SPECIALE/ Sekretet e Liqenit, puthjet e të dashuruarve dhe maniakët që përgjonin çiftet

Sep 1, 2016 | 18:53
SHPËRNDAJE

Ai vazhdon të jetë ende një vend i preferuar, madje në këtë ngushtim ndërtesash që të merr frymën, Kodrat e Liqenit mbeten e vetmja copëz oksigjeni. Por kjo hapësirë që frekuentohet prej mijëra kryeqytetasve, e ka një histori. Argëtimi familjarisht në fundjavë në Tiranë apo qytete të tjera ka qenë i kufizuar dhe me mundësi të pakta. Në të vetmen ditë pushimi, të dielën, një pjesë e kryeqytetasve merrte rrugën për në plazhin e Durrësit me trenat vajtje-ardhje stërmundues, ndërsa pjesa tjetër vërshonte drejt Shën Prokopit, duke shfrytëzuar qëndrimin në Parkun e madh, në periferi të qytetit.

Femra te lqeni reklam Isa

Një argëtim që u kthye në traditë rreth viteve ’80, përmes piknikëve familjare, me ushqim, batanije me vete, si dhe radio “Iliria”. Nuk mund të mos kujtojmë banjat fshehurazi dhe plazhin e ndaluar te Liqeni Artificial, bashkë me historitë e bujshme të dashurive, puthjet e para e maniakët që ndiqnin çiftet. Cila është historia e asaj zone ku Mbreti Zog ngriti Pallatin Mbretëror, por që nuk qëndroi asnjë ditë. Nga aksioni me punë vullnetare për sistemimin e Parkut të Liqenit Artificial, te Kisha e famshme ku u xhirua filmi “Skënderbeu”, që më vonë u kthye në restorant “Liqeni”. Çfarë ishte “gjiri…”, që mori famë si vendi klandestin i vajzave që “harboheshin” në atë kënd të ndaluar të Liqenit?

NGA PALLATI I ZOGUT, TEK AI I BRIGADAVE

Ai që vuri dorë i pari në zonën e pyllëzuar në kodrën në jug të Tiranës ishte Mbreti Zog, që ndërtoi Pallatin Mbretëror, e pranë tij vendosi edhe Memorialin e Nënës Mbretëreshë, Sadije Toptani. U mendua t’i shërbente mbretërisë, por vetë Zogu nuk e frekuentoi asnjë ditë atë, pasi ai u largua nga Shqipëria përpara përfundimit të ndërtimeve. Por në të ka fjetur Perandori i Italisë, Viktor Emanueli III, gjatë qëndrimit disaditor në Tiranë, në vitin 1941.

Me ardhjen në fuqi të pushtetit popullor, ata e hodhën në erë memorialin, por ruajtën ndërtesën, që mori emrin Pallati i Brigadave dhe u kthye në një vend pritjeje për qeverinë dhe organizimin e evenimenteve zyrtare. Në fillim të viteve ‘50 u hodh ideja për ndërtimin e një Parku Kombëtar bashkë me një basen uji, që u njoh si Liqeni Artificial i Tiranës. Projekti u realizua me aksion popullor gjatë viteve 1955-58, duke krijuar së bashku një kompleks funksional, një liqen me 55 hektarë dhe parkun gjigant me 190 hektarë.

Gjiri...Isa

Parku kufizohej nga lindja me Rrugën e Elbasanit, Pallatin e Brigadave, kodrën “Naltësia e saj”, me ndërtesën që fillimisht u ideua si konvikti “Nana Skenderbeg”, pastaj shërbeu si spital ushtarak, më vonë si Shkolla e Partisë dhe në vitin 1962 për Universitetin Gjeologji-Miniera; në veri Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Korpusi Qendror i Universitetit, Garda e Republikës (ish-Garda e Mbretërisë) dhe një digë me gjatësi 400 m, me qëllim që të pengonte ujin, nëse rrezikonte Tiranën. Mbi digë ishte rruga për këmbësorë që të çon te Kopshti Zoologjik e ai Botanik. Pjesa jugore nuk frekuentohej, pasi ishte e pabanuar e aty ndodhej vetëm fshati Sauk. Zona që e lidhte ishte Tirana e Re, me gjimnazin “Petro Nini” si pikë referimi.

FILLIMET, FREKUENTUES VETËM TË HUAJ

Ndonëse afër Tiranës, deri në vitet ‘60-‘70, kryeqytetasit e kishin thuajse të ndaluar të shkonin dhe argëtoheshin aty. Andej pari mund të shihje vetëm pak të huaj, kryesisht personel i ambasadave që lëviznin me biçikleta, gjithmonë të ndjekur nga njerëzit e Sigurimit, kryesisht te Kisha e Shën Prokopit, Monumenti i Vëllezërve Frashëri, varret e ushtarëve gjermanë dhe britanikë (rreth 45 të tillë), të rënë gjatë Luftës II Botërore, që nuk u hoqën, madje u lanë aty për shumë kohë.

Nuk kishte asnjë ndërtesë të madhe apo banuese, disa veranda, dhe më vonë (1971) u ndërtua amfiteatri aktual. Mali i Dajtit, pak frekuentohej, pasi vajtja atje në formë pikniku, qëndrimi familjar ditor nuk ishte komod, për shkak të mungesës së automjeteve, ndërsa dhe autobusi shkonte deri në Kinostudio. Ai ishte i panjohur për banorët e kryeqytetit, kishte vetëm një kamp pushimi për pionierë që shërbente gjatë periudhës verore dhe për sistemimin e qëndrimin e ekskursionistëve që shkonin aty në këmbë në periudhën e dimrit.

LIQENI, NJË PLAZH I RREZIKSHËM DHE I NDALUAR

Deri në fund të viteve ‘60 nuk është lejuar që popullsia e Tiranës, kryesisht fëmijët, të laheshin në liqen, pasi në çdo sezon mbytej dikush. Megjithatë, fshehurazi, me apo pa leje, për praktikuesit mundësohej larja. Me ndërtimin në vitin 1965 të rezervuarit në Sauk, ai filloi të shërbente edhe si vend për banjë, pasi ishte jashtë kontrollit. Është shfrytëzuar më shumë nga sportistët, si i vetmi vend ku mund të laheshin (pishina e vetme ishte ajo e Pallatit të Sportit “Partizani”, ndërtuar në vitin 1963, edhe ajo e mbyllur), pasi Tirana nuk kishte një të hapur.

Kisha ShenProkopit ndwretim Isa

Ndërkohë, liqeni, bashkë me gjiret e vogla të vendosura në rrethinat e tij, vite më vonë kanë shërbyer si plazhe të vogla për kryeqytetasit, sidomos ditëve të verës, e atyre të pushimit në fundjavë. Fillimisht të rinj, kryesisht djem e shumë pak vajza i frekuentonin në fshehtësi ato gjire. Lejohej vetëm te Zadra prej betoni, kështu quhej vendi i garave dhe stërvitjes së notarëve (diçka ka mbetur edhe sot nga ajo pedanë notimi). Pranë tyre ishin disa shkallë, kabinat e notarëve dhe banjat publike.

Në vitet 1965 filloi stërvitja e organizuar e klubeve të notit të kryeqytetit me trajnerët Esat Muzina, Arben Jorgoni, Sadik Mema, Emin Gripshi, Emin Lishi, por edhe notarët e njohur, Ilir Gjebrea, Hysni Bregu etj. Ai që mbetet i paharruar për të gjithë ishte Tasim Harxhi, profesori i Histori-Filologjisë, i cili dimër verë përshkonte liqenin nga një cep te tjetri. Në liqen ka pasur edhe varka druri me lopata, me qira (10 lekë ora), varka ushtrie për manifestime, por edhe motoskafë. Liqeni është shfrytëzuar edhe nga amatorët e peshkut, që me orë të zgjatura qëndronin aty, por shumë pak ishte mundësia për të zënë peshk.

MJEDISI I PARKUT NË FILMAT SHQIPTARË

Në historinë e Kishës dhe të Parkut janë të lidhura edhe mjaft episode që kanë të bëjnë me xhirime të filmave shqiptarë. Në mjediset përreth Kishës janë realizuar fragmente nga filmi “Skënderbeu” në vitin 1953, siç janë skenat e Kuvendit të Lezhës, takimi me përfaqësuesin e Venedikut dhe ndarja nga jeta e Skënderbeut. Ndërsa historia e Bujar Kapexhiut për filmin e tij “Stola në park” është krejt ndryshe, madje edhe sot kujtohet nga punonjësit e Kinostudios.

Kisha_e_Shen_Prokopit_filmi_Skanderbeg

Duke qenë se i duhej një “zhurmë nate”, dërgon operatorin e zërit të regjistrojë fragmente pikërisht te Parku. Pasi e ka vendosur magnetofonin në një ferrë dhe është larguar për t’u kthyer më vonë, të nesërmen gjatë montimit në studion e zërit, dëgjoheshin fjalët: “Mos më prek të lutem, aman, mos të lutem”, pasi pa e ditur, pranë magnetofonit ishte ulur një çift të dashuruarish.

DASHURI E “LEJUAR”, PUTHJET E PARA

Parku, Kisha e Shën Prokopit apo Liqeni ka qenë vendi i preferuar për të bërë dashuri. Gjatë një ore të braktisur mësimi, leksioni, por edhe në mesditë, në mbrëmje, të fshehur në një qoshe të tij, stol apo verandë, përballë liqenit, aty janë puthur e përqafuar të gjithë. Nuk ka kryeqytetas, por jo vetëm, që puthjen e parë të mos e ketë dhënë atje tek ai Park, ose të mos jetë puthur një herë te Liqeni apo “nën bekimin” e Kishës. Liqeni mbetet historikisht vendi i të dashuruarve pa kufij moshe, pasi konsiderohej si vend i qetë, larg shikimeve, njohjeve, të pangacmuar dhe të padukshëm, duke evituar e shmangur daljen e lëvizjet publike. Ai Park i Tiranës ka regjistruar dashuri të bujshme, njohje të famshme, ka fejuar e martuar breza të tërë.

MANIAKËT E ÇIFTEVE

Pasioni i tyre ishte të përgjonin çifte në momentet intime. Ishin të moshave të ndryshme, por më shumë ata me moshë të thyer, oficerë të dalë në pension, beqarë. Qëndronin gjithë ditën, duke u endur nga njëri skaj te tjetri i Parkut, me shpresën për të gjetur “gjahun”. Dhe ishin mjeshtër në mënyrën si afroheshin pa zhurmë, me mjaft kujdes e delikatesë pranë çiftit. Nuk i shqetësonin, madje edhe kur zbuloheshin, largoheshin pa u turpëruar, pa fjalë.

liqeni dreke

Njiheshin nga frekuentuesit e Liqenit, madje edhe nga policia, pasi aty ishin gjithë ditën, javën e muajin…, në çdo kohë. Por, edhe ushtarët e Gardës ishin ndjekës të rregullt të çifteve, madje edhe sportistë në raste të veçanta. Në përgjithësi, nata ishte e frikshme në pyllin pa fund të parkut, ndryshe paradite, apo në mesditë, të cilat garantonin më shumë siguri për të dashuruarit.

ME RADIO “LIRIA” DHE USHQIM ME VETE

Në vitet ‘80, vajtja te Liqeni u kthye në një formë argëtuese për familjet kryeqytetase. Pasi gatuanin në mbrëmjen e së shtunës, të nesërmen me çanta në dorë, batanije, apo shtresa për të shtruar, të gjithë merrnin rrugën për te Liqeni. Pa harruar një radio dore, kryesisht “Iliria”, prodhim i URT-së Durrës, të pranishme në çdo familje, apo “Fatosi”, e në raste të veçanta magnetofona.

Nga ora 10 e paradites deri në mesditë, familje të bashkuara, grupe miqsh, qëndronin ulur në shesh, duke ngrënë e pirë verë, birrë e raki nën hijen e pemëve dhe freskisë që ofronte mjedisi i Parkut, duke luajtur me letra, siç ishte ajo 5×4, shumë e pëlqyer për praktikuesit e tyre, shah, domino etj., ndërsa fëmijët luanin me top. Më tej vijonte me kthimin në shtëpi në mesditë, daljen në xhiro, dhe përgatitjen për të hënën në punë. Ka qenë një ritual kryesisht gjatë periudhës së pranverës, verës dhe më pak në vjeshtë.

NJË “GJI” I FAMSHËM PËR FEMRAT

Në fakt, për kohën kur flitet ka ekzistuar edhe një vend atje, në fund të rrugës së këmbësorëve, në pjesën jugore të tij, që njihej me emrin “Gjiri i Kurvave”, ku thuhej se aty qëndronin “prostituta në të zezë”. E mori këtë emër që e trashëgoi për shumë vite, madje edhe sot kështu vazhdon të njihet ai vend, pa pasur një motiv apo një ngjarje specifike. Fama e keqe erdhi nga historitë që qarkullonin e fliteshin, që i referoheshin këtij gjiri të vogël, ku thuhej se qëndronin e “harboheshin” vajzat pa moral e që frekuentoheshin nga djem të kësaj kategorie.

Liqeni zadra not (1)

Zhurmën për gjëmën që bëhej aty, e kishte të madhe, deri në kufijtë imagjinarë, por sa e vërtetë ishte, pak kishte informacion, pasi vetë shteti nuk e lejonte prostitucionin apo të bërit seks në mënyrë publike. Ishte një tabu e frikshme, gati e pamundur për sistemin e kohës. Ndërsa, nga ana tjetër, flitej se “prostitutat” kishin lidhje dhe ishin vënë aty nga Sigurimi i Shtetit, duke bashkëpunuar për ndjekjen dhe kapjen e hajdutëve apo keqbërësve.

NJË KITARË DHE SHUMË PASION

“Këngët e liqenit” janë një histori më vete që lidhen me këtë hapësirë të frekuentuar nga kryeqytetasit. Nën një pemë, me grupe të vogla, rrethe miqësie dhe një kitarë, aty është kënduar bukur dhe jo vetëm këngë të famshme italiane apo ato të “Beatles”, Elvis Presly, ose të grupeve në njohura të atyre viteve, por edhe shqiptare, madje shumë kompozime të kantautorëve të rinj e kanë shpërthimin pikërisht në atë Park, në periferi të Tiranës. Françesk Radi, Demokrat Shahini, Andon Miluka, Ludovik Gjoka (Bikja), Abaz Zusi, Ben Duro, apo Kasem Allulli me zërin melodioz, ishin emrat më të njohur të kohës. Në veçanti, Kujtim Rejçallsi, kështu e thërrisnin, i njohur si imitues i këngëtarit të madh amerikan Ray Charles.

Edhe Leonardi, “Nardi”, zëri i bukur i liceistit të “Jordan Misjes”, i ngjashëm me atë të Luis Armstrongut, por që “famën” e mori me “Radio gaga” të Fredi Mërkurit, prej së cilës oshtinte Parku. Për të vijuar me Adhurim Demirajn, Dashnor Dikon, Aleksandër Gjokën, që e nisën rrugëtimin e tyre me “këngët e liqenit”. Me ndërtimin e Amfiteatrit, aty janë organizuar e zhvilluar aktivitete kulturore masive, që frekuentoheshin nga tiranasit, kryesisht në mbrëmjet e fundjavës.

liqeni_duke u lare Isa Ok

Çfarë ka mbetur sot nga Parku i dashurive?

Shumë pak. Parku, dhe natyrisht ka mbetur Liqeni Artificial, por prej kohësh i “futur” me gjiret, ku përfshihet edhe ai i “prostitutave”, atje në fund të tij. Nuk lahet më njeri, nuk ka më varka, dhe as gara me not, pasi zadra nuk ekziston më, vetëm disa rrënoja të saj kanë mbetur bashkë me shkallët dhe dhomat e zhveshjes, që sot shërbejnë për amatorët e vrapimeve. Nuk është më restorant “Liqeni”, pasi është kthyer sërish Kisha. Kanë mbetur varrezat e ushtarëve anglezë, atyre gjermanë, tri bustet e vëllezërve Frashëri, bashkë me Faik Konicën, një basoreliev ku shkruhet se “ …nga viti 1945-1971 në këtë vend kanë qenë varrezat e dëshmorëve të atdheut..”.

Nuk ka më piknikë në fundjavë, as pasionantë të muzikës e kitarës, edhe pse Amfiteatri i rrënuar i reziston kohës, por tashmë ka një argëtim ndryshe: vërshim i madh i popullsisë kryeqytetase, me lëvizje dhe vrapim përgjatë tij, nga mëngjesi deri në darkë vonë, aty gjen çdo moshë. Pa harruar edhe çiftet që nuk i ndahen Parkut, e bashkë me to edhe ndonjë maniak që vazhdon t’i ndjekë, duke mos harruar traditën e përgjimit, por si gjithmonë pa rrezik e zhurmë.

UVIL ZAJMI

* Speciale e shkruar për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura