Burreli, në duart e dy skuadrave të “play off”-it. Lleshaj: Asgjë nuk ka përfunduar, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2024 | 13:06

Burreli, në duart e dy skuadrave të “play off”-it. Lleshaj: Asgjë nuk ka përfunduar, ia dalim

Me fitoren kundër Lushnjës te Burreli janë qetësuar disi ujërat dhe është rritur shpresa e mbijetesës. Duke iu referuar statistikave, fitorja ndaj lushnjarëve mungonte prej kohësh. Sipas sekretarit të klubit, Marjan Lleshaj, ndeshja me Lushnjën ishte e vështirë për vetë situatën në renditje. 

burreli fest

“Morëm një fitore të rëndësishme përballë një skuadër të vështirë. Fitorja erdhi në saj të lojës plot grintë. Pas 4 humbjeve radhazi, trepikëshi me Lushnjën ishte e vetmja alternativë që na jepte shpresë për vazhdimësinë. Fituam sepse skuadra tregoi dëshirë dhe forcë karakteri. Një fitore kundër një skuadre rivale është shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë”, u shpreh fillimisht kreu i klubit, Marjan Lleshaj, që më herët ka kontribuar edhe si futbollist te Burreli.

Kalendari i dy javëve të fundit u rezervon matjanëve sfida shumë të vështira. Fillimisht në transfertë kundër Korabit e më pas e mbyllin me Apoloninë në “Liri Ballabani”. “Pavarësisht fitores kundër Lushnjës, për Burrelin asgjë nuk ka përfunduar. Janë edhe 180 minuta lojë dhe një hap fals në këto momente kushton shumë. Përqendrimi te dy ndeshjet e fundit do të jetë maksimal. Kundër Korbit do të jetë e vështirë, pasi dibranët kanë një skuadër të fortë që më meritë është në gjashtëshen e parë. Duke u nisur nga paraqitja e mirë e skuadrës ndaj Lushnjës, jam optimist se edhe në 180 minutat e fundit do të kenë të njëjtën paraqitje”, përfundoi Lleshaj.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"