EKSKLUZIVE/ “FIFA dhe UEFA nuk duan gjëra të tilla, të veprojë ligji”, Prodani: Federata në një situatë banale, ja pse bllokohen llogaritë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 14:37

EKSKLUZIVE/ “FIFA dhe UEFA nuk duan gjëra të tilla, të veprojë ligji”, Prodani: Federata në një situatë banale, ja pse bllokohen llogaritë (E PLOTË)

Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, e ka cilësuar banale situatën aktuale në institucionin e futbollit shqiptar pas zhvillimeve më të fundit të publikuara ekskluzivisht në “Panorama Sport”. Në një intervistë enkas për gazetën, ish-drejtuesi i lartë i Federatës tregon detaje të çështjes së klubit Tirana me ish-presidentin Metush Seferi, ndërsa është i habitur pse institucioni i futbollit mbërriti në këtë pikë, duke nëpërkëmbur imazhin.

EDUARD PRODANI

Eduard Prodani, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së

Zoti Prodani, FSHF-së i janë bllokuar disa nga llogaritë bankare për shkak se zyra e përmbarimit pretendon se nuk ka transparencë me kalimin e parave të UEFA-s që i takojnë klubit të Tiranës. Kjo e fundit është gjithashtu me llogari të bllokuara… Si një ishdrejtues i FSHF-së, cili është komenti juaj për një situatë të tillë?

Situata e detyrimeve të Tiranës ndaj ish-presidentit të klubit, të ndjerit Metush Seferi, është një histori që zgjat për një periudhë së paku 10-12-vjeçare. Dhe këtu kam parasysh momentin që nga kur pas përfundimit të proceseve gjyqësore, detyrimi është bërë ligjor. Mbaj mend që për këtë problem zoti Seferi i është drejtuar disa herë edhe FSHFsë. Synimi i tij ishte që detyrimi të fillonte të amortizohej në mënyrë graduale dhe progresive nga fondet që klubi përfitonte nga pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s. Dihet që ato fonde administroheshin nga FSHF-ja për shkak se klubit edhe në atë periudhë i ishin bllokuar llogarite bankare zyrtare. Të them të drejtën, jam surprizuar që situata paska mbetur e pandryshuar për një kohë kaq të gjatë. Për mendimin tim, vetë klubi i Tiranës duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje dinjitoze këtij problemi, kur dihet se Metush Seferi ishte njeriu që me shumë pasion dhe dashuri e ndihmoi Tiranën të shkëlqejë dhe fitojë trofe pas trofeu në një periudhë kur klubeve të tjerë, të braktisur në mëshirën e fatit, u mungonte thuajse gjithçka. Për sa i përket FSHF-së, ajo natyrisht që është e detyruar të veprojë sipas ligjeve në fuqi dhe të zbatojë urdhrat që i japin organizmat që ligji ngarkon për këtë qëllim. Këtë e them për faktin se në qoftë se FSHF-së i janë bllokuar llogaritë bankare, kjo duhet të ketë ndodhur në kushtet kur kërkesat e përmbaruesit gjyqësor janë neglizhuar në vijimësi dhe kur ka pasur prova që FSHF-ja realisht administron mjete financiare për llogari të KF Tirana. Në dijeninë time, masa të bllokimit të llogarive të një pale të tretë merren rrallë dhe kur refuzimi i subjektit që të zbatojë ligjin ka marrë karakter serioz. Kjo është tashmë një çështje e ligjit dhe gjykatës dhe duhet pritur se ç’drejtim do të marrë. Ajo që të lë përshtypje të keqe është fakti që FSHF-ja e superpajisur me juristë dhe studio ligjore që i shërbejnë në çdo aspekt të veprimtarisë së saj të bjerë në pozitën jodinjitoze të një institucioni, imazhi i të cilit nëpërkëmbet për situata kaq banale. Me gjithë, ndoshta, dëshirën për të ndihmuar klubin e Tiranës, FSHF-ja duhet ta kishte shmangur me çdo kusht këtë ngjarje. Me arrogancë mund të sillesh me këdo, por sigurisht jo me ligjin.

Pse klubeve shqiptare u bllokohen kaq shpesh llogaritë bankare dhe a mundet një institucion t’u transferojë atyre para nëpërmjet llogarive të tjera, qoftë kjo edhe FSHF-ja?

Klubet shqiptare janë subjekte që si rregull funksionojnë me humbje. Ata nuk janë operatorë të mirëfilltë ekonomikë dhe gjenden gjithmonë nën presionin e pagimit të detyrimeve ose kthimit të huave. Kjo është një situatë për përshkrimin dhe shpjegimin e së cilës do të mund të ndaleshim gjatë dhe këtu nuk është vendi. Në kuptimin tim, transferimi i mjeteve financiare në llogari të ndryshme nga ato zyrtare të klubit përbën jo vetëm shkelje ligjore në raport me organin që ka urdhëruar bllokimin e llogarive, por hedh hije serioze dyshimi për keqmenaxhim të fondeve të FSHF-së që në fund të fundit janë para të anëtarëve, pra të klubeve dhe shoqatave të futbollit. Kjo do të fuste në telashe edhe vetë klubin apo drejtuesit e tij. Një gjë e tillë duhet të jetë kategorikisht e ndaluar edhe nga rregulloret e brendshme të FSHF-së. Unë vërtetë nuk besoj se FSHF-js ka bërë veprime të tilla. Në qoftë se ka fakte atëherë ky do të ishte një rast për t’u marrë në shqyrtim seriozisht, së pari nga anëtarët e FSHF-së që do të ishin dhe pala drejtpërdrejtë e dëmtuar.

Ju a jeni përballur ndonjëherë me një situatë të ngjashme gjatë kohës që drejtonit federatën?

Unë nuk mbaj mend të jem përballur ndonjëherë me situatë të bllokimit të llogarive të FSHF-së nga organe përmbarimore dhe as të transferimit të fondeve të një klubi në llogari alternative që s’kanë qenë deklaruar rregullisht si llogari zyrtare të klubit. Por, sido që të ketë qenë, besoj që për opinionin është e kuptueshme se ç’formë ka piramida vendimmarrëse e FSHF-së…

Çfarë impakti kanë ngjarje si kjo në UEFA kur kjo e fundit vihet në dijeni të fakteve?

Natyrisht që si UEFA, ashtu dhe FIFA nuk do të preferonin të merrnin lajme të tilla për federatat anëtare dhe sidomos të natyrës që dëmtojnë imazhin e këtyre institucioneve apo të futbollit në tërësi. Futbolli tashmë është një industri miliardere dhe imazhi pozitiv i lojës dhe atyre që e organizojnë atë është pjesë e rëndësishme e këtij suksesi. Thënë këtë, ndodhia për të cilën po flasim mendoj se është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Kjo, si në kuptimin e detyrimit për zbatimin e kuadrit ligjor të vendit për të cilin vendosin mekanizmat e përcaktuara nga ligji, ashtu dhe në kuptimin e qeverisjes së brendshme të FSHFsë, për të cilin duhet të vendosin klubet dhe shoqatat anëtare.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Skandali me llogaritë bankare, FSHF pranon problemin dhe vazhdon me gjuhën e kafshëve: Përmbarimi nuk ua merr dot lekët bankave…

EKSKLUZIVE/ Skandali i FSHF-së me paratë e UEFA-s, zbulohet dokumenti që nxjerr blof institucionin e futbollit (FOTO)

EKSKLUZIVE/ Skandal me fondet e UEFA-s, bllokohen llogaritë e FSHF për transferta të jashtëligjshme. Përfshihet edhe Tirana

“Skandal që Federata nën flamurin Kombëtar zhgarravitet nëpër çimentot e klubeve të natës”, Braçe: Bllokimi i llogarive të FSHF-së është i vërtetë

VIDEO/ “Harem” në Kombëtare, shikoni si festonte Duka në Bjellorusi një vit më parë dhe kush e sajdiste me lekë dhe verë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"