Mangësitë e fierakëve/ Apolonia tregoi limitet në Luz, stoli nuk ofron nivel titullarësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 13:55

Mangësitë e fierakëve/ Apolonia tregoi limitet në Luz, stoli nuk ofron nivel titullarësh

Edhe pse faza e tretë e kampionatit ka shkuar shumë mirë për Apoloninë, fierakët në tri ndeshjet e fundit kanë pësuar dy humbje, që kanë zbehur jo pak mundësitë për të qenë pjesë e katërshes së parë në renditje.

apolonia

Ata kanë mundur të marrin vetëm 3 pikë, nga 9 të mundshme, shumë pak për atë që të gjithë e konsideronin si skuadrën më stabël të kampionatit dhe një nga pretendentet më serioze për “play off”-in, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë. Me paraqitjen e javëve të fundit, sidomos humbja në transfertë me Luzin, ka treguar qartë se edhe Apolonia ka limitet e veta. Të besuarit e trajnerit Artan Mërgjyshi nuk janë në një moment të mirë, por do t’u duhet të rikuperojnë shpejt, sepse kampionati është në fund dhe në “play off” duhet shkuar në formën më të mirë të mundshme.

Trajneri Mërgjyshi ka pohuar pas humbjes me Luzin, se dalja e shpejtë me të kuq e sulmuesit Umejiego ka ndikuar direkt në paraqitjen dhe rezultatin final të skuadrës. Kjo është një e vërtetë, ashtu si dhe fakti që Apolonia nuk ka një stol që ofron zgjidhje në momente të vështira. Po pse trajneri Mërgjyshi nuk ndërhyn për t’i dhënë skuadrës një plan “B” nga stoli? Përgjigja është e thjeshtë: Nuk ka alternativa bindëse. Madje, edhe kur mungon ndonjë lojtar për dëmtim apo kartonë, ai has vështirësi. Sikurse në rastin e fundit me mesfushorin Jasin, i cili nuk ka luajtur për disa ndeshje dhe mungesa e tij është ndjerë shumë. Mesfushori tjetër, Rakipaj, që e zëvendëson, bën shumë më mirë pas sulmuesve.

Nivel i limituar

Përveç formacionit bazë, Apolonia ka pak lojtarë në nivelin e titullarëve. Aktivizimi i një numri të limituar futbollistësh ka dhënë efektin e vet. Kjo, pasi duke qëndruar vazhdimisht në stol, lojtarët e humbasin formën. Tekniku Mërgjyshi e ka theksuar disa herë se mbështetet te 13 apo 14 lojtarë. Madje në disa pozicione alternativat në stol mungojnë dukshëm. Kur mungon një titullar në mesfushë, trajneri detyrohet të modifikojë formacionin, sepse nuk ka zëvendësues “kokë për kokë”. Nëse mungojnë Shanaj, Bejzade apo Jasin duhen tërhequr Maksuti ose Trifoni nga sulmi, ku pastaj aktivizohet Omeri, ndër të vetmit nga stoli që afron më shumë garanci.

Mungesa e stolit është ndjerë shumë tek Apolonia edhe për shkak të ngarkesës së madhe të ndeshjeve. Fierakët janë pretendentë në “play off”, por me vetëm një formacion është e vështirë ta përballosh gjithë ngarkesën.  Alternativat për trajnerin Artan Mërgjyshi kanë qenë me “pikatore”, ndaj dhe është logjike që do të vinte një situatë si kjo që po kalojnë fierakët aktualisht. Kërkohet një sforco e fundit nga skuadra, por në anën tjetër është rreziku i dëmtimit të ndonjë titullari me peshë, çka do ta komplikonte edhe më shumë situatën në momentin më delikat të sezonit. Nëse kthen sytë nga stoli i Apolonisë, e ke të vështirë të gjesh zëvendësues. Ndeshja e radhës në kampionat është ajo me Besën në “Loni Papuçiu”, ndërsa disa ditë më vonë e mbyllin në Burrel.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"