Orges Shehi i uritur me Partizanin: Derbet i kam fituar kudo, nuk ndalem me kaq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 8:41

Orges Shehi i uritur me Partizanin: Derbet i kam fituar kudo, nuk ndalem me kaq

Partizani mori të dielën një fitore vendimtare në derbi, duke hipotekuar “Final 4” dhe mbajtur nën presion Vllazninë për vendin e dytë në renditje. Të kuqtë mposhtën me shifrat 1-2 Tiranën, me trajnerin Shehi, që shprehet shumë i kënaqur me atë çka skuadra e tij dha në fushën e lojës. Trajneri kërkon kujdes maksimal të tri ndeshjet e mbetura në sezonin e rregullt.

shehi

Një fitore përballë Tiranës. Sa e vështirë dhe sa e rëndësishme në të njëjtën kohë ishte?

Fitorja është fitore. Patjetër që kur vjen kundër një rivali historik merr vlera të dyfishta. Edhe pse e fituam në minutat e fundit mendoj se kemi qenë ne dominantë në këtë ndeshje. Ishim shpesh përpara portës së kundërshtarit. Kërkonim ta bënim këtë me logjikë. Kishim merak rinisjet e kundërshtarit, sepse këtë po përpiqej të bënte në pjesën e dytë, për t’u rinisur në kundërsulm. Patjetër që ndeshja ka momente kur e ke ti lojën në dorë, por edhe kundërshtari. Në disa momente të vogla në krahasim me ne e mori kundërshtari lojën në dorë, por me disa ndryshime dhe udhëzimet në pjesën e dytë e dominuam ndeshjen.

Është Partizani gati për titullin, nisur nga fakti se keni pasur momente delikate në periudhën e fundit?

Përveç momenteve të mira, edhe ato delikate janë prezente në futboll. E rëndësishme është që ne nuk e kemi ulur kurrë këmbën nga gazi. Kemi qenë gjithnjë të bashkuar dhe aty për njëri-tjetrin. Skuadra vetëm në këto dy javë ka qenë e plotë. Sot më shqetësojnë Cara dhe Taipi. Ky i fundit nisi nxehjen dhe ishte përzgjedhur si titullar, por një shqetësim muskulor bëri që të mos e fusim në fushë dhe ta mbajmë në pankinë. Këto dy shqetësime kemi, sepse grupi po vinte i plotë. Tani na shtohen sërish këto probleme, që na kushtëzojnë në zgjedhjet tona. Më të rëndësishëm janë ata që e nisin nga stoli, sesa ata që e nisin nga fillimi.

Dy derbe të fituara në shtesë si trajner i Partizanit. Ka ndonjë sekret?

Unë edhe kur kam qenë nga krahu tjetër, kam fituar derbe. Derbi duhet përgatitur me qetësi të madhe gjatë gjithë javës, pa futur trysni te lojtarët. Kur arrin të fitosh derbin ka kënaqësi të madhe. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur edhe një situatë të vështirë dhe dua që këtë derbi t’ia dedikoj presidentit Demi dhe babait të tij. Ky i fundit është në situatë kritike për jetën. Stafi dhe lojtarët kërkojmë t’ia dedikojmë babit të presidentit këtë triumf. Një pikë larg Vllaznisë kur janë edhe tri javë.

Keni një kalendar më të lehtë sesa shkodranët, e shihni si avantazh?

Po të shohësh ecurinë tonë, ne me skuadrat e renditura poshtë nesh kemi lënë pikë. Janë edhe tri ndeshje, ku duhet të marrim pikë të plota, edhe pse Vllaznia dhe Egnatia janë para nesh. Duke marrë pikët dhe bërë detyrën, jemi aty në rast se rivalët lënë pikë.

Para ndeshjes thatë se episodet mund ta vendosin këtë sfidë. Ishte Maget episodi i duhur i për Partizanin?

Mendoj se këtë derbi nuk e vendosën episodet. Mesa derbi kam luajtur unë, nuk ka pasur ndonjë kundërshtar që ka dominuar dhe ka shkuar kaq herë para portës. Mendoj se ne kemi qenë prezentë në shumë raste te porta e kundërshtarit me Kekon, Skukën. Maget është lojtar shumë cilësor, që kërkon të shtyjë gjithnjë përpara. Aty te zona, duke ditur cilësitë e tij goditëse, është prezent. Më bëhet qejfi që shënoi dy gola.

Skuka e nis sërish nga stoli. Është zgjedhje teknike, apo lidhet me kondicionin e tij fizik?

Skuka është stërvitur mirë. Në gjirin e skuadrës ka shumë sulmues që kanë shënuar 2-3 gola dhe në bazë të zgjedhjeve taktike vendosim se kush do të hyjë në fushë. Skuka ka ardhur këtu për të na ndihmuar ne dhe po bën maksimumin. Sa minuta është prezent në fushë pak rëndësi ka. Vlerë ka që është aty me skuadrën dhe i gatshëm të aktivizohet. Mezi pret të futet në lojë. Ky është Skuka që ne duam, të dalë para portës dhe të jetë prezent gjithë kohës në lojë. Ne e dimë se kur futet ai na ndryshon dinamikat dhe del para portës.

Duket sikur jeni kthyer në “magjistarin” e derbit. Keni fituar disa të tillë në të dyja anët…

Realisht statistikat i kam të mira në derbi dhe shpresoj të vazhdoj kështu, të fitoj sa më shumë.

Do ta donit një finale mes Tiranës dhe Partizanit?

“Final 4” do të jetë i fortë dhe mendoj se do të ketë edhe fatin brenda. Është hera e parë që ndodh ky kampionat, ku me një ndeshje të ikën titulli. Nuk është në dëshirën time. Unë dua që skuadra ime të bëjë maksimumin dhe të performojë sa më mirë për të ardhur në rritje e sipër.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"