EKSKLUZIVE/ “Reja përgjegjës për shpartallimin, me të dhe Panuçin vetëm regres”, Rudi Vata: 4 gola të papranueshëm, Kumbulla më i dobëti (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2021 | 17:26

EKSKLUZIVE/ “Reja përgjegjës për shpartallimin, me të dhe Panuçin vetëm regres”, Rudi Vata: 4 gola të papranueshëm, Kumbulla më i dobëti (E PLOTË)

Rudi Vata është i drejtpërdrejtë, kur deklaron se kemi humbur edhe tiparin më të rëndësishëm të viteve të fundit, mbrojtjen solide, atëherë përgjegjësi kryesor është trajneri Edi Reja. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares analizon çfarë nuk shkoi, elementin që i pëlqeu dhe do të donte ta shihte gjithmonë, porse deklaroi edhe se ka futbollistë të palumtur në ambientin kuqezi. “Me Panuçin dhe Rejan, Kombëtarja ka pasuar vetëm regres”, shprehet ndër të tjera Vata.

rudi vata

Vata, si e patë Kombëtaren me paraqitjen që bëri në Poloni?

Shqipërinë e pashë si një skuadër të mirë në një pjesë loje, në një fragment. Sidomos në rreth 25 minuta, në pjesën e parë, pasi Polonia shënoi golin e parë. Pashë një Shqipëri që më pëlqen gjithmonë ta shoh të tillë sepse tregoi që është skuadër që mundet të diktojë lojën. Mirëpo, pastaj ka pasur një ngërç të përgjithshëm dhe unë nuk e di pse këta futbollistë nuk kanë këtë lloj performance në mënyrë të rregullt.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Përderisa këta lojtarë zhvilluan një performancë të mirë, dominuan në një fushë kundërshtare me Poloninë përballë, që normalisht është e niveleve të mira, atëherë unë mendoj se skuadra jonë i ka kualitetet në përbërjen e saj. Por, a është futbolli 25 minuta? Jo, sigurisht që nuk është!

Si ka mundësi që nuk arritëm të performojmë edhe në pjesën e dytë dhe në fund e mbyllim ndeshjen me humbjen 4-1? Pse ndodh kjo?

Për mua është si të thuash një formulë e thjeshtë. Pyetjes pse këta lojtarë nuk patën të njëjtën performancë si në pjesën e parë, unë i përgjigjem me: Fitnes. Gjendja fizike e lojtarëve nuk është në ato nivele për të përballuar 90 minuta.

Lidhur me këtë që ju sapo thatë, mos ndoshta faji është te mosadministrimi i duhur i energjive si pasojë e taktikës me presing të vazhdueshëm që kërkon shumë energji të shpenzuara?

Administrim loje shpesh bënte edhe një si Levandovski… Kam parë një Poloni, e cila ka një lider absolut të rangjeve ndërkombëtare, të cilin ne nuk e kemi pasur as në ëndërr një si ai, siç është Levandovski. Ai ka treguar jo vetëm golashënuesin, ka treguar vlerat e liderit, teknikë të jashtëzakonshme, qëndrueshmëri. Gjithçka. Jo vetëm që njeh zonën, por gjithçka. As me Bajernin nuk e kam parë ashtu. Levandovski ishte lideri absolut i cili e trullosi mbrojtjen shqiptare në çdo moment. Ky ishte kyçi i suksesit të Polonisë.

Ama pati edhe momente vështirësie Polonia, si pasojë e lojës sonë…

Po, e kam parë në situata paniku Poloninë. Edhe trajnerin Souza. Dallohej nga gjuha e trupit. Souza ishte në panik me atë Shqipërinë e atyre 25 minutave.

A ka qëndrueshmëri Kombëtarja jonë?

Ky është një faktor shumë i rëndësishëm në futboll. Skuadrën tonë e dominoi në mënyrë absolute Levandovski dhe një Poloni e cila kishte qëndrueshmëri dhe që kishte kapacitete profesionale mentaliteti, jo kualiteti. Mentalitet që nuk dorëzohen dhe luftojnë me atë mënyrën e tyre deri në fund. Klasi i tyre nuk është i disa futbollistëve të klasit tonë, por kanë mentalitetin e duhur.

Kush e fitoi këtë ndeshje, pra çfarë bëri dallim në këtë përballje?

Fitoi eksperienca e një kombi me futboll të madh, siç është Polonia. Fitoi prezenca e një lojtari të madh si Levandovski.

A jemi ne një skuadër që mund të mbërrijmë nivelet e Polonisë?

Do të përsëris veten sepse e kam thënë shpesh. Nëse ne nuk do të nxjerrim një lojtar që të na çojë te goli si dikur Shevçenko tek Ukraina ose Levandovski te Polonia, ne kurrë nuk kemi për t’u bërë skuadër e atyre niveleve. Ne nuk e kemi këtë profil. Ne presim që Cikalleshi, në një moshë të caktuar, të bëjë diferencën dhe t’i bëjë këto gola.

Vata, ai e bëri këtë që sapo thatë. Po e bën në vazhdimësi, bën diferencën, ngrihet mbi të tjerët dhe shënon gola të rëndësishëm…

Duhet të jemi të saktë. Cikalleshi, formën më të mirë në Kombëtare e ka pasur këto 2-3 vitet e fundit, jo në moshë të re. Pra, nëse flasim për puro talent, nuk ekziston. Pra, nëse duam të flasim për një puro talent, në lartësi të pretendimeve që kemi, pra siç mund të themi për Brojën. Mirëpo, as Broja nuk është, nuk e ka klasin, finesën, artin e lojtarëve të këtyre niveleve që të na udhëheqë te goli. Është lojtar që ka aftësi shumë të mira, por nuk e shikoj me aftësitë e liderit për të tërhequr ekipin përpara siç e bën Levandovski.

Profesor, statistikat ju kundërshtojnë për Cikalleshin…

Për momentin është me një formë jashtëzakonisht të mirë. Ai është lojtari më me optimizëm dhe me gjendje, si kurrë më parë në karrierën e tij. Ne kënaqemi me të sepse ai na gëzon për momentin dhe ka kapur formën më të mirë këto dy-tre vitet e fundit.

Jemi mburrur me mbrojtjen, por pse ndodhi të shpartallohej në atë mënyrë me 4 gola të pësuar?

Për të dhënë këtë përgjigje, unë bëj pyetjen: Po trajneri ynë a duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shpartallim? Unë mendoj se trajneri është përgjegjësi kryesor. Reja, pas ndeshjes u mundua të na trajtojë sikur ne jemi në mesjetë. Ai del dhe thotë që “nuk kemi vdekur akoma”. Ai thotë kështu, por nuk mund të marrësh katër gola. Nëse kërkon të kesh pretendime, si mund të pësosh katër gola, përndryshe në çfarë bote je, se unë s’e kuptoj dot këtë? Nuk është normale. Ka njerëz që e kuptojnë futbollin.

Pse e thoni këtë?

Unë e kuptoj që Armand Duka kupton biznesin, Reja mund t’ia thotë Dukës që t’ia shpjegojë sepse nuk e kupton. Ose ndonjërit tjetër në federatë. Kurse mua, nuk më bind kjo lloj shprehje “alla italina”. Kjo është mashtrim. Sepse pas humbjes 4-1, je pothuajse i vdekur, i trullosur në të gjitha drejtimet. Nuk besoj se ka pasur lojtar që të jetë futur në dhomat e zhveshjes e të mos jetë ndjerë keq, pothuajse si i vdekur. Kjo Shqipëri, me këto elemente që ka, me këtë trajner të shkollës italiane dhe me një kundërshtar që kishte vetëm një pikë referimi, për të cilën unë nuk e di se si e kishin menduar që ta luftonin kundër Polonisë.

Si luftoi Shqipëria në këtë ndeshje sipas jush, nëse analizoni taktikisht?

Nuk u luftua mirë sepse disiplina taktike u pa që në rastin e golit të parë. Kur e thotë edhe qendërmbrojtësi Gjimshti që “e dinim se do të shkonte topi në shtyllën e dytë për spond”, atëherë kush e ka përgjegjësinë veç trajnerit që i zgjedh lojtarët për atë situatë? E mban përgjegjësinë pikërisht trajneri që nuk ka zgjedhur lojtarët që do t’i binden apo që do të përqendrohen maksimalisht për të zbatuar atë rregull. Ishte një gol shumë i thjeshtë, ku Manaj humb përqendrimin. Elementë të thjeshtë për t’u luftuar.

Çfarë mendimi keni për trajnerin Reja?

Unë mendoj se nuk i ka aftësitë për të na çuar në një nivel tjetër.

Po përgjegjësia e lojtarëve, ju marr vetëm një rast: Kumbulla, fiton kohën në duel me Levandovskin, nuk e nxjerr topin dhe pësojmë gol. Çfarë mendimi keni për këtë?

Kumbulla mendoj se ishte lojtari më i dobët i mbrojtjes në këtë ndeshje. Është një talent me pretendime të mëdha, por në këtë ndeshje ishte në një ditë jo. Kishte edhe disa momente të tjera. Ndoshta kjo vajtja e Murinjos te Roma ka bërë që Kumbulla të mos jetë në aspektin fizik dhe psikologjik, në lartësinë e duhur siç ishte vitin e kaluar. Kjo ndodh kur humb vendin e titullarit, pasi humb edhe pak besimin në vetvete. Sipas meje, Kumbulla nuk i paraqiti vlerat e mbrojtësit të Serisë A në këtë ndeshje. Në disa situata ishte fajtori kryesor në mosmbulimin e kundërshtarit ose eliminimin e këtyre situatave. Gjërat duhet t’i themi siç janë, pasi është e vetmja mënyrë që edhe Kumbulla të marrë përgjegjësitë. E them këtë sepse pritshmëritë janë të mëdha.

Çfarë mund të thoni që thuajse e gjithë prapavija është e Serisë A?

Përderisa themi që kemi mbrojtje të Serisë A me portierin, Hysajn, Gjimshitin, Ismajlin dhe Kumbullën nuk mund të pësosh katër gola.

Pas këtij rezultati, çfarë rrezikojmë të dielën ndaj Hungarisë?

Nëse Polonia nuk do të kishte Levandovskin, Hungaria do të ishte ekip edhe më shumë interesant sesa polakët. Bën futboll të bukur, është agresive, ka shpejtësi. Për ne, me gjithë mungesat e Hysajt, Manajt dhe Bares do të jetë një sfidë shumë e vështirë. Hungaria do të vijë vetëm për fitore dhe për ne, edhe barazimi do të jetë tepër negativ, duke dituar që deri tani kemi vetëm 6 pikë me kundërshtarët që dihet se kush janë.

Si i shihni shanset për vendin e dytë?

Një kundërshtar direkt si Polonia na ka vendosur në vështirësi të jashtëzakonshme. Hungaria është testi i së vërtetës. Pas saj do të shihet se ku do të kemi pretendimet tona. Një ekip shumë i fortë për ne. Do të jetë një lojë nervash, aq më tepër kur gjendja fizike e futbollistëve tonë nuk do të jetë më e mira. Edhe Hungaria u mund, por nga ekipi absolut i grupit, Anglia dhe do ta ketë më të lehtë ta pranojë në aspektin psikologjik ndaj ekipit të dytë të Europës.

Si ju duket atmosfera në ekipin Kombëtar?

Unë shikoj që në Kombëtare ka lojtarë të palumtur. Nuk e di si është situata me Brojën. Shoh Uzunin, një lojtar në formë që luan vetëm 10 minuta dhe nuk ishte i lumtur. Broja nuk është as në stol. Në aspektin e atmosferës uroj të mos ketë probleme, por kuptoj që diçka nuk shkon sepse një lojtar si Broja pjesë e ligës më të mirë në botë, nuk është jo vetëm në formacion, por as pjesë e bankinës. Diçka që për mua nuk është në rregull.

Afrohet fantazisti Bajrami, sa mendoni se do ta përmirësojë lojën?

Nuk e kam parë të luajë. Shpresoj të na shërbejë, pasi përderisa e kanë marrë, kanë parë diçka te djali. Për mua, në Kombëtare nuk është problemi te një lojtar. Problemi kryesor është kompaktësia, si do të mbrohemi si skuadër? Si do të bëjmë atë që deri-diku e bëri De Biazi, i cili krijonte shumë pak dhe me efikasitet, ama pësonte pothuajse aspak. E prandaj kishim sukses. Tani kemi oscilacione të mëdha në çdo repart. Përderisa dalim në konkluzionin që reparti ynë më i mirë, mbrojtja, ishte më e dobëta në këtë ndeshje, atëherë ne kemi si të jemi me besim te kjo Kombëtare. Deri dje jemi mburrur me mbrojtjen, ndërsa sot themi si ka mundësi? Trajnerët dhe ky staf paguhen që të bëjnë zgjedhjet më të mira për të nxjerrë rezultate. Sipas meje, trajneri Reja ka përgjegjësi tepër të mëdha. Si Reja, ashtu edhe Panuçi, për mua kanë sjellë regres në Kombëtare, nuk kanë sjellë asnjë progres.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"