa.

permeti stadiumi

KAPITENI – Është Erald Karalliu që flet për “Panorama Sport” për këtë histori. Kapiteni i skuadrës sqaron se kishin dijeni për nisjen e gërmimeve, por nuk dinin që ato do të kryheshin në aneksin e stadiumit. Ai rrëfen se u habitën kur mësuan se çfarë po ndodhte. “Kemi qenë në dijeni se do bëheshin gërmime afër stadiumit, por jo aq afër. Sot (dje) po shkonim në stërvitje dhe pamë që një pjesë e aneksit ishte rrethuar dhe kishin nisur punën punonjës të bashkisë. U habitëm në fakt, pasi nuk e prisnim që të gërmohej pikërisht në aneks dhe në pjesën e pasme të shkallëve. U interesuam dhe na thanë se kanë marrë leje nga qeveria dhe pushteti lokal”, përfundoi Karalliu.

ROLAND SULI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE
VIDEO/ Gazi i botës, stadiumet shqiptare bëhen meme në faqet e njohura ndërkombëtare
VIDEO/ Kushtet skandaloze të futbollit shqiptar, trajneri i Përmetit: Turp që bëri xhiron e botës!
Labëria e merr me humor ndeshjen në stadiumin e përmbytur: I lutemi Zotit për pak diell
Turpi në Përmet, flet kapiteni: Zero ndihmë nga FSHF, Bashkia e pafuqishme. Ne nuk na pyeti askush

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"