AXHENDA/ Sot Vuçiç vjen në Tiranë për “Ballkanin e Hapur”, darka zyrtare në Elbasan! Berisha organizon në orën 16:00 protestë kombëtare, nis nga PD

Dec 20, 2021 | 10:16
SHPËRNDAJE

rama vucic berisha protestaMARIGLEN KUME/ Ish-Kryeministri Sali Berisha ka thirrur sot pasdite në orën 16:00 protestë kombëtare në Tiranë.

Lideri historik i PD-së ka njoftuar se protesta do të nisë nga selia blu, ku edhe do të marshojnë drejt Kryeministrisë.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Berisha, objekti i protestës do të jetë takimi që do zhvillohet në këto dy ditë në Shqipëri mes Kryeministrit Rama, Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në kuadër të projektit “Ballkani i Hapur”.

Por duket se Berisha ka marrë edhe kauzën e liderit të selisë blu, me të cilin muajt e fundit ka bërë ndarjen e madhe. Objekt i protestës së Berishës do të jetë edhe skandali me inceneratorët ku javën që shkoi u arrestua ish-ministri Lefter Koka për inceneratorin e Elbasanit, i cili ishte edhe i pari që u aplikua në Shqipëri.

Kujtojmë që inceneratorët janë denoncuar vazhdimisht nga selia blu, ku nuk kanë munguar as kallëzimet penale në SPAK.

Sakaq, z. Berisha në anonçimin e parë të protestës tha se ajodo të jetë kundër “Ballkanit të Hapur” dhe vjedhjes së madhe të qeverisë. Ndërkohë, së fundmi pas rikthimit në vëmendje të skandalit ka futur në axhendë edhe inceneratorët. Një tjetër detaj që bie në sy në protestën e thirrur nga Berisha është fakti se ajo do të nisë nga selia blu.

Kjo, për shkak se Berisha dhe grupi i themelimit të PD-së nuk e njohin Bashën si kryetar partie, ndërsa nga ana tjetër Basha dhe deputetët pranë tij nuk njohin asnjë vendim të kuvendit të datës 11 dhjetor dhe referendumit të 18 dhjetorit. Mbetet për t’u parë nëse pas protestës do të ketë një zbarkim në selinë blu për t’u futur në seli.

Pas shumë muajve deri tani Berisha është rikthyer dy herë në selinë e PD-së pas mbledhjes së kuvendit të 11 dhjetorit. Por pavarësisht akuzave të ndërsjella deri tani janë shmangur incidentet mes palëve mbështetëse.

BALLKANI I HAPUR

Protesta e thirrur nga Berisha duket se nuk do të përbëjë shqetësim për liderët që mblidhen në kuadër të projektit të “Ballkanit të Hapur”.

Gjatë kohës që Berisha dhe mbështetësit e tij do të jenë duke protestuar para Kryeministrisë, Rama, Vuçiç e Zaev mësohet se do të jenë në qytetin e Elbasanit duke darkuar në “Rozafa Fish City”, vend i cili duket se është kthyer në destinacion për Kryeministrin Rama, i cili kujtojmë që pak javë më parë në të njëjtin ambient zhvilloi edhe mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, ndërsa vetëm pak ditë më parë i shtroi ambasadorëve darkën e fundvitit.

Në darkë do të jenë të pranishëm gjithashtu dhe përfaqësuesi i Këshillit Atlantik, Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur.

Megjithatë, axhenda do të përshtatet për mos të pasur asnjë incident me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha.

Ndryshe nga takimet e shkuara udhëheqësit e tri vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet, siç ka ndodhur në takimet e shkuara në Beograd, Shkup dhe Tiranë.

Kjo për arsye sigurie.

Ora 9 e të martës së 21 dhjetorit do t’i gjejë Kryeministrin Edi Rama, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, të ulur në një tryezë në Pallatin e Brigadave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura