Speciale/ Kur Demollari trembte Mançinin, Shqipëri-Itali është “libër” më vete. Nga Dinamo-Virtus Bolonja, te miqësorja Tare-Baxho, parlamentarët dhe këngëtarët

Nov 16, 2022 | 18:20
SHPËRNDAJE

NGA UVIL ZAJMI/ Shqipëri-Itali, një histori sportive pas lufte që nis me ish-stadiumin Ko mbëtar “Qemal Stafa”, ndërtimi i të cilit filloi nga italianët dhe përfundoi nga shqiptarët. Më pas, nga Xhakomino Pozeli portieri italian kampion i Ballkanit, te Virtus, Oransoda, Ruini, Klipan, Bari 2001, Scavolini, Sinudine, Banco Roma e për të vijuar në futboll me klube: Nga FC Torino te Parma, Napoli e Milan, më pas tek ato me përfaqësuese: Nga U-21, miqësoret ndaj militares italiane, ajo ndaj Françesko Totit në “Bari 1997”, ajo me parlamentarë, “Over 45” me Paolo Rosin, ajo me këngëtarë, Roberto Baxho, arbitra, trajnerë italianë dhe nga e para miqësore në Xhenoa me “Axurrët”, përballja me kombëtaret e femrave në Elbasan, tek e fundit në “Loro Boriçi” në Shkodër. Pas asaj Shqipëri-Itali U-21 luajtur në shekullin e kaluar e në pritje të miqësores së 16 nëntorit, kanë kaluar gati 40 vite, pas të cilave Roberto Mançini rikthehet në Tiranë si trajner i kampionëve të Europës.

Italia U-21, në “Qemal Stafa”, Mançini i dyti i ulur nga e majta

POZELI, ITALIANI I PARË DHE I VETËM KUQEZI
Bëhet fjalë për dy portierë italianë që kanë luajtur në skuadrat shqiptare në kampionatet kombëtare të pasluftës: Xhakomino Pozeli dhe Dante Panarese. I pari, shumë i njohur edhe nga fakti se u shpall kampion i Ballkanit në vitin 1946 me ekipin kombëtar kuqezi, por edhe si portier i skuadrave I. Qemali i Vlorës dhe 17 Nëntori. Ndërsa Dante Panarese, portier, të cilin e gjejmë në formacionin e Kuçovës e të Tomorit në kampionatet e para pas lufte.

NGA VIRTUS, RUINI, KLIPAN, BARI 2001 TE…
1966, Kupa e Kampioneve në volejboll për meshkuj, Dinamo-Virtus i Bolonjës. Ky është kontakti i parë sportiv me një klub italian. Në Tiranë, një pallat sporti i tejmbushur dhe një Dinamo spektakolare e Shehut, Rusit, Panteqit, Tartarit, e trajnerit V. Koja në atë debutim europian arrin të kualifikohet (3-0/ 0-3). E dyta, me një klub italian të lojërave me dorë në Tiranë, i takon sërish volejbollit: Turi i dytë i Kupës së Kampioneve në volejboll për djem, janar 1974, Partizani-Ruini, 3-1. Një fitore kolosale e skuadrës së Dash Fagut dhe trajnerit A. Kona. Pas një jave në Firence, Ruini-Partizani, 3-2, dhe kualifikim në Final Four (për motive politike, Partizani nuk do të marrë pjesë). E treta, 79-80 – Kupa e Kampioneve volejboll për meshkuj, turi i parë në Torino, Klippan-Dinamo, 3-2. Në Tiranë sërish kanë triumfuar 2-3 torinezët. 1979-1980, kontakti i katërt-Kupa e Kampioneve, volejboll-F, shfaqet Dinamo e Tartarit, që pasi kanë eliminuar Shverten, në turin e dytë të trofeut do të kenë përballë kampionët e Italisë “Bari 2001”. E para në Bari, Duemilauno-Dinamo, 3-1. Tiranë, 16 shkurt, një pallat sporti që oshtin, Dinamo-Duemilauno, 3-0, dhe kualifikim që regjistron herën e parë për një formacion shqiptar të volejbollit të vajzave në katër më të mirat e Europës.

Foto, Dinamo - Virtus, A. Rusi në aksion

……ORANSODA, SCAVOLINI, BANCO ROMA, SQUIB
1968, dhjetor, Kupa e Kampioneve basketboll për meshkuj, në një pallat sporti jashtë çdo kapaciteti. Partizani-Oransoda Kantu, 73-73, një barazim historik në të parin konkurrim kontinental të Partizanit. Është ndeshja e madhe e Agim Fagut, autor i 48 pikëve. 80-81, Kupa e Kampioneve basketboll meshkuj, Partizani-Sinudine, 79-97 në Tiranë dhe 112-67 në Bolonjë për italianët. 1983, tetor, Kupa e Kampioneve basketboll meshkuj, Partizani-Banco Roma, 69-78 (Kuqo 25 pikë). Në Romë, 93-55 për vendësit. Nëntor 1984, EKE, ekipet përfaqësuese, hera e parë një përballje ndërmjet tyre. Në Durrës Shqipëri-Itali, 57-78, (Trebicka 25, Çaçi 20 pikë). Në kthim, në Katanzaro 107-58 për italianët. 1988-1989, Kupa e Kampioneve basketboll meshkuj, Partizani-Skavolini, 72-84, (Çaçi 29, Bushati 20 pikë) dhe në Pezaro, 108-54, për kundërshtarët.

 

 

Partizani-Oransoda, Agim Fagu autor i 48 pikëve

FUTBOLLI, KLUBET NGA FC TORINO TE PARMA E NAPOLI
1968-1969, Kupa e Kupave, turi i parë, Partizani-FC Torino. Hera e parë që në Shqipëri vjen një klub italian futbolli i Serisë A, me disa lojtarë të Kombëtares, e saposhpallur kampione Europe.
E mërkurë, 18 shtator, Partizani-FC Torino 1-0.
Partizani: Janku, Gjika M., Gjika S., Vaso, Rragami, Shllaku, Bajko, Shaqiri, Bizi, Pano, Jashari (Çiraku 45’).
Trajner: R. Resmja.
Shënues: Shaqiri 46′.
Shikues: 20.0000.
Ora 15.30, kohë e rënduar, i tillë edhe terreni, spektatorë të shumtë. Ai takim do të kujtohet veçanërisht për dy momente: Për golin e humbur nga Pano në 24’, pas një gabimi të portierit Vieri në dalje me portën e boshatisur portier Pano godet i sigurt, por topi kalon mbi traversë, jashtë, nga porta jugore. Goli i fitores: Shaqiri ka shfrytëzuar ngurrimin e portierit Vieri duke realizuar diagonal nga afër nga porta veriore, 1- 0. Kthimi: Torino, FC Torino-Partizani, 3-1 (2-0).

Pas 25 vitesh po në Kupën e Kupave, sezoni 1994-1995, raundi i dytë në “Qemal Stafa”, Teuta përballë Parmës me Buffon, Benarrivo, Apoloni, Sensini, Kanavaro, Brolin, Pin, Stoiçkov, Zola, Meli, F. Inzagi. 0-2 për italianët (Zola 72’, 85’). Teuta: Kapllani, Alliu, Xhai, Vila, Koka, Furxhi, Abazi, Mehmeti, Qëndro, Begeja, Koçi. Trajner: B. Koka. Ndeshja e dytë, 2-0 për Parmën (Meli, Inzagi). Edicioni europian 2008-2009, Kupa UEFA, turi i dytë, Vllaznia-Napoli 0-3. Ndeshja zhvillohet në “Loro Boriçi” dhe për napolitanët realizojnë Joao Battista 28’, 47’, German Denis 75’. Në kthim rezultati është më i thellë, 5-0, (Rinaudo 24’,54’, Joao Battista 52’, Lavezi 80’, Hamsik 87’).

VJEN MILANI ME “TOPAT E ARTË’: KAKA, SHEVÇENKO, RONALDINJO E BEKHAM
Trofeu “Taçi Oil Albania Reads”, 14 tetor, ora 19.00 në “Qemal Stafa”, Tirana-Milan, 2-1 (1-0).
Shënues: Xhafaj 29’, Muzaka 72’, Ronaldinjo 90’.
Tirana: Nallbani, Osmani, Abraham, Kcira (90’ Tafaj), Peço, Devolli, Lilaj (84’ Arapi), Muzaka (84’ Sorra), Muka (53’ Sefa), Memelli (67’ Deliallisi), Xhafaj (67’ Metani).
Trajner: Shlishkoviç.
Milan: Abiati, Pasini(75’ Menegali), Maldini (46’ Nesta), Favalli, Antonini, Kardacio, Emerson, Ambrozini, Sedorf, Inzagi (45’ Shevçenko), Ronaldinjo.
Trajner: K. Ançeloti.
Arbitra: A. Janku (FIFA)

Pa kaluar as 24 muaj, në “Qemal Stafa”, Milan – seleksionim kuqezi. Një Milan më i plotë, me tre “Topa të Artë”, Kaka, Ronaldinjo e Shevçenko, tre kampionë bote, Pirlo, Gatuzo, Inzagi, përfshirë edhe brazilianët Pato e Tiago Silva, si dhe anglezin Bekham që vjen për herë të dytë në Tiranë. Një stadium i mbushur dhe Shqipëri-Milan, 3-3 (4-5 me 11-m).
Shqipëria: Ujkani (84’ Moçka), Lila (45’ Pisha) Beqiri, Vrapi, Vangjeli (45’ Agolli), Bulku (72’ Sefa), Duro (84’ Veliu), Bakaj (45’ Hyka), Bylykbashi (45’ Vila) Memelli, Salihi (89’ Shtubina).
Trajner: A. Bushati.
Milan: Kalac (45’ Edusini), Sanderos, Mationi, Jankulovski, Tiago Silva, Pirlo, Antonini (43’ Kardasio), Gatuzo (45’ Seedorf), Shevçenko (67’ Inzagi) Ronaldinjo (67’ Albertazi), Pato (45’ Kaka).
Trajner: K. Ançeloti.
Arbitër: L. Jemini.
Barazim pas 90 minutave kur do të ekzekutohen 11-metërshat. Për shqiptarët realizojnë Pisha, Muzaka, Vila, Vrapi, gabon Beqiri, ndërsa për Milanin – Kaka, Sedorf, Flamini, Tiago Silva, Inzagi. Trofeu “Taçi Oil”, edicioni i dytë i tij fitohet nga Milani dhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, ia dorëzon kupën Pipo Inzagit.

PËRFAQËSUESET, KUR ROBERTO MANÇINI LUANTE NË “QEMAL STAFA” ME U-21
Kampionati Europian, faza 1/8, Shqipëri-Itali U-21. Hera e parë që përfaqësuesja e Italisë do të zbresë në Tiranë, janë 8 më të mirat e kontinentit të kësaj moshe. Tiranë, e mërkurë, 14 mars, Shqipëri-Itali 0 – 1 (0-0)
Shqipëria: Mersini, Zmijani, Targaj, Ocelli, Jera, Canaj, Vila, Josa, Topçiu, Demollari, Braho (Kushta 79’).
Trajner: R. Rragami.
Italia: Rampulla, Boneti, Galia, Renica, Gali, Ikardi, Battistini Mauro, Mançini, Vinjola, Monelli.
Trajner: A. Viçini.
Shënues: 89’ Monelli.
Shikues: 10.000.

Shqipëria U-21, nga e majta në këmbë; Canaj, Ocelli, Topçiu, Vila, Josa, Mersini. Ulur nga e majta: Zmijani, Braho, Demollari, Jera, Targaj

Preokupimi është i madh nga italianët në prag të takimit. Për ta Shqipëria e drejtuar nga R. Rragami dhe P. Ikonomi është e frikshme. Në Guerin Sportivo… “La Gazzeta…”, me titullin “Tirana e ëmbël”, Marco Montanari shkruan: “Kanë eliminuar Austrinë e Gjermaninë dhe në stafin italian ka pasiguri. Shquhet Sulejman Demollari i Dinamos, mesfushor 19- vjeçar, shumë i rrezikshëm kur i afrohet portës. Nuk luan Galderizi, Viali është në stol dhe trajneri A. Viçini aktivizon në sulm R. Mançinin me Vinjolën, mesfushorin e Juventusit. Por 90 minutat tiranase treguan se nuk do të ishte një shëtitje për ta përballë vendësve që u shfaqën të mobilizuar, duke ua bërë shumë të vështirë ndeshjen italianëve. Për Shqipërinë u dalluan mesfushori Topçiu një rrezik sistematik, ndaj të cilit luajti Galli i Milanit, Demollari kur i afrohej portës dhe Canaj, një mesfushor i pandalur, si një motor. Për “Axurrët” shkëlqeu M. Mauro. Mançini ka goditur traversën e portës jugore. Goli u realizua nga Monelli në fundlojë. Me Italinë në stadium është edhe Sandro Cioti, zëri i njohur i emisionit radiofonik, shumë i ndjekur në Shqipëri, “Tutto il calcio minuto per minuto”.

Kthimi: Ashtu si në Tiranë edhe në Breshia, 4 prill, Itali-Shqipëri, 1-0, me një gol të B. Vinjolës në të 30-ën minutë nga një goditje direkte dënimi.

Një tjetër përballje u takon Lojërave Mesdhetare, “Bari 1997”, Foxhia 18 qershor, Shqipëria U23 përballë Italisë që drejtohet nga Marko Tardeli ku luajnë Bufon, Totti, Ventola humbet 4-0 (Ventola, Baronio, Iannuzzi, Fiore).
Shqipëria: Telaku, Haxhiaj, Dashi, Baholli, Hushi, Curri (Driza 46’), Muka, Peco (Marini 83’), Miloti, Halili, Martini (Pinari 86’).
Trajner: S. Mema.

Ndërkohë, takimi miqësor i 16 nëntorit përveç faktit që “Axurrët” luajnë për herë të parë në Tiranë, me ta do të jetë edhe Roberto Mancini, i cili pas 40 vitesh do të kthehet në kryeqytetin shqiptar, por si trajner i Italisë, kampione e Europës.

LIGA E SHQIPËRISË NDAJ ITALISË MILITARE TË PANUÇIT E TRAMEXANIT
Ky është takimi i tretë me futbollin italian me përfaqësuese: pas 1984 me ekipet Shpresa 0 – 1 / 0 – 1; më 1989 me moshatarët 18- vjeçarë 1 – 2 dhe 1 – 1, tashmë në “Qemal Stafa” me Italinë Militare, kampione e botës në fuqi, në përbërje me lojtarë si Kaziragi, Ravaneli të Juventusit, Nava i Milanit etj. 90 minutat kryeqytetase kanë protagoniste “Ligën”, lojën e mirë të Fortuzit, paraqitjen pozitive të portierit durrsak Kapllani 18- vjeçar, që në dy raste shpëtoi portën nga gola të sigurt pas gjuajtjeve të kalibruara të Panuçit e Tramexanit. Një debutim triumfues i Ligës kuqezi, e para, e fundit dhe me fitore.
Liga e Shqipërisë: Kapllani (KF Teuta), Abazi (KF Teuta), Peqini (KF Elbasani), Shala (Besa), Shulku (Partizani), Ocelli (Partizani), Muça (Partizani), Zalla (KF Teuta), (Meta 54’, Partizani), Dosti (Partizani) (Laçka 65’ Pogradeci), Dalipi (Dinamo), Fortuzi (Çoçlli 59’ Partizani).
Trajner. B. Birçe.
Shënues: Panuçi (aut) 20’; Dosti 28’.
Arbitra: Kotherja, Leskaj, Brahja.

Liga e Shqipërisë, nga e majta në këmbë: Peqini, Abazi, Kapllani, Shala, Shulku, Ocelli. Ulur nga e majta: Fortuzi, Muco, Zalla, Dalipi, Dosti

Deri në këtë ditë nuk ishte parë një ndeshje e këtij formati. Shqipëri-Itali, me parlamentarë. Viti 2000, maj, mesditë, në “Qemal Stafa” një ndeshje ndërkombëtare. Përballë janë Shqipëri-Itali, dy formacione me parlamentarë, e para historike e këtij formati. Arbitër është Astrit Isufi. Ora 17.00 të dyja skuadrat kanë dalë në fushë dhe 11-shja e parë historike e parlamentarëve kuqezinj të futbollit është: Sh. Kateshi (kapiten), P. Zëri, B. Fino, P. Dajçi, R. Murrizi, K. Islami, E. Reçi (portier), A. Qilimi, I. Kostandini, A. Banushi, N. Ndoka. Ka interesim, fotografë, gazetarë, në tribunë funksionarë të ambasadës italiane, qeveritarë të shtetit shqiptar. Në pjesën e dytë me futjen në lojë të Kryeministrit Ilir Meta, skuadra shqiptare realizoi një gol që anulohet për pozicion jashtë loje. Një fund miqësor, nuk ka gola, as fitues dhe barazim 0-0 me “Axurrët” e “Palazzo Montecitorio”. Pas saj, asnjëherë Shqipëri-Itali me deputetë.

NGA PAOLO ROSI TE ROBERTO BAXHIO
Mbrëmje magjike në “Qemal Stafa”, përballë Shqipëri-Itali, Over 45. Hera e parë për një ngjarje të tillë, kur “Topi i Artë”, goleadori i Botërorit spanjoll ’82, kampioni i botës Paolo Rosi do të luajë në “Qemal Stafa”. E hënë 30 tetor, 2000, ora 19.00, Shqipëria: Musta, Baçi, F. Rragami, Targaj, Jera, Omuri, Përnaska, Vukatna, Zëri, Ballgjini, Kola. Trajner: Sh. Rreli. (U aktivizuan: Janku, Kaci, Ruci, Hodja, Mema, Lleshi, Bajaziti, Lame, Demollari, Taho, Bregu, Lika, Bimo, Maca, Marko, Josa). Italia: Gali, Robbi, Nella, Righeti, Mannini, Galbiati, Giordani, Filippi, Rossi, Bruni, Di Carlo. Trajner: S. Brighenti. (U aktivizuan: Pin, Favero, Savoldi, Di Petro). Gazetarë, fotografë, kameramanë, tifozëri në stadium, gra, fëmijë, festojnë, argëtohen, një spektakël i vërtetë, ndonëse nuk ka gola dhe Shqipëri ’80 – Itali ’80 barazim 0-0. Musta është heroi, kur në pjesën e parë ka pritur një penallti të gjuajtur nga P. Rossi. Për të shpallur fituesin janë ekzekutuar nga 5 penallti dhe 5-3 kanë triumfuar kuqezinjtë.

Shqipëri-Italia Over 45, nga e majta në këmbë: P. Rosi, Baci, Rragami, Musta, Ballgjini, Kola. Ulur nga e majta: Omuri, Zëri, Përnaska, Vukatana, Targaj.

Për të ardhur më 21 gusht 2002, kur një tjetër “Top i Artë”, një ndër futbollistët më të njohur, më spektakolar, jo vetëm i Serisë A, por edhe me kombëtaren e Italisë, nënkampione e botës më 1994-ën, Roberto Baxhio, do të jetë përballë Kombëtares kuqezi. Është një miqësore në “Qemal Stafa” me Breshian, kur bashkë me Baxhion edhe Tare do të jetë në Tiranë. 90 minuta që do të mbyllen 1-0, me gol të realizuar nga Altin Lala.

Në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Bresha, Tare dhe R. Baxho

2004, SHQIPËRI-ITALI, POR ME KËNGËTARË
E mërkurë, 15 shtator 2004, në një mbrëmje të bukur, atmosferë entuziaste, një Tiranë e tërë në stadium, ku bashkë me drejtues të shtetit, politikanë shqiptarë e italianë, janë edhe ushtarakë të forcave të NATO-s. Përballë një spektakolare ndërmjet këngëtarëve, Shqipëri-Itali. Kombëtarja kuqezi e muzikës përbëhet nga: A. Gjebrea, F. Radi, R. Hysi, K. Tushe, Makashi, Doktor Flori, Rudi, Goci, Mumajezi, Çako, Mamaqi, Gjoka, Çili, me to edhe politikani E. Braçe, futbollistët e njohur S. Demollari, B. Nallbani, L. Pano etj. Ndërsa “të kaltrit” kanë në formacion këngëtarë të njohur, nga i famshmi Xh. Morandi, Xh. Rapeti (Mogol), S. Xhiakobe, P. Belli, L. Barbarosa, Gazebo, N. Fabi, futbollistin e Serisë A, G. Galderizi. Arbitron S. Jareci. Fillimisht një fotografi e përbashkët, i ftuar është edhe legjenda P. Pano, pastaj ndeshja. Pjesa e parë 1-0 për shqiptarët, gol i Rudit. Në pjesën e dytë italianët shënojnë me Barbarosën (2), Magden e Daniel. Rudi do të shkurtojë diferencën dhe përfundimisht 4-2 për artistët miq.

ME “AXURRËT”, NGA E PARA NË XHENOA TEK E FUNDIT NË “LORO BORIÇI”.
18 nëntor, 2014, në Xhenoa regjistrohet takimi i parë historik, ndërmjet dy ekipeve përfaqësuese, Itali-Shqipëri. Është një miqësore dhe 1-0 fitojnë italianët që drejtohen nga Antonio Konte me gol të shënuar nga Okaka në 82’. Skuadra kuqezi drejtohet nga Xhani de Biazi dhe përbëhet nga: Berisha, Hysaj (Ajeti 74’), Canaj, Mavraj, Agolli, Lala (Rama 90’), Abrashi (Shala 71’), Memushaj, Lenjani (Bala 86’), Kukeli Roshi 66’), Cikalleshi (Salihi 78’). Italia: Sirigu, De Silvestri, Bonuçi, (Açerbi 82’), Moretti, Antonelli, Cerci (Gabiadini 77’), Parolo, Aquilani, Bertolaçi (Bonaventura 70’), Giovinco (Okaka 65’), Destro (Matri). Trajner: A. Konte.

Pastaj përballja me ekipet kombëtare të femrave, U-19, e para historike, ndonëse miqësore e kësaj kategorie, luajtur në “Elbasan Arena”:
E mërkurë, 19 janar 2014, Shqipëri-Itali, 0-1 (6’ Regaxoli).
Shqipëria: Leci (75’ Rexhepi), Elezaj (Pocesta 80’), Rrahamani (Lumaj 80’), Bajraktari, Gjini, Franja, Proto, (Maliqi 75’), Doci, Begolli (Djegsina 75’), Jashari, (Muja 80’), Gjergji (Curaj 60’).
Trajner: A. Grima.
Arbitër: J. Xhaja.

Për të ardhur te ndeshja e parë zyrtare me Italinë: EKB, “Rusi 2018”, Grupi “G”, në Palermo, 24 mars 2017, Itali-Shqipëri, 2-0 (De Rossi 12’ me 11-m, Immobile 80’).
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Veseli, Ajeti, Agolli, Basha (Latifi 96’), Kukeli, Memushaj, Lala (Sadiku 77’), Cikalleshi, Roshi (Grezda 87’).
Trajner: G. de Biazi.
Italia: Bufon, Zappacosta, Barzali, Bonuçi, De Shilio, De Rossi, Verrati, Kandreva, Insinje, Imobile, Belotti.
Trajner: G. Ventura.

9 tetor 2017, në “Loro Boriçi”, EKB, ora 20:45, Shqipëri-Itali, 0-1.
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Veseli, Mavraj, Agolli, Kace, Bashaj (Lila 68’), Memushaj (Latifi 76’), Roshi (Ahmedi 91’), Sadiku, Grezda.
Trajner: K. Panuçi.
Italia: Bufon, Darmian (Zappacosta), Bonuçi, Kielini, Spinazola, Parolo, Gagliardini, Kandreva, Immobile, Eder (Gabbiadini 89’), Insinje (El Sharaui 93’).
Trajner: G. Ventura.
Shënues: Kandreva 73’.

WhatsApp Image 2022-11-16 at 5.30.28 PM (1)

VËRSHËLLIMAT DHE TRAJNERËT ITALIANË NË SHQIPËRI
Nga ndeshjet ndërkombëtare zyrtare me përfaqësuese, klube të caktuara nga FIFA, UEFA, deri tek ato të kampionateve kombëtare, kupave, “play off” e “play out” të ftuar nga FSHF-ja. Nga e para Shqipëri-Zvicër, 0-2, 11 prill 1965, në “Qemal Stafa”, drejton A. Sbardella. Ndërsa tek e fundit, ajo e M. Guidës në nëntor 2015, Kukësi-Laçi, 1-1 (5-4 p). Midis tyre emrat të njohur të Serisë A, deri arbitra të finaleve europiane e botërore: A. Angoneze, G. Menegali, P. Paireto, K. Longi, V. Cinciripini, L. Bazoli, S. Farina, R. Boxhi, R. Lo Bello, G. Paparesta, T. Pieri, P. Rodomonti, P. Bergonzi, A. Trentalange, P. Taliavento, M. Sakani, P. Mazzoleni, D. Massa. Si vëzhgues në Tiranë kanë qenë, S. Gonela, arbitri i finales botërore Argjentinë – Holandë 1978, T. Lanese i finales së Kupa e Kampionëve Olimpik M-C. Zvezda 1991. Por, edhe N. Rizoli, arbitri i finales së Botërorit “Brazil 2010”, që në “Elbasan Arena” drejtoi Shqipëri – Serbi më 8 tetor 2010. Edhe shumë trajnerë italianë kanë qenë në Shqipëri me klubet dhe përfaqësuesen: Nga T. Gori, L. Menekini, M. de Verdis, R. Sorrentino, B. Ranieri, E. Ramela, A. Agostinelli, A. Sormani, M. Juliano, F. Lerda, G. Gargano, M. Bankini, C. Bexhi, R. Civoli, M. Monzon, F. Kamarata, Xh. Kolela, M. Blazi, J. Kanarasa, D. Longo. Bashkë me ata të ekipit kombëtar: G. Dosena, Xh. de Biazi, K. Panuçi dhe E. Reja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura