EKSKLUZIVE/ “Pazare me ndeshjet”, shpërthen Stavri Nica: Po fiton injoranca, i pafuqishëm ndaj sistemit që kanë krijuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 9:55

EKSKLUZIVE/ “Pazare me ndeshjet”, shpërthen Stavri Nica: Po fiton injoranca, i pafuqishëm ndaj sistemit që kanë krijuar

Trajneri i njohur durrsak, Stavri Nica, pati këtë herë në Shijak një nga përvojat më të shkurtra dhe më të hidhura në karrierë. Ai largua nga Erzeni pas 4 humbjesh në 4 ndeshje, një situatë krejtësisht absurde për të. 

stavri nica

Në krah të tij janë edhe tifozët shijakas. Për “Panorama Sport”, trajneri Nica tregon pa “filtra”, si zakonisht, atë çfarë ndodh aktualisht tek ekipi shijakas, duke u dhënë një mesazh të qartë drejtuesve të Erzenit dhe atyre që shkruajnë në rrjetet sociale.

SITUATA – “Ideja ishte që të krijonim një skuadër të fortë në janar. Kryetari i bashkisë kishte dhënë fjalën, por unë në fakt nuk e kam takuar asnjëherë. Kisha folur me drejtuesit që ai ka vendosur në ekip dhe ata u treguan të pabesueshëm, sepse nuk lëvizën në janar me pretekstin se nuk kishin lekë.

Ka qenë një marrëdhënie e ftohtë me drejtuesit dhe nuk u ndërtua Erzeni, siç kisha unë dëshirë. Dihen problemet pastaj, kur familjarizohet një skuadër”, thotë fillimisht trajneri Nica.

INJORANCA – Pas  dorëheqjes së Nicës nga stoli i Erzenit ka pasur disa mesazhe ironike për të nga lojtarët e Erzenit. Për këtë veprim trajneri durrsak shprehet: “Ata nxjerrin atë që kanë përbrenda në psikologji, por edhe në shpirt. Ata që nuk janë për atë punë, mundohen të rezistojnë me atë forcën e injorancës së vet, të paaftësisë së vet.

Çuditërisht, gjithmonë këta fitojnë. Sado që mundohen profesionistët, ne jemi të pafuqishëm në ndershmërinë tonë, në punën tonë përpara këtij sistemi që kanë krijuar këta. Injoranca është më e fortë se profesionisti dhe intelektualët, kështu që… Por mbështeten edhe nga ata që mbahen për drejtues, ç’është më e keqja.

Jo vetëm në Shijak, por kudo në vendin tonë në përgjithësi po marrin nëpër këmbë punën e trajnerit. Kanë nxjerrë nga loja trajnerët, po fitojnë këta. Në fakt, është dëm për futbollin, sepse ne nuk kanë çfarë na bëjnë”. Përveç ndonjë futbollisti, Nica shigjeton kështu edhe drejtuesit e klubit shijakas.

nica1

ASPAK PROFESIONISTË – “Vetë e pranuan kur shkova, lojtarët më thanë se kishin vite pa u stërvitur, jo ditë. Ata thoshin se kishin vite që stërviteshin keq, me stërvitje të lehta dhe qesharake. Nuk dua të injoroj ish-trajnerët, por grupi që është krijuar atje kishte këto pretendime. Çdo trajner që shkon, nuk duhet ta mbajë në ato nivele, ta stërvitë ekipin pak”, shton Nica.

AKUZA PËR PAZARE – Dhe në fund, një akuzë direkte: “Ata janë mësuar të bëjnë edhe lojëra me ndeshjet e kampionatit. Nuk e kam fshehur asnjëherë dhe nuk e fsheh se bëhen edhe pazare. Duan të kapin vendin e 4-t që të hyjnë te grupi lart dhe të bëjnë pazare. Kjo është strategjia e tyre, por kjo nuk shkon tek unë.

Nica

Dua të ndërtoj një skuadër siç kam ndërtuar kudo ku kam shkuar, me mundësitë që kam pasur dhe aq sa më ka ecur. I kam dhënë provat, por aty është e pamundur, sepse drejtuesit janë familjarizuar me ekipin. Si mund të zgjidhet kjo situatë? Vështirë më duket”, përfundon trajneri Nica.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"