Skandali me llogaritë bankare, FSHF pranon problemin dhe vazhdon me gjuhën e kafshëve: Përmbarimi nuk ua merr dot lekët bankave…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2021 | 15:25

Skandali me llogaritë bankare, FSHF pranon problemin dhe vazhdon me gjuhën e kafshëve: Përmbarimi nuk ua merr dot lekët bankave…

FSHF nuk i ndahet gjuhës së kafshëve! Sa herë që përfshihet në skandale bën gabime të njëpasnjëshme! Fillimisht duke mohuar të vërtetën dhe më pas duke e pranuar atë. Sepse kështu ndodhi: në fillim thanë se nuk kanë asnjë llogari të bllokuar, ndërsa sot fajësojnë përmbarimin se përse nuk u merr dot lekët bankave…

FSHF

FSHF ende nuk jep përgjigje se përse është në gjyq aktualisht me zyrën përmbarimore private që ka vënë sekuestro më 11 nëntor nëse nuk i janë bllokuar llogaritë dhe nuk nxjerr asnjë dokument se si i ka kaluar Tiranës 1.2 milionë eurot që i takojnë nga kupat e Europës.

Në një reagim të bërë pak minuta më parë për çështjen e bllokimit të llogarive bankare prej transfertave të parave në adresë të klubit të Tiranës, institucioni i futbollit shqiptar në vend të sqarojë opinionin për skandalin, sulmon sërish gazetën.

Mirëpo, këtë herë me ndryshimin që pranon atë që është shkruar në “Panorama Sport” gjatë ditëve të fundit. Natyrisht, të të sulmojë kjo federatë që ka sot klubin më të dënuar në planet për trukime ndeshjesh, jo vetëm që është qesharake, por edhe e dhimbshme.

Nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë me skandalin e trukimeve dhe prandaj kanë vendosur t’a vazhdojnë marrëzinë duke sfiduar shtetin edhe kur vjen puna tek transparenca me paratë dhe me manovrat që bëjnë me llogaritë bankare të klubeve.

Gazeta “Panorama Sport” gjithsesi do të vazhdojë misionin e saj për transparencë ndaj publikut dhe do të pasqyrojë me FAKTE gjithçka që ka të bëjë me interesin e opinionit publik.

Ja reagimi i plotë i FSHF:

“Federata Shqiptare e Futbollit e ndjen dhe e ka për detyrë të informojë komunitetin e futbollit, anëtarët e saj por edhe të gjithë opinion publik për atë që gjatë këtyre ditëve është trajtuar si skandal apo kolaps financiar i FSHF-së, me llogari të bllokuara, me rroga që nuk arrihen të jepen në kohë apo deri edhe në veprimtari anti-ligjore nëpërmjet transaksioneve në llogari të dyshimta. Të gjitha pretendimet e ngritura prej dy ditësh nga media Panorama Sport dhe “opinionistë” lidhen me një detyrim që klubi Tirana ka ndaj ish-sponsorit të saj në vitet ‘90, të ndjerit Metush Seferi.

Familja Seferi ka fituar gjyqin me klubin e Tiranës dhe për këtë detyrim, dhe me të drejtë, ka angazhuar një zyrë përmbarimore për vjeljen e detyrimit. Zyra përmbarimore kërkon ta realizojë vjeljen e këtij detyrimi përmes bllokimit të të ardhurave që klubi Tirana siguron nëpërmjet pjesëmarrjes në kampionatin shqiptar dhe në kupat e Europës. Përballë kësaj situate, klubi Tirana, e ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi me një tjetër vendim gjykate. Pra, bëhet fjalë për një konflikt mes klubit Tirana dhe ish-Presidentit, Metush Seferi.

Në asnjë moment nuk ka pasur apo nuk ka një bllokim të fondeve apo të llogarive të Federatës Shqiptare të Futbollit nga të ardhurat që vijnë nga UEFA për pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane. Mediat e interesuara dhe “opinionistët” e përfshirë në këtë çështje, sipas Ligjit për Informim Publik, mund t’i drejtohen Union Bank për të marrë informacionin e saktë në lidhje me këtë pretendim.

Në lidhje me akuzën e rëndë të bërë se paratë që klubi Tirana ka siguruar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një sezon më parë janë kaluar nëpër llogari të ndryshme nga llogaria e klubit, duhet të bëjmë përsëri me dije se të gjitha të ardhurat e UEFA-s kanë kaluar në llogaritë e klubit të Tiranës dhe nëse përmbaruesi nuk i ka marrë dot nga bankat, ky është problem mes përmbaruesit dhe bankës dhe jo Federatës Shqiptare të Futbollit që ka për detyrë që paratë e anëtarëve të saj t’i transferojë në llogaritë e tyre.

Dhe vlen për t’u theksuar se i gjithë ky proces ekzekutimi është i jashtëligjshëm pasi po përpiqet të ekzekutohet një vendim për një shoqëri që tashmë ka mbetur pa administrator dhe në kundërshtim me ligjin po vazhdon të ekzekutohet. Pretendimi i tretë i ngritur këto ditë nga media se Federata Shqiptare e Futbollit është në kolaps financiar, duke hasur vështirësi në pagimin e punonjësve, është një e pavërtetë e madhe. FSHF jo vetëm që nuk gjëndet në një situatë kolapsi financiar, por po vazhdon të kryejë aktivitetin e saj rregullisht dhe është duke kryer investime të rëndësishme në infrastrukturë.

Stadiumi i Kukësit, kompleksi stërvitor “Skënder Halili”, kompleksi stërvitor i klubit Teuta, stadiumi “Niko Dovana”, rinovimi i fushës së stadiumit “Reshit Rusi”, stadiumi i qytetit të Bulqizës, investimi në stadiumin Egnatia, kompleksin Partizani, stadiumin “Tofik Jashari” që janë në proces tregojnë se gjëndja financiare e FSHF është e qëndrueshme dhe e shëndoshë falë menaxhimit shumë të mirë që bëhet nga administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Ky është detyrimi ynë për ju të dashur anëtare të familjes së futbollit dhe për ju të nderuar tifozë e dashamirës futbolli. Ndërsa çakejtë e qentë që lehin për të realizuar objektivat e veta nuk meritojnë as vëmendje e as përgjigjen tonë.”

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Skandali i FSHF-së me paratë e UEFA-s, zbulohet dokumenti që nxjerr blof institucionin e futbollit (FOTO)

EKSKLUZIVE/ Skandal me fondet e UEFA-s, bllokohen llogaritë e FSHF për transferta të jashtëligjshme. Përfshihet edhe Tirana

“Skandal që Federata nën flamurin Kombëtar zhgarravitet nëpër çimentot e klubeve të natës”, Braçe: Bllokimi i llogarive të FSHF-së është i vërtetë

VIDEO/ “Harem” në Kombëtare, shikoni si festonte Duka në Bjellorusi një vit më parë dhe kush e sajdiste me lekë dhe verë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"