EKSKLUZIVE / Flet menaxheri që solli Kempes te Lushnja: Ja sa para fitoi, parlamenti shqiptar ia kërkoi mbrapsht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 1, 2022 | 21:08

EKSKLUZIVE / Flet menaxheri që solli Kempes te Lushnja: Ja sa para fitoi, parlamenti shqiptar ia kërkoi mbrapsht

Biseda me dr. Salvatore Trunfion (Mediastar International FM Gropu & Co. A. T, Fifa players agent) ishte befasuese për “Panorama Sport”, pikërisht sot pas 25 vjetësh i nxitur edhe nga interesimi ynë. Në intervistën ekskluzive nga Roma ai kujton: “Klubi kishte një president milioner. Mario e pëlqeu Shqipërinë, afër Italia, deti, sigurisht edhe kontrata”.

Salvatore (1)

Dr. Trunfio, e kujtoni si nisi ajo aventurë?
Në atë kohë, si edhe sot, kompania jonë ishte e angazhuar me lëvizje lojtarësh. Në vitin 1993 dhe 1994, bashkë me kolegun, Mauricio Montali, DP i kompanisë, kishim qenë dy herë në Shqipëri me dëshirën të bënim diçka për privatizimin e klubeve dhe transferimet e lojtarëve. Ne operonim në të gjithë botën, por më shumë me lojtarët e Amerikës Latine.

Pse, cili ishte motivi për të sjellë një kampion në Shqipëri?
Ka qenë fundi i vitit 1996, nëse nuk gaboj, dhe u informuam se një klub futbolli në Shqipëri kërkonte një trajner. U interesuam dhe kontaktet e para i patëm me një menaxher shqiptar, Kosta Grillo quhej. U lidhëm me të falë një mikut tonë në Itali. E nuhatëm, e kuptuam që ishte një rast i mirë për ne, kur një klub futbolli modest i një qyteti të vogël kishte një president milioner e me kaq shumë para.

Dhe zgjodhët Kempesin…
Po, Kempes për më tepër ishte një shëtitës i madh dhe nga fama njihej kudo. Ai vinte nga një eksperiencë modeste si trajner te Sent Polten në Kategorinë e Dytë në Austri, te Fernanadez Vial në Kili dhe Pelita Jaya të Xhakartës në Indonezi. E biseduam me Marion, na u duk një rast ideal për të. Në Itali, pak kohë më parë, kishte qenë drejtor teknik i klubit Fiorenzuola. Nuk dinte asgjë për Shqipërinë, por afër Italisë, qyteti i vogël, afër detit. U shpreh i gatshëm, e pranoi idenë, ndonëse kishte një ofertë nga Kolumbia.

Kontratë e pabesueshme, një shumë e madhe në para?
Një shumë aq e madhe për një trajner të një klubi futbolli në Shqipëri, ishte vërtet befasi. Për në Shqipëri Kempes udhëtoi me kolegun tim, Montali, dhe qëndroi pak ditë. Ndërsa unë kam ardhur aty në javën e dytë të janarit, vetëm 24 orë, ku gjeta një atmosferë entuziaste. Mario dukej i kënaqur.

Pastaj trazirat dhe Mario që largohet…
E pabesueshme ajo që po ndodhte, një situatë që na shqetësoi edhe ne, veçanërisht Marion. Kur na informoi për kaosin ku ndodhej, na kërkoi ta ndihmonim të kthehej urgjentisht në Itali. Pa humbur kohë biseduam me “Alitalia”-n, që i siguroi biletat atij e vëllait. As 20 ditë nuk zgjati aventura shqiptare e tij.

Dr. Trunfio, e dini faktin se çështja “Kempes” asokohe shkoi edhe në parlamentin shqiptar?
Po, e kam dëgjuar, se më informuan, pasi familja e presidentit u burgos. Kërkonin nga kompania jonë të bisedonim me Kempesin që ai të kthente paratë, por kjo ishte e pamundur. Së pari, kontrata ishte një proces personal i Marios me presidentin dhe, së dyti, ajo ishte juridikisht, ligjërisht e rregullt.

A mundi Kempes të merrte shumën prej 360 mijë dollarësh?
Jo. Ai mori vetëm 10% të saj me këstin e parë, pra rreth 30 mijë dollarë.

Dr. Trunfio, keni kontakte me Kempesin?
Sistematikisht. Aktualisht ai jeton në Amerikë dhe është një ndër opinionistët, komentatorët e ndeshjeve të futbollit, në një rrjet shumë të njohur, “SPNW”. Sapo u informua për interesimin tuaj, nga Uashington DC ku ndodhet, ju ka dërguar një foto posaçërisht për gazetën tuaj, me urimin për Vitin e Ri. Pas Krishtlindjeve do të niset për në Buenos Aires, të festojë me fëmijët.

INTERVISTOI UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE

Historia e rrallë/ 25 vite më parë, kur Mario Kempes vinte te Lushnja për 360 mijë USD

“Si mundet t’i mbledhësh paratë me fshesë?”, Bano rrëfen javët e Kempes në Lushnjë: Njerëzit në rrugë i kërkonin lekët që u kishte marrë Xhaferri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"