Mëllugja e dëmtoi, braziliani Juri: Nuk i mbaj mëri! Skënderbeu luan deri në fund për të vulosur katërshen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 11:12

Mëllugja e dëmtoi, braziliani Juri: Nuk i mbaj mëri! Skënderbeu luan deri në fund për të vulosur katërshen

Skënderbeu ka rifilluar pa humbur kohë përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat në transfertë kundër Partizanit.

juri merlim

Pas fitores me Erzenin në Korçë, bardhekuqtë mbajnë të hapur shpresat për një vend në katër ekipet e para që i hap rrugën kështu ekipit korçar për të qenë pjesë e “Final 4” për këtë sezon. Në kushte të tilla mesfushori brazilian Juri Merlim e quan një sukses fitoren e ndeshjes me Erzenin, që për korçarët ka qenë i rëndësishëm për të mbyllur llogaritë me mbijetesën dhe mbi të gjitha për të qenë në lojë për tri ndeshjet e mbetura. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, braziliani flet për vështirësinë e këtij takimi dhe rëndësinë që ka sa i përket këtij fundsezoni.

“Kundër Erzenit ka qenë një ndeshje e vështirë dhe delikate të cilën e kishim vlerësuar në maksimum nga ana jonë. Vinim pas një fitoreje dhe e rëndësishme ishte që të vijonim me rezultatet pozitive. Kjo është pak a shumë ajo që kërkonim në këtë takim. Vështirësia ishte në rritje, sepse edhe vetë Erzeni kishte ambiciet e veta. Prandaj duhej një ndeshje perfekte dhe mbi të gjitha një zgjidhje e shpejtë. Jemi me fat që arritëm të zhbllokonim ndeshjen që në fillim, pasi sa më shumë minuta të kalonin aq më e vështirë do të bëhej për ne. Jemi të kënaqur që kemi arritur një sukses tjetër dhe tashmë do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”, theksoi fillimisht Juri.

DËMTIMI – I ndalur më pas te dëmtimi i pësuar në atë ndërhyrje të ashpër të Mëllugjës, Juri nuk kërkon ta bëjë dramë apo të mbajë mëri për atë që ndodhi në fushë. “Ishte një moment loje dhe gjithkujt mund t’i ndodhë. Nuk mund të akuzoj se Mëllugja ka bërë me dashje atë ndërhyrje, por ishte shumë e ashpër dhe e fortë. Jam duke bërë terapi dhe kontrollet tani dhe shpresoj që të mos kem asgjë serioze me qëllim që të rikthehem shumë shpejt me grupin. Kam zhvilluar kontrollet dhe pres rezultatet e tyre. Dhimbje ndiej, por të shpresojmë që të kalojë shpejt. Nuk dua t’i mëshoj më shumë atij momenti. E përsëris ndërhyrja ishte e ashpër, por nuk dyshoj që të ketë pasur dashakeqësi në atë veprim të kolegut”, vijoi Juri.

“FINAL 4” – “Final 4” për korçarët është një ambicie e qartë dhe për Juri Merlim po ashtu. Brazilianin e josh fakti për të qenë mes katër ekipeve më të mira dhe kur diferenca është vetëm ndeshje direkte gjithçka mbetet e hapur. “Jemi në kushtet kur vetëm përballjet direkte na mbajnë jashtë këtij pozicioni. Prandaj kjo do të thotë se është mëkat të mos e tentojmë deri në fund. Mbeten edhe tri ndeshje dhe janë nëntë pikë në lojë. Lë të mundohemi të marrim sa më shumë të jetë e mundur. Gjithçka është e hapur. Do të bëjmë maksimumin që në ndeshjen e radhës dhe jam i bindur se kemi për të bërë një ndeshje shumë të mirë”, përfundoi mesfushori i Skënderbeut prononcimin e tij.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"