Partizani Europian i Lajpcigut 1958!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2018 | 22:46

Partizani Europian i Lajpcigut 1958!

BESNIK DIZDARI

(Pjesa e Tretë)

Prologu: Shqipëria – RD Gjermane 1-1!

…Më duhet të kthehem pak mbrapa. Te maji i këtij viti 1958, saktësisht më 1 maj 1958. Krejt papritmas, duke ditur pakkush, në Tiranë vjen Kombëtarja e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) kur qysh më 29 nëntor 1953, për bukur pesë vjet, Kombëtarja e Shqipërisë kishte zhvilluar vetëm një ndeshje, atë të humbur 2-3 në Pekin me Kinën. E cila më shumë se për rezultatin, mbahej në mend për faktin se në fushën e lojës pati zbritur vetë Kryeministri i Kinës, Çu En Lai, duke u fiksuar foto historike. I vetmi rast në historinë e futbollit botëror, kur një kryeministër – në këtë rast i shtetit me popullsinë më gjigante në botë – del në fotografi me një Kombëtare mike.

Untitled-76

Pesë vjet mbas Kinës, ndeshja me RD Gjermane në ditën e 1 majit 1958, Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit të punonjësve të mbarë botës, siç ia kishte ânda Regjimit të theksonte me bujë, do të tregonte jo pak për nivelin e vetë Kampiones së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Në Tiranë për ndeshjen nuk gjenden biletat dhe trajneri Loro Boriçi formon një 11-sh me 8 lojtarë të Partizanit apo me 8 titullarë të ndeshjes së Kinës. Në prani të të gjithë udhëheqjes së Shqipërisë me në krye E.Hoxhën, si dhe me praninë e zëvendëskryeministrit të RD Gjermane, H.Rau, shpaloset një ndeshje e nivelit të lartë futbollistik. Janë dy shtylla që tronditin portierin Tile dhe shumë shpejt minuta e 6-të dhuron golin spektakolar të Kolec Krajës. E, për fat, kur fitorja shqiptare dukej punë e kryer, dy minuta para mbarimit, në të 88′, Troeger tund rrjetën e Maliqatit dhe 1-1 është përfundimtar! “Duhen ndeshje të tjera për Kombëtaren Shqiptare”, thotë trajneri i RDGJ-së, Godike, duke admiruar skuadrën shqiptare në një ndeshje, pamja e së cilës është kjo:

01.05.1958. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:

SHQIPERIA – RD GJERMANE 1-1

GOLAT: Kraja 6′, Tröger 88′.

SHQIPERIA: MALIQATI / Partizani – DELIALLISI / Partizani, FAGU / Partizani, HALLUNI / Dinamo – NDINI / Partizani, G.MERJA / Partizani – KRAJA / Partizani, DUMA / Dinamo (46′ GJYLI / Dinamo), JARECI / Dinamo, RESMJA / Partizani, DEDA / Partizani. TRAJNER: L.Boriçi.

RD GJERMANE: TILE / SC Wismut – C.DORNER / Dynamo B., B.MÜLLER / SC Wismut, K.ZAPF / SC Empor Rostock – S.WOLF / SC Wismut, MÜHLBÄCHER / Dynamo B. – ASSMY / ZSK Vorwärts, M.KAISER / SC Wismut, TRÖGER / SC Wismut, SCHRÖTER / Dynamo B., WIRTH / Vorwärts. TRAJNER: F.Godike.

GJYQTAR: S.Silard (Hungaria).

SHIKUES: 25.000.

Shqipëria kishte treguar qartë rritjen e futbollit të saj sepse prova ishte bërë përballë RDGJ-së, ndonëse edhe ajo një Kombëtare krejt e përtërirë, por pjesëmarrëse e ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës 1958. Futbollistët e saj ishin atletë të vërtetë të klubeve më të fortë gjermanolindorë si SC Wismut, Dinamo Berlin apo ASK Worwärts dhe emra të tillë si Wolf, Muhlbacher, M.Kaiser, Troger, Assmy, Wirth me në krye kapitenin Schroter, 13 gola në 15 ndeshje, deri në këtë 1 maj 1958, do të ishin shtylla të RDGJ-së për disa vite të ardhshme.

Dhe Shqipëria që ndalon këtu. Shtypi i bën jehonë ndeshjes së shkëlqyer me RDGJ-në, por për Shqipërinë nuk do të ketë Kombëtare edhe për pesë vjet të tjera, deri më 1963! Ishte e pafalshme dhe me ndikime krejt të pakëndshme për në ecurinë e futbollit shqiptar. Askush nuk po e mendonte se kjo ndeshje me tetë lojtarë në Kombëtare të Kampiones shqiptare Partizani, vetvetiu ishte shpalosur një lloj prologu i asaj çka mbas tre-katër muajve kjo skuadër do të befasonte klubet më të fortë të Europës Lindore, pikërisht në RD Gjermane, në Lajpcigun gjerman.

Pa parashikuar askush ritmikën madhështore të një arritjeje të papame, çka mbas titullit Ballkanik të Shqipërisë më 1946 dhe mbas përfaqësimit të saj të jashtëzakonshëm më 1948 në Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore, siç kam shkruar me kohë, për futbollin shqiptar do të përbënte arritjen më të madhe të pasluftës për një skuadër klubi.

PARTIZANI I SHQIPËRISË: 3 GOLA NË 6 MINUTA!…

Nëse do t’i futemi arkivit, është e pamundur që të gjejmë një rast të tillë të bujshëm. Pra, që një klub shqiptar të marrë pjesë në një turne europian, me skuadra shumica tejet të fuqishme e me histori të madhe, e të fitojë 4 herë rresht! Kjo ka ndodhur në rastin e Partizanit të Turneut të Lajpcigut 1958. Ngjarja e parë i përket 19 shtatorit 1958 në stadiumin e Magdeburgut. Është ndeshja Partizani-Ushtria e Vietnamit. Dhe këtu, falë faqeve të përftuara sot prej “Fussball Woche”, mbas bukur 60 vjetëve nis rregullimi i ynë i historisë. Rezultati dihet. Është 5-1 për Partizanin. Golat radhazi nuk ndalin: Resmja, G.Merja, Kraja Resmja, Jashari!… Çudia është se goli i Partizanit vonon plot 55 minuta që të mbërrijë. Emocionet e premierës, me sa duket, kanë bërë punën e tyre. Por ja tek mbërrin minuta e 55-të dhe këtu nis çudia edhe më e madhe. Brenda vetëm 6 minutave, nga 55’deri në 61′, Partizani shënon 3 gola! E nis Resmja 1-0. Katër minuta më vonë G.Merja me krye 2-0.

Partizani 1958

Mbas dy minutash Kraja 3-0! Dhe vetëm mbas 9 minutash të tjerë Resmja po me krye 4-0. Jo fort larg, mbas 10 minutash të tjerë, Jashari shkon në 5-0! Vietnamezët, të cilët zbresin vetëm nja tri a katër herë, shkurtojnë me golin e ashtuquajtur “të nderit” në minutën e 82-të. Autor është gjysmësulmuesi i majtë me emrin si të një note muzikore: Do! “Sport Echo” titullon krejt thjeshtë: “Ushtria e Shqipërisë mund Vietnamin 5-1”, duke e bërë skuadrën e Ushtrisë Vietnameze – skuadër Kombëtare të Vietnamit. Madje, edhe formacionet e skuadrave, për çudi ajo i shkruan shkurt të dyja sikur të ishin Kombëtare: “Shqipëria” dhe “Vietnami”. Ja dhe skeda e botuar sot këtu në “Panorama Sport” për herë të parë në histori:

PARTIZANI – USHTRIA E RD VIETNAM 5-1.

19.09.1958. Magdeburg.

GOLAT: Resmja 55′, G.Merja 59′, Kraja 61′, Resmja 70′, Jashari 80′, Do 82′.

PARTIZANI: Mliqati, Deliallisi, Fagu, Papadhopulli, Ndini, G.Merja, Kraja, Bespalla, Jashari, Resmja, Deda. TRAJNER: R.Spahiu. USHTRIA E VIETNAMIT: Duc, Phan, Quynh, Lai, Nam, Thang, Nghia, Anh, Tien, Do, Than (Thuong 60′). TRAJNER: Trung Ban Buu.

GJYQTAR: Balla (Hungari).

BUKURESHTI, PRAGA, BERLINI I DORËZOHEN TIRANËS

Kështu po më pëlqen t’i përmend këto skuadra ushtarake, me emrat e qyteteve ku ata jetonin. Në të vërtetë kryeqytete – prej çka ky nëntitull, vetvetiu merr përmasa më ndërkombëtare, më shtetase, më europiane. Dhe Tirana (Partizani) që mposht brenda pak ditëve tri kryeqytete të Europës: Bukuresht, Pragë dhe Berlin. Ndryshe CCA, Dukla dhe Vorwarts. Vetëm dy ditë mbas fitores 5-1 me Vietnamezët, më 21 shtator 1958 përsëri në Magdeburg. Partizani prêt CCA-në e Bukureshtit, e cila mbas plot 28 vjetëve (1986) me emrin Steaua do të bëhej Kampione e Europës (Kupa e Kampioneve). Dhe që në formacion si lojtar në këtë 1958 do të ketë edhe një emër që do të bëhej tejet i madh: Jenei, Emerich Jenei – trajneri i Steau në bujën e Kupës së Europës 1986. Fitorja e Partizanit është krejt e ngushtë: vetëm 1-0.

Një gol i Miço Ndinit, gjysmëmbrojtës nr. 1 i Shqipërisë së vogël, mbas një gjuajtjeje prej 17 metrash, në minutën e 61-të fikson rezultatin e paprishur deri në fund. Ajo është cilësuar si një nga ndeshjet më me nivel të turneut. Iniciator është gjithnjë Partizani, i cili mbas një lloj barazie sulmesh, në pjesën e dytë është epror. Nuk kthehet në mbrojtje, madje kërkon golin e dytë, çka numri thuajse i papushueshëm i goditjeve nga këndi flet qartë për epërsinë e tij. Rumunët, të cilët kishin fituar 8-0 me ushtarakët e Vietnamit, e kishin menduar krejt ndryshe këtë ndeshje, ndonëse nuk mund të harronin Kombëtaren e Shqipërisë të viteve ’40, e cila e kishte mposhtur dy herë Rumaninë.

Dhe gjithnjë thjesht 1-0, duke u bërë ky rezultat krejt fatal për ta. “Fussball Woche” ngre lart skuadrën shqiptare teksa shkruan se “para 20.000 shikuesve ekipi rumun i Ushtrisë, ndonëse mendohej në përparësi, papritmas u mposht prej Partizanit të Tiranës”. Ndërsa më tej, autori i shkrimit, gazetari Gunther Honig, ngre lart Resmen, “të brendshmin e majtë” siç ia përcakton drejt rolin e gjysmësulmuesit, “që u tregua një personalitet i jashtëzakonshëm, teksa ishte kudo”. “Shqiptarët janë me meritë fitues të grupit”, titullon Honig. Mbërrijmë kështu te skeda e ndeshjes, gjithashtu e risaktësuar sot për herë të parë:

PARTIZANI – CCA BUKURESHT 1-0

21.09.1958. Magdeburg.

PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; Kraja, Jashari, Bespalla, Resmja, Deda. TRAJNER: R.Spahiu.

CCA: Toma; Zavoda II, Nag, Staicu; Jenei, Onisie; Cacoveanu, Constantin, Alexandrescu, Zavoda I, Michaliescu (Bone 60). TRAJNER: G.Popescu. GJYQTAR: Bergman (RDGJ).

GOLAT: Ndini 61′.

SHIKUES: 18.000.

Renditja e këtij grupi të përbërë prej tri skuadrash, që gjithashtu po botohet këtu për herë të parë në histori, është kjo:

1. PARTIZANI / Tiranë 4 2 0 0 6-1

2. CCA / Bukuresht 2 1 0 1 8-1

3. USHTRIA e RD Vietnam 0 0 0 2 1-13

Kjo do të thotë se Partizani dhe CCA kalojnë në tetëshen (1/4) mëtuese. Pikërisht prej këtu do mbërrihet te drama e duelit Pragë-Tiranë të një turneu që do të shfaqej krejt i pamëshirshëm për synuesit e mëdhenj Honved i Budapestit, CSKMO (CSKA) e Moskës, Dukla e Pragës, CCA e Bukureshit, Vorwarts e Berlinit, Legia e Varshavës… Ndeshja e 1/4-tave për Partizanin do të luhej vetëm 48 orë mbas fitores me CCA, në Halle të RDGJ-së: 23 shtator 1958. Përballë pra, është e famshmja Dukla e Pragës. Dhe 90 minuta lojë 0-0.

Prej këtu te 30 minutat shtesë të përtej një drame. Gazetari Werner Stueck titullon: “Hidhërimi që tejkaloi rutinën”. Me sa duket, edhe mbas fitores ndaj CCA, shtypi gjerman prapë nuk e mendonte triumfues Partizanin, as ndaj Duklës së famshme, në 11-shin e së cilës do të ishin dy yje botërore: Josef Masopust dhe Vladislav Novak legjendar – mbas katër vjetëve (1962) të dy – Nënkampionë të Botës përballë Brazilit mitik të Peles dhe Garincha-s. Më 1991, në Hotel Tirana të Tiranës kam kaluar një mbrëmje të pashlyeshme me Novakun, i cili kishte ardhur me Çekosllovakinë për ndeshjen me Shqipërinë të “EURO 1992”. Kam shkruar te “Libri i Kombëtares”: “…

Në mbrëmje kam rastin të rri me Nënkampionin e Botës, Vladislav Novak, dhe me Nënpresidentin e UEFA-s, Vaclav Jira – i pari i dorëzuari i Partizanit në Lajpcig me gjithë Duklën e tij; i dyti po ashtu ndaj Kombëtares së Myslym Allës në dy të paharrueshmet Shqipëria -Çekosllovakia më 1952. Nuk mund të them se i kishin komplimente gjithë ato fjalë të mira…”. Nuk e harronte Navaku golin shkatërrues të Partizanit 1958. Gjithçka kishte qenë vepër e Refik Resmes në të 97′. Në të vërtetë një kryevepër “resmjane” – e kjo nuk është një neologjizëm, por një epitet i së vërtetës. Goditje sa e një teknike të përkryer po aq dhe e një fuqie të jashtëzakonshme, duke e tronditur tejet psikologjikisht portierin e mirënjohur Kouba, i cili qysh nga ky çast humb krejtësisht qetësinë e tij, teksa ndërrohet menjëherë me portierin Pavlis. Ishte një gol i rrallë, të cilin Novaku nuk do të harronte kurrë, teksa ma pohonte në atë mbrëmje tiranase të mbas plot 33 vjetëve!… Kështu është. Edhe futbolli ka perlat e tij, të cilat me kalimin e viteve shndrisin edhe më fort në dritën e kujtesës së pashlyeshme… …

Gazetari gjerman Stueck shkruante ndërkaq, në shkrimin e tij se “qyteti Halle ka përjetuar një ndër lojërat më dramatike të të gjitha kohërave, çka ka befasuar tejet 20.000 spektatorët. Gjysmësulmuesi Resmja është një njeri për të mos u harruar kurrë. Edhe në mbarim të 120 minutave shqiptarët ishin aty, të pandalshëm përballë Cadekut dhe Novakut me shokë”… Ai ishte një Partizan i një vendosmërie të jashtëzakonshme, i një futbolli madje të hapur, e sulmues, pavarësisht nga rezultati i ngushtë, teksa goditjet nga këndi janë 7-4 për të.

Dhe një Maliqat trupvogël i një futbolli të madh; vetëm 1 gol i pësuar në tri ndeshje, çuditërisht ky, një gol vietnamez! Mbërrij kështu te “zbulimi” për herë të parë i skedës së kësaj ndeshjeje, së cilës deri më sot i dinim vetëm golashënuesin Resmja në të 97′ dhe vetëm kaq. Tek është pra, edhe “zbulimi” i saj i mbas 60 vjetëve. Dhe çudia e madhe: ishte dhe rasti i parë që Partizani bënte një ndërrim. Kraja me Shehun. Në dy ndeshjet e para skuadra shqiptare kishte luajtur gjithnjë me vetëm 11 lojtarë!… Skeda është kjo:

23.09.1958. Halle:

PARTIZANI – DUKLA PRAGE 1-0 (120′)

GOLAT: Resmja 97′. PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; Kraja (Shehu 32′) Bespalla, Jashari, Resmja, Deda. TRAJNER: R.Spahiu.

DUKLA: Kouba (Pavlis 100′); Safranek, Cadek, Novak; Dvorak, Masopust; Kordula (Sura 74′), Brumovski9, Benc, Borovicka, Kopamnicky. TRAJNER: Kolsky.

GJYQTAR: Jonesku (Rumani.

SHIKUES: 20.000

Tash e kishte radhën Berlini. Përsëri vetëm mbas 48 orëve, 25 shtator 1958. Brenda në Berlin. Kjo është ndeshja e 1-2-tave pra, ajo gjysmëfinale. Titulli i reportazhit të ndeshjes është krejt i qartë: “Një rënie në momentin e gabuar”. Autori është gazetari H.G.Burghause. Sigurisht, kjo assesi nuk mund të ta kujtojë titullin e filmit të famshëm sovjetik “Rënia e Berlinit’, sepse ajo ishte luftë e vërtetë midis armiqsh, ndërsa kjo ishte ndeshje futbolli midis miqsh. Ndonëse ushtarakë edhe këta. “Rënia në momentin e gabuar” cilësohet sepse edhe në këtë rast, sidomos gjermanët vendës, nuk e besonin që në Berlinin e tyre do të eliminohej kësisoj Vorwarts-i i tyre prej Partizanit të Shqipërisë. Aq më tepër se, për të ardhur këtu, skuadra gjermane kishte eliminuar me 2-1 CSKMOO (CSKA) të Moskës të trajnerit plot famë Boris Arkadjev. Dhe mbas saj me 3- 0 HonvedineDunait e sidomos të Bozhikut – të Hungarisë së bujshme. Mirëpo, ndaj tij triumfon me 2-1 Partizani i Tiranës apo qoftë dhe i Ushtrisë Popullore të Republikës së Shqipërisë. Gjithçka ndodh ka një rrjedhë çuditërisht më eprore se në dy fitoret e fundit të Partizanit. Kështu ngaqë kësaj radhe Partizani “heq dorë” prej rezultatit 1-0 dhe e drejton këtë fitore duke udhëhequr deri në 2-0. Shënon në të 35′ Ndini – fryt i kombinimit Resmja – Deda – Ndini. E, çdo ngjarje ka të bëjë me Resmen. Kështu edhe në golin e dytë, kur Refiku gjuan fort, grushton portieri më i madh gjerman i kohës, Spickenagel dhe Simon Deda aty afër tund rrjetën në 2-0. Ishte minuta e 79-të. Gjermanët shkurtojnë me Vogt në të 85′, por mbas kësaj minute Bespalla për pak sa nuk e çon gjithçka në 3-1. “Fussball Woche” nuk ndalet në kritikën e tij, madje për çastin duke harruar disi afirmimet për Partizanin, edhe pse në një ndeshje thuajse në një epilogu heroizmi të vërtetë sportiv. Merre me mend: 4 fitore brenda vetëm 6 ditëve, nga 19 deri më 25 shtator 1958. Historia e futbollit botëror nuk mund të njihte një turne kaq të rrufeshëm, me ndeshje gati çdo ditë në të cilët një skuadër shqiptare sfidonte kësisoj klubet më të shquar të Europës Lindore. Skeda e ndeshjes, me plot risaktësime të tjera, ka këtë pamje përtej historisë:

25.09.1958. Berlin:

PARTIZANI – ASK VORWÄRTS BERLIN 2-1

GOLAT: Ndini 33′, Deda 79′, Vogt 85′.

PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; R.Haxhiu, Bespalla, Jashari (T.Shehu 60′), Resmja, Deda. TRAJNER: R.Spahiu.

ASK WORWÄRTS: Spickenagel; Kalinke, Kiupel, Krampe; Unger, Herrmann; Assmy, Kaulmann, Vogt, Meyer (Wachtel), Wirth. TRAJNER: R.Fritsche. GJYQTAR: Velcek (Çekosllovaki).

SHIKUES: 22.000.

ARI I CDNA-SË DHE ARGJENDI “I ARTË” I PARTIZANIT

Për fat, me Vorwarts-in ndalon triumfi partizanas. Dorëzimi dinjitoz te CDNA e Sofjes së Bullgarisë, në të vërtetë, nuk mund të quhet dorëzim. Mbas 4 fitoreve, në çdo dy ditë, katër ditët “e largëta” për te finalja me CDNA, sido që të ndodhte, Partizani e kishte interpretuar plot burrëri sensacionin e tij. Do t’i lëshonte rrugë pra kampiones së Bullgarisë CDNA me vetëm 0-1. Asaj skuadre, e cila në këtë finale kishte ardhur me këto rezultate: 3-3 me Ushtrinë e Kinës, 5-0 me atë të RDP të Koresë, 4-3 me CSKAMO (CSKA) të Moskës… Këtu, po. “Fussball Woche” thotë qartë se në Stadiumin Qendror të Lajpcigut janë plot 100.000 spektatorë. Them se kjo është ndeshja e vetme deri më sot kur një skuadër shqiptare ka luajtur para 100.000 spektatorëve. Ky është rekordi shekullor i Partizanit shqiptar (e ai ka rekorde të pafund).

E pra, çka qe ndeshja finale e Spartakiadës së “Ushtrive mike” të Lajpcigut? Këto dit kam gjetur mbulesën (kopertinën) e “Fussball Woche”-s, të cilën po e botojmë këtu. Nuk ka vënë ekipin bullgar si fitues. Ka vënë foton e vetëm një njeriu. Ky është futbollisti i famshëm bullgar Kiril Rakarov (58 ndeshje me Bullgarinë) – shënuesi i golit të vetëm në finalen ndaj Partizanit. Të duket sikur revista gjermane ka dashur të thotë se këtu nuk ka fituar skuadra, por një njeri i vetëm me emrin Rakarov. E në brendësi titulli është krejt i qartë” “Përcakton një goditje e lirë e Rakarovit”. Episodi që vlente sa medaljet e arta, i përket minutës 64. Është një goditje dënimi, e ekzekutuar nga Rakarov dhe rrjetë!

Çka pasohet me nxjerrjen jashtë të Papadhopullit për një ndërhyrje disi të ashpër. E vërteta është se kjo finale, më shumë se lojë sulmuese, është një futboll qëndrese të admirueshëm të një Partizani doemos edhe disi të lodhur. Qëndresë që mbetet emblematike për 64 minuta të tana. Dhe me 45 minutat e para thuajse të barabarta, por me protagonist Gani Merjen, i cili me “shutin” e tij të frikshëm godet shtyllën e Naidenovit! Pjesa e dytë është e gjitha e bullgarëve, aq më tepër që në 13 minutat e fundit Partizani luan me një lojtar mangët. Por që nuk do të dorëzohet, duke u duartrokitur thuajse po aq sa dhe fituesja e shquar bullgare, CDNA e Sofjes, e cila ashtu si dhe Partizani, edhe ajo ishte pothuajse e gjitha Kombëtarja e Bullgarisë: Naidenov, Rakarov, Manolov, Boshkov, Dimitrov, Panajotov, Kolev… Po përballë tyre, reporteri i “Fussball Woche”, Roolf Gabriel, nuk nguron të përcaktojë se “Resmja është një sulmues me të vërtetë i rrallë dhe se të jashtëzakonshëm ishin edhe Fagu e portieri Maliqati”. Skeda, natyrisht edhe kjo me disa “zbulime” të vogla, është kjo:

Fundore (Finale) e Turneut:

PARTIZANI – CDNA SOFJE 0-1

28.09.1958.Laipcig. Staiumi Qendror i Lajpcigut.

GOLAT: Rakarov 64′.

PARTIZANI: Maliqati; Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli; Ndini, G.Merja; R.haxhiu (Shehu 70′), Bespalla, Jashrti, Resmja, deda. TRAJNER: R.Spahiu.

CDNA: Naidenov; Rakarov, Manolov, Kovaçev; Dr.Boshkov, Stojanov; Martinov (Milanov 66′), Dimitrov, Panajotov, Kolev, Janev. TRAJNER: Milev.

GJYQTAR: Aleksandër Wicz (Poloni).

SHIKUES: 100.000.

Duke e vështruar gjithçka me qetësinë e mbas 60 vjetëve, them se fitorja 5-1 e Partizanit ndaj skuadrës së Ushtrisë së Vietnamit, ishte diçka që deri diku parashikohej. Por të tjerat assesi. Të fituara të gjitha me vetëm 1 gol ndryshim dhe vetëm me 3 gola të pësuar në krejt turneun, përjetohej qartë loja racionale e Partizanit. Një mbrojtje e hekurt me në krye portierin Maliqati, i cili do të merrte epitetin “macja e zezë”; me një dyshe të gjysmëmbrojtjes Ndini – G.Merja, e cila ka qenë vendimtare, si dhe një pesëshe sulmi të një Refik Resmje dhe Robert Jashari të shkëlqyer, ku dy krahët, Deda, dhe sidomos Kraja, do të habisnin mijërat e spektatorëve gjermanë me shpërthimet e tyre anësore dhe topat e rrufeshëm që çonin drejt qendrës së sulmit.

Golat e Partizanit janë krejt të veçantë dhe elektrizues madje. I rrallë ai Ndinit nga 17 metra larg kundër CCA të Bukureshtit, bombë e pandalshme ai i Resmes kundër Dukla të Pragës në të 97′ në ndeshjen dramatike 120-minutëshe. Kulmorë golat e Partizanit kur ai kryeson 2-0 ndaj Worwärts të Berlinit, ai i Ndinit që vjen prej një kombinimi mes Resmes e Dedës, si dhe ai i vetë Dedës, i cili ndjek gjuajtjen e Resmes të kthyer nga portieri gjerman. Partizani humbet fundoren (finalen) me CDNA të Sofjes – e gjitha Kombëtare e Bullgarisë – vetëm 1-0 prej një goditjeje dënimi nga 16 metra dhe luan 15 minutat e fundit me një lojtar mangët. Krejt normale për një Turne jo klasik europian, por i një gjeopolitike demonstruese të shteteve komuniste, madje euroaziatike.

Këto ndeshje kanë pasur një seriozitet të mirëfilltë të rangut europian. Të 11 skuadrat që morën pjesë ishin kampione apo nënkampione të vendeve të tyre. CSKMO e Moskës, CDNA e Sofjes, CCA e Bukureshtit, Worwärts e Berlinit, Dukla e Pragës, Legia e Varshavës, Honved i Budapestit… Dihej, kishin një emër të spikatun europian dhe thuajse ishin Kombëtare të vendeve të tyre. Worwärts kishte në 11-shin e tij 9 lojtarë të Kombëtares së RDGJ, CCA e Bukureshtit 12 lojtarë të Kombëtares së Rumanisë, po kaq 12 lojtarë Kombëtares kishte edhe Legia e Varshavës, 9 lojtarë Dukla e Pragës, 8 lojtarë të Hungarisë, Honvedi i Budapestit, 12 lojtarë të CDNA ishin të Kombëtares së Bullgarisë (10 të 11-shit të parë), CSKMO e Moskës kishte 8 lojtarë të fanellës së BRSS. Kësisoj, ndeshjet duhen konsideruar gati si midis Kombëtareve të këtyre vendeve. Emrat janë të rangut më të lartë europian: Apolzan, Toma, Jenei, Pluskal, Novak, Masopust, Urban, Dvorzak, Bozhik, Budai I, Budai II, Tihi, Spickenagel, Assmy, Naidenov, Rakarov, Boshkov, Panajotov… Dhe këtu mbyllet pjesa e tretë e Dossieri-t tonë të rrallë. Në numrat e ardhshëm do të kemi pjesën e katërt dhe të fundit, e cila nuk do të ngjasojë assesi me tri të parat. Ajo të ketë “guximin” tonë gazetaresk për t’u ballafaquar me futbollin tonë të vitit 2018. Naivitet? Paksa durim!…

* Për vazhdimësi shih pjesët I dhe II të këtij Dossier-i në “Panorama Sport” të 10 e 18 shtatorit 2018. “Fragment” i faqes së parë të gazetës së Tiranës, “Sportit Popullor” të 1 tetorit 195

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"