Në Fier presin kthimin te fitorja, Rubin Hebeja: Apolonia mund Besën dhe kap vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 13:01

Në Fier presin kthimin te fitorja, Rubin Hebeja: Apolonia mund Besën dhe kap vendin e katërt

Ndeshja e radhës ndaj Besës është shumë e rëndësishme për sezonin e Apolonisë, ndaj fierakët e kanë përgatitur me shumë seriozitet ku kërkohet trepikëshi.

HEBEJA RUBIN

Rubin Hebeja, mesfushori që po tregon vlera këtë sezon në Fier, për “Panorama Sport” flet për ndeshjen e së shtunës dhe rëndësinë e saj në këtë pikë delikate të kampionatit.

Hebeja, cili është përfundimi i analizës së humbjes me Luzin?

E kemi analizuar me kujdes atë humbje dhe kemi nxjerrë mësimet e duhura se çfarë duhet të përmirësojmë dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe në ndeshjen e radhës. Tani nuk është momenti për t’u ndalur shumë te një sfidë e kaluar. Luzi është e shkuara dhe ne duhet të jemi të përqendruar te e tashmja, që është ndeshja e nesërme kundër Besës.

Si kanë shkuar përgatitjet për ndeshjen e radhës?

Gjatë këtyre ditëve kemi bërë përgatitjet e duhura, me intensitet e përqendrim për të qenë gati për Besën. Ekipi ka marrë ngarkesën e duhur dhe është gati për t’u rikthyer te fitorja në kampionat. Besoj se do t’ia dalim, se nuk kemi alternativë tjetër në “Loni Papuçiu”.

Prisni Besën. Sa e rëndësishme është kjo përballje?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe e vështirë njëkohësisht. Do të përballemi me një skuadër që synon të marrë pikë mbijetese, ndaj duhet të jemi dyfish të përqendruar për të marrë maksimumin. Duke parë edhe momentin tonë jo të mirë, lind si detyrim rikthimi te rezultatet pozitive. Është fundi i kampionatit dhe çdo ndeshje ka shumë rëndësi. Çdo pikë vlen shumë, ndaj duhet të vlerësojmë maksimalisht kundërshtarët, qofshin edhe poshtë nesh në renditje.

Duke parë edhe kalendarin, a mund ta arrijë Apolonia vendin e katërt?

Kemi bërë një sezon pozitiv deri në këtë pikë ku ndodhemi dhe në ndeshjet e mbetura do të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë, duke nisur nga Besa. Pra, duhet të fitojmë fillimisht me Besën, pastaj të mendojmë për të tjerat, pasi nuk është gjithçka në dorën tonë. Ne jemi të fokusuar vetëm te kjo ndeshje, por pa lënë në asnjë moment mënjanë objektivin primar, që është kalimi në katër vendet e para në renditje. Në kushtet kur jemi vetëm dy pikë larg nga ky objektiv, është e udhës ta synojmë diçka të tillë me të gjitha mundësitë që kemi.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"