“I paaftë”, drejtori sportiv i Erzenit replikon me Stavri Nicën: Akuza mjerane, nuk hapte as telefonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 18:46

“I paaftë”, drejtori sportiv i Erzenit replikon me Stavri Nicën: Akuza mjerane, nuk hapte as telefonin

Në Shijak i përgjigjen Stavri Nicës. Trajneri i larguar pas vetëm 4 javësh nga stoli i Erzenit, në numrin e së martës në “Panorama Sport”, lëshoi akuza të forta për ekipin dhe drejtuesit. Ka qenë vetë Altin Keçi, ai që i është kthyer teknikut. Drejtori sportiv saktëson se 65-vjeçari iku vetë, pasi e dinte që do të shkarkohej pas analizës që do të kryhej në klub. E quan të paaftë për aq sa bëri me shijakasit, ndërsa rrëfen se u “zhduk” dhe as u çonte telefonin. 

Keci

“Habitem se si e merr kurajën Stavri Nica që ta justifikojë në këtë formë punën e tij të dobët. Rezultate që nuk i ka pasur asnjë nga paraardhësit e tij. Në 4 ndeshje që drejtoi ekipin, nuk mori asnjë pikë. E megjithatë, vendimin për t’u larguar nga Erzeni ish-trajneri e mori vetë. Duke parë se nuk kishte asnjë shans për të përmirësuar situatën, ai nuk priti të bëhej analiza e humbjes me Egnatian, ku nuk përjashtohej mundësia që të merrej një vendim për të.

Pra, largimi i Nicës ka qenë dorëheqje dhe jo shkarkim, i cili mund të realizohej vetëm pas analizës. Ai humbi çdo kontakt me ne, duke mos hapur as telefonin. Ajo që më shqetëson nuk është ikja e tij, por balta që hedh padrejtësisht mbi drejtuesit e Erzenit. Dhe një gjë të tillë nuk e ka bërë asnjë nga trajnerët qe ka stërvitur ekipin, por e bëri ky që pati rezultatin më të dobët në këtë kampionat në ato 4 ndeshje. Si mundet që të shpifë ndaj drejtuesve, kur është pritur si asnjë trajner tjetër?! Kjo u bë për të respektuar karrierën që ka, por fatkeqësisht nuk rezultoi kështu për shkak të paaftësisë që shfaqi në stolin e Erzenit”, tha fillimisht drejtori.

Nica Keci

 PAZARET – Ai u përgjigjet dhe akuzave për pazaret, duke i cilësuar mjerane. “Nga analiza e zakonshme që u bë mes drejtuesve dhe futbollistëve, rezultoi qe trajneri nuk kishte vendosur raporte normale me futbollistët dhe as nuk kishte reflektuar etikën sportive, që i ka hije një trajneri të shëtitur dhe me eksperiencë si ai.

Në deklaratën që kishte dhënë në gazetën tuaj, në mënyrë të habitshme shprehej se lojtarët i kishin thënë se kishin vite pa u stërvitur. Për të shkuar edhe më tej, ku ai lëshon një akuze mjerane për pazaret që bëhen për të kapur vendin e 4-t. Kjo gjë nuk ka asnjë lidhje, në një kohë që ai na zbriti poshtë këtij pozicioni. Nuk kishte se si të bëheshin këto marifete, që do të rëndonin më tepër ekipin.

Keci Altin

Të gjitha këto gjëra të paqena që Nica ka thënë, asnjëherë nuk ka pasur kurajën t’ua shprehë drejtuesve të Erzenit. Në vend që të kërkojë ndjesë për rezultatet e këqija, mundohet t’ia faturojë fajin ekipit shijakas. U tregua mosmirënjohës, por uroj që ndryshe nga kjo përvojë që pati me ne, të ketë sukses me skuadrat e tjera. Na vjen keq që nuk la asnjë gjurmë pozitive tek Erzeni”, përfundoi drejtori sportiv i klubit shijakas.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"