Çmenduria në Cërrik, Policia jep detajet: Arrestuam në flagrancë lojtarin dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2021 | 17:54

Çmenduria në Cërrik, Policia jep detajet: Arrestuam në flagrancë lojtarin dhe…

Pas çmendurisë së ndodhur ditën e djeshme në Cërrik, ku futbollisti i Mirditës, Armando Marku, i cili luante me emër tjetër, Ylli Gjegja, goditi keq arbitrin e ndeshjes, ka ardhur edhe sqarimi i Policisë. Këta të fundit për mediat, kanë njoftuar se kanë arrestuar në flagrancë lojtarin, ndërkohë që bëjnë me dije se materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

pjimage-111

 Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 31 vjeç, banues në Rubik (sportist i një klubi sportiv), pasi në stadiumin “Nexhip Trungu”, Cërrik, gjatë zhvillimit të ndeshjes midis dy ekipeve sportive, ka goditur me grushte, për motive të dobëta, arbitrin e ndeshjes, shtetasin K. Q., 25 vjeç, banues në Vlorë.  

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

ÇFARË NDODHI

Çmenduri në Cërrik, lojtari rreh arbitrin dhe arratiset. Vetëm 44 minuta zgjati ndeshja mes Sopotit dhe Mirditës, e cila luhej në stadiumin “Nexhip Trungu” (për shkak të dënimit të fushës së librazhdasve). Ekipi pritës ka gjetur golin pas vetëm 12 minutash lojë me anë të Mziut, ndërsa në të 14- ën miqtë barazuan me Përgegën. Skuadra nga Librazhdi nuk u dorëzua dhe kur kronometri shënonte të 25-ën, gjeti sërish avantazhin me Sejdinin. Kur po afrohej fundi i pjesës së parë dhe po ekzekutohej një korne, ndodh edhe çudia.

GRUSHTET NDAJ ARBITRIT

Futbollisti i mirditorëve me numrin 2 (Ylli Gjegja) kapet me tifozët. Disa ultras që kishin udhëtuar nga Librazhdi për të mbështetur ekipin e shajnë dhe ai u përgjigjet. Për gati 2 minuta mes ofendimeve, kryesori Klajdi Qëndraj i tregon të kuqin. Kjo nuk është pritur mirë prej lojtarit. Pasi i afrohet dhe e godet në gjoks, e grushton 2-3 herë në hundë. Arbitri nga Vlora gjakoset dhe menjëherë ndërhyjnë stafet drejtuese dhe policia për të qetësuar situatën. Në këtë çast gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjes u drejtohen dhomave të zhveshjes. Pasi kanë folur, kanë vendosur që ta ndërpresin këtu lojën. Arbitri e kishte të pamundur që të vazhdonte dhe i drejtohet spitalit të Cërrikut për të marrë ndihmën e parë. E megjithatë, grafinë e ka lënë për ta bërë kur të shkojë në Vlorë.

ARRATISJA NGA DRITARJA

Policia ka shkuar për të marrë agresorin Ylli Gjegja në dhomat e zhveshjes, por në atë moment konstatojnë se ai nuk ishte. Gazeta “Panorama Sport” mëson se ai ishte kyçur dhe më pas ishte larguar nga dritarja e banjës. Të gjithë janë habitur dhe policia ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e veta. Është kërkuar edhe ndihma e forcave “Shqiponja” nga Elbasani, që kanë shoqëruar ekipin e Mirditës dhe stafin drejtues në komisariatin e policisë të Cërrikut. Gjithashtu, aty kanë shkuar dhe arbitrat bashkë me vëzhguesin dhe delegatin. Ata janë marrë në pyetje, për të zbuluar më shumë për agresorin.

I DËNUAR QË NË PRILL

Klajdi Qëndraj ka bërë kallëzim penal për dhunuesin, ndërsa lojtarët miq dhe stafi janë pyetur për gati dy orë nga ana e oficerëve. Aty është mësuar që nuk ka qenë Ylli Gjegja ai që ka goditur me grushte arbitrin, por Armando Marku. Ky i fundit është gjithashtu lojtar i Mirditës, e megjithatë nuk mund të aktivizohej. Ai ishte i dënuar me 12 muaj nga Komisioni i Disiplinës dhe sërish për dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes më 2 prill 2021. Gjegja ishte llogaritur si titullar, por është dëmtuar në nxehmje. Duke qenë se mirditorët nuk bënin dot 11 lojtarë, kanë vendosur që të aktivizojnë pikërisht Markun, ndonëse me emrin e Gjegjës e duke shkelur rrjedhimisht rregulloren.

LEXO EDHE:

FOTO/ Film aksion gjatë ndeshjes Sopoti-Mirdita, futbollisti gjakos gjyqtarin, izolohet në dhomë, por arratiset nga dritarja

Dhuna ndaj gjyqtarit në Cërrik, Mirdita kërkon ndjesë publike: Ishin akumulimet e gjithë sezonit, lojtarët tanë janë ofenduar masivisht

EKSKLUZIVE/ Futbollisti gjakosi arbitrin, reagon trajneri i Mirditës: Ja pse futa një lojtar të dënuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"