VIDEO/ Kushtet skandaloze të futbollit shqiptar, trajneri i Përmetit: Turp që bëri xhiron e botës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2021 | 10:13

VIDEO/ Kushtet skandaloze të futbollit shqiptar, trajneri i Përmetit: Turp që bëri xhiron e botës!

Kushtet skandaloze të zhvillimit të ndeshjeve në fundjavën e kaluar në Kategorinë e Dytë, të denoncuara nga “Panorama Sport”, kanë përfunduar tashmë në një jehonë ndërkombëtare, ku natyrisht nuk mungojnë talljet në faqet më të njohura sportive në botë.

FUSHA

Shkas është bërë ndeshja e luajtur të dielën (28 nëntor) në stadiumin “Durim Qypi” të Përmetit mes ekipit vendës dhe Labërisë, e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Dytë.

Fusha i ngjante një pishine dhe natyrisht ishte e pamundur që të luhej futboll. Një nga faqet më të ndjekura sportive në rang botëror në rrjetet sociale, “433”, ka publikuar pamjet e ndeshjes në Përmet, të marrë nga uebsajti zyrtar i Labërisë.

“Fusha duket e mrekullueshme, le të luajmë!”, shkruante “433” në “Instagram”, duke i bërë reklamë edhe klubit të Labërisë, që kishte filmuar takimin.

REAGIMI I TRAJNERIT

Videot e bëra tashmë virale në internet, natyrisht që kanë mërzitur opinionin sportiv të një qyteti të bukur si Përmeti. Vetë trajneri i kësaj skuadre, Kleo Sevo, në një bisedë për “Panorama Sport” tregon si është përjetuar ky fakt, në një kohë që pranon se takimi nuk mund të luhej.

“Prononcimin tim për gazetën dua ta nis me një falje publike për sportdashësit përmetarë. Turp i madh për atë se ku luan skuadra e tyre. Kjo nuk është për fajin tonë. Jam 60 vjeç dhe jetën time ia kam dedikuar futbollit, pasi për 26 vite kam luajtur dhe në dekadën e fundit jam në drejtim të moshave dhe ekipit të parë. Në stadiumin tonë, që prej vitit 1980 nuk është bërë asnjë investim sa i përket tapetit të fushës.

E vetmja ndërhyrje është bërë para 20 viteve ku u vu dorë në disa kanale anësore dhe shumë pak brenda fushe. Por, kjo shumë shpejt u bë e pavlefshme. Bashkia dhe ne si drejtues kemi tentuar të bisedojmë me FSHF-në për të bërë të mundur ndërhyrjen në fushë. Na është premtuar se do të bëhen investime, por asgjë konkrete deri tani.

Kulmi arriti në ndeshjen me Labërinë, kur gjyqtari dhe delegati vendosën që ndeshja të luhej, pa marrë parasysh se fusha ishte e mbuluar 3-4 centimetra me ujë. Ishte totalisht e pamundur të luhej futboll, veçanërisht në pjesën e dytë, ku sasia e ujit erdhi në rritje. U kërkova gjyqtarëve të ndërprisnin takimin, por nuk e morën parasysh kërkesën time.

E njëjta gjë edhe me personat e dërguar nga FSHF-ja. Nuk e kuptova këtë qëndrim, pasi rregullorja e ka të përcaktuar qartë se, në raste të tilla, kur bëhet e pamundur të luhet normalisht, loja ndërpritet për t’u zhvilluar në një kohë të dytë. Por, kjo fushë edhe në mot të thatë është problematike.

Ne e kemi ngritur këtë problem në Bashkinë e Përmetit, por ata janë të pafuqishëm për të ndërhyrë. E vetmja shpresë për ne ka qenë federata”, tregon trajneri.

LEXO EDHE:

VIDEO/ Gazi i botës, stadiumet shqiptare bëhen meme në faqet e njohura ndërkombëtare

ROLAND SULI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"