“Si mundet t’i mbledhësh paratë me fshesë?”, Bano rrëfen javët e Kempes në Lushnjë: Njerëzit në rrugë i kërkonin lekët që u kishte marrë Xhaferri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2022 | 22:51

“Si mundet t’i mbledhësh paratë me fshesë?”, Bano rrëfen javët e Kempes në Lushnjë: Njerëzit në rrugë i kërkonin lekët që u kishte marrë Xhaferri

“Kampion i madh, profesionist i vërtetë, njeri i thjeshtë. Nuk patëm fat të qëndronte në Shqipëri”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Panorama Sport” nga Saranda legjenda lushnjare, Artan Bano. Sot ai është trajneri i Butrintit në Kategorinë e Parë.

bano

Bano, e kujtoni takimin e parë me Kempesin?
Lajmi se po vinte Kempes ishte përhapur në gjithë qytetin. Ishte errësuar. Në korridorin e stadiumit jemi takuar për herë të parë. Ishte i shoqëruar nga Kosta Grillo, menaxheri italian dhe Pëllumb Xhaferri. Të nesërmen erdhi përsëri, ishte fundi i stërvitjes. Vetëm 20 minuta, ndoqi një ndeshje kontrolli. Herën e tretë, në takimin me Albpetrolin, java e parafundit e kampionatit.

Po seancën e parë nën drejtimin e tij e mbani mend?
Ka qenë fillimi i janarit, ditë e diel, në stadium, se aty i bënim stërvitjet. Trajner Hasan Lika, përkthente. Shumë tifozë lushnjarë, bashkë me ata që udhëtonin për në Jug, të gjithë ndalonin para stadiumit për të parë Kempesin.

kempes 11

Sa e njihte skuadrën, lojtarët?
Ishte informuar për futbollistët, temperamentin, tipin, veset e tyre, kush pinte cigare dhe pije alkoolike. Në pak kohë sistemoi raportet me drejtuesit. Ua bëri të qartë se nuk pranonte ndërhyrje. Ua preu shkurt që në fillim. Kërkoi që lojtarët, stafi mjekësor të ishin 45 minuta përpara në stërvitje. Ndryshonte oraret e saj, nuk i pëlqenin ato fikse për t’i lënë kohë rikuperimit. Mbante shënime, sidomos vëllai i tij, Hugo, një përgatitës atletik, që për ne ishte risi.

Si e përgatiste ndeshjen?
Shumë profesionist për mënyrën e stërvitjes, ndonëse pak dinte si luanin skuadrat e për futbollin shqiptar. Në dhomat e zhveshjes në një tabelë dërrase bënte taktikë. Kishte parimin “Duhet të veprojë logjika e jo emocionet”. U befasua nga baza jonë materiale, e jashtëzakonshme. Skuadra kishte rreth 100 topa “Adidas”, kur një top kushtonte 110 dollarë. Në stërvitje përdornim 25 prej tyre. Çdo futbollist kishte topin me numrin e tij.

kempes lika

Kishte ndonjë lojtar të pëlqyer?
Që në stërvitjen e parë krijoi simpati për Ben Jahiqin, mesfushor organizator, elegant, luante bukur me topin, ndoshta edhe për nga flokët e gjata të tij. Skuadra i pëlqente, preferonte lojën e shpejtë e të fortë si latinët, me lojtarë agresivë e me karakter. Problem ishte gjendja e fushave, se aty luhej dhe stërviteshim. Ishte në kushte jocilësore, por nuk e bënte dramë. “Kemi kohë për gjithçka”, shprehej.

Vijnë takimet me Teutën, si u përgatitët?
Nuk u grumbulluam. Në takimin e parë na foli për anën psikologjike. Kërkoi që skuadra të mos komandohej nga emocionet e të mos ishte e varur e të ndikohej nga publiku. Kujtoj që stadiumi oshtinte, zhurma vinte deri në dhomat e zhveshjes. Ishte e pamundur të bënim analizë. “Janë 180 minuta, deri edhe penalltitë. Merreni qetë”, u shpreh. Pak në stol, më shumë në këmbë, duke pirë cigare e ndiqte takimin. Pas saj erdhi na takoi: “Sot ndeshja ka përfunduar në barazim, nuk e kemi fituar, por asgjë nuk ka mbaruar”, na tha. Të dytën e përgatiti aq sa premtonte koha. U kushtoi rëndësi edhe penalltive. Shikonte me kujdes si i ekzekutonim, kush punonte me kavilje ose me goditje të fortë. Kur mbërritëm në stadium, që ishte plot, u befasua, sepse nuk e priste. Kërkoi të bënim kujdes në 15 minutat e para, të balanconim lojën e të ulnim ritmin e Teutës, që e konsideronte një skuadër të fortë. Preferonte skemën 4-4-2. Pas takimit ishte entuziast, por jo euforik. Na përqafoi.

Atë ditë do të martohej Dashi, ku e ftuar ishte edhe skuadra. Kërcejnë të gjithë, digjet shamia e beqarit dhe leku i madh hidhet për çiftin, apo jo?
Ka qenë një mbrëmje argëtuese edhe për Kempesin. Pinte verë e kërcente vallet popullore. Por, ajo që e hutoi ishte çasti kur Pëllumb Xhaferri u shpërndau lojtarëve rreth 3 milionë lekë për t’ia hedhur çiftit kur do të digjej shamia e beqarit. I dhanë edhe Kempesit: “Si t’i hedh?” Pastaj i shtangur. “Si mundet t’i mbledhësh paratë me fshesë?”, më thoshte i habitur.

Kempes Xhaferi

Shpërthyen revoltat dhe Kempesi mbeti në Lushnjë. Çfarë ndodhi me trajnerin?
Të hënën bëmë stërvitje, kur vjen lajmi se është arrestuar Pëllumb Xhaferri. Të martën erdhi paradite, në drekë shpërtheu revolta e stadiumi ishte plot me revoltues. Atë natë bashkë me vëllain qëndruan në Lushnjë, se deri tek ura e Rrogozhinës ishte e bllokuar. Njerëzit e shihnin. “O Kempes, na kthe paratë, janë tonat”, i thoshin. Ai i dëgjonte, nuk kuptonte, por dukej i frikësuar. Të mërkurën e kemi nxjerrë nga rrugët dytësore me Nand Haxhiun dhe iku për në Tiranë.

Pas kaq vitesh si e gjykoni ardhjen e tij si trajner në Lushnjë?
Një risi për kohën. Kishte idenë të ndryshonte diçka. I qetë, i sjellshëm, komunikues. Nuk pati fat ai, ne si Lushnjë, por edhe futbolli shqiptar. Nuk patëm fatin që ai të qëndronte.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE

EKSKLUZIVE / Flet menaxheri që solli Kempes te Lushnja: Ja sa para fitoi, parlamenti shqiptar ia kërkoi mbrapsht

Historia e rrallë/ 25 vite më parë, kur Mario Kempes vinte te Lushnja për 360 mijë USD

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"