Speciale/ Nga i burgosur mes shtyllave në një organizator të së ardhmes, ja si ka evoluar roli i portierit

Apr 3, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

Portieri është një engjëll i rënë nga qielli, i cili ka gjetur krahë të rinj. Në origjinë, ai mund të “xhironte” në parajsë me topin në dorë dhe askush as që mund të guxonte ta prekte. Ndërkohë, në vitin 1893 iu dha e drejta lojtarëve që të hynin edhe në duel fizik me atë, apo akoma më shumë, në vitin 1912 vendosën që ta fusin në kafazin e zonës së rreptësisë, të cilën nuk mund ta kalonte absolutisht.

PORTIERI

Këto ishin fillimi i një tërbimi normativ që limitoi progresivisht lirinë e këtij roli në fushë, njësoj sikur ai të kishte kafshuar mollën e ndaluar: nuk kishte të drejtë të bënte më shumë se 4 hapa në zonën e 14 metrave (deri në vitin 1931); nuk mund ta prekte topin me dorë nëse një shok i skuadrës nuk e prektë (deri në vitin 1983), derisa në fund mori formën e ditëve të sotme: nuk lejohet ta presë me duar nëse një shok i skuadrës nuk ia kthen me kokë, por jo me këmbë.

Portierit, kësaj specieje antike e mitologjike, ashtu si sirenat, i dilnin këmbët kur zbrisnin në fushë dhe ishin të detyruar që t’i përdornin ato. Dhe jo vetëm kur duhej të rivihej sfera në lojë…

Kërkesa e etur për të rritur sa më shumë presingun në zonën kundërshtare, si nevojë e futbollit modern, detyroi që portieri të ecte gjithmonë në linjë me skuadrën, “detyrohet” që të ngushtojë sa më shumë hapësirën mes tij dhe mbrojtësit të fundit për të bërë sa më të vogël rrezikun. Në këtë mënyrë ai humbte veçantinë e tij, por në të njëjtën kohë, kështu portieri minimizonte edhe vetminë e detyruar nga roli gjatë 90 minutave.  Shkurt, një mallkim ose një bekim, në varësi të pikëpamjeve…

Gasperini dhe Guardiola

Xhanpiero Gasperini, trajneri i Atalantës, në një intervistë të pak viteve më parë shpjegonte: “Portierët në të ardhmen do të zgjidhen më tepër për lojën që dinë të bëjnë me këmbë sesa për atë me duar. Ata do të avancojnë sa më shumë metra larg portës dhe do të jenë ura lidhëse mes dy mbrojtësve të qendrës, pasi kështu edhe skuadra do të fitojë më shumë në ndërtimin e lojës”. Konfirmonte një të ardhme që kishte nisur të shkruhej faktikisht prej shumë kohësh…

631568_med__20191126000108_julian_pollersbeck

Portieri Julian Pollersbek, nën regjinë e trajnerit Kristian Titz, bënte pikërisht këtë në radhët e Hamburgut, aq sa ai shumë shpejt fitoi nofkën e “PollersBekenbauer” dhe ndoshta arsyeja kuptohet qartë… Sot e kësaj dite, Ederson, ndonëse është Manuel Nojeri portieri më i mirë me topin në këmbë, i lejon vetes mesatarisht 25.7 topa të prekur në ndeshjet e Mançester Sitit (84.8 për qind janë ftesa në pasim nga shokët e tij), por në Champions dërgoi në gol Sterlingun, me një assist direkt në takimin kundër Shalke 04.

Dhe ndoshta jo më kot nuk habit fakti se, Pep Guardiola, në periudhën që stërviste Bajernin e Mynihut, i kishte kërkuar leje shefit të klubit, Karl-Hainc Rumenige, që të aktivizonte portierin Manuel Nojer në mesfushë. Dhe nuk ishte një shaka absolutisht, por donte të shihte Nojerin me një bluzë mesfushori në aksion, pasi e kishte futur në kasafortë titullin në Bundesligë.

Nojer

Por Rumenige iu përgjigj negativisht, jo se nuk donte që ta shijonte këtë eksperiment të kërkuar nga “maestro” Guardiola, por kjo kërkesa iu duk diçka e tepruar në respekt të kundërshtarëve, edhe pse kjo ide çertifikon sot më së miri statusin e portierit modern: një lojtar njësoj si gjithë të tjerët. Evoluimi taktik që ka shpërthyer thuajse kudo për të nisur lojën nga poshtë ka shpejtuar metamorfozën.

Prandaj, nëse numri 10 që mbante mbi shpinë ish-portieri Lupateli ishte një ves që ai ia dhuronte vetes në skuadrat e vogla ku luajti, sot një zgjedhje e tillë nuk duket më kaq absurde. Madje, nëse shkoni të shihni ndeshjet e moshave shumë të reja në qendrën stërvitore të Ajaksit, përjetësisht kupola e futbollit modern, do të shihni portierët e vegjël që bëjnë palexho deri në mesfushë.

cristiano-lupatelli-1418304994-3909

Futbolli i të ardhmes ka nisur të piqet…Dhe fatkeqësisht, me kërkesën e re që detyron risia teknike e sportit më të bukur në botë rrezikon që të djegë edhe pseudonimet që shoqëronin më shpesh mbrojtësit ekstrem si  “Supermeni”, “Kamikazi”, “Maçja” apo “Saraçineska”…

Me krahët e rinj në këtë parajsë të rinovuar të futbollit, portierit modern i kërkohet që ai t’i hapë ato jo vetëm mes kuadratit të portës, jo vetëm për të mos pësuar gol, por edhe për të ndihmuar në shënimin e tyre. Shkurt, vetmia “mahnitëse” që e bënte të veçantë rolin e portierit në lojën më të bukur të botës ka nisur të venitet, më saktë të transformohet dhe është pjesë e rëndësishme e përgatitjeve të sotme të “gardianëve” të klubeve dhe kombëtareve të ndryshme.

Ai që e shpjegon mjaft mirë këtë është Masimo Batara, trashëgimtar familjar i këtij roli, por njëkohësisht edhe trajneri i portierëve në përfaqësuesen italiane të Roberto Mançinit.

donaruma

Filtrimet e Donarumës

“Nëse në epokat e mëparshme portierëve u kërkohej që të linin portën vetëm sepse normat e reja i lejuan që të dilte nga zona, apo për të shmangur ndonjë rrezik të kushtëzuar edhe nga vendosja e pozicionit jashtë loje, sot është gjithçka ndryshe. Sot portierët ndërtojnë aksione të rëndësishme.

Çerek ore përpara se Mançini të nisë stërvitjen, unë dal me portierët që të bëjnë nxehjen, por edhe ushtrime me topin në këmbë. Nuk po flas për pasime banale, por për topa filtrues, për lexime hapësirash në radhët e skuadrës rivale dhe dërgimin me saktësi në destinacion të një topi që më parë e kishin për detyrë ta dërgonin vetëm lojtarët e lëvizshëm të fushës. Madje, me ndihmën e asistentëve Salsano e Evani, vendosim porta të vogla dhe stërvisim jo vetëm saktësinë por edhe instiktin dhe refleksin e portierit për të luajtur topin në mënyrë vertikale.

Donaruma

Frytet e këtyre risive i morëm në eliminatoren ndaj Bosnjës, kur shënuam më 3 prekje të topit: Donaruma për Zhorzhinjon dhe gol… Xhixho është një portier që nuk ka frikë ta lëvizë topin me këmbë dhe di sesi të supportojë presionin e këtij stili të ri loje. Sigurisht që ne I përgatisim të dyja asetet, njësoj si makinat e Formula 1: shpërndarje e shkurtër e lojës me këmbë dhe pasimet e gjata në vertikale…

Gjithsesi, zgjedhja e parë e Mançinit është shpërndarja e shkurtër e topit, pasi kështu ekzaltohen edhe më shumë cilësitë teknike të mbrojtësve tanë me këmbë të kuruara. Dhe nëse doni ta dini, unë kam qenë viktima e parë e ndryshimit të madh të rregullores së portierit, e gabimit të parë trashanik të arbitrit. Luhej sezoni 1992-1993, një Bresha-Leçe që u fol gjatë. Një shok i imi më kthen topin prapa me kokë dhe unë e pres topin me duar dhe arbitri më vërshëllen faull kundër, ndërkohë që unë veprova sipas rregullores së re. Për pak javë u bë një rrëmuje e madhe… Por tashmë gjithçka është në shina dhe e rëndësishme është se shoh një brez të rinjsh portierësh italianë që janë shumë të zotët edhe me këmbë.

BATARA

Gjeneratat e reja po ndihen gjithmonë e më komodë me kërkesën e re të modernizimit të rolit të portierit. Gjithsesi nuk duhet nënvlerësuar kurrë kurimi i gjërave thelbësore të rolit, ato të përhershme, mes shtyllave dhe jashtë saj. Bota mund të ndryshojë, por një portier, pikësëpari, duhet të jetë i zoti për të pritur”. Pra Batara është dakord me krahët e rinj prej engjëlli, por një roje i shtyllave të portës duhet të vazhdojë ta meritojë parajsën me duar, më shumë sesa me këmbë. Kështu e do fati…

Jeton Stamolla – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura