“Sonte do të luajmë pa tekst”/ Loja brenda lojës që u pëlqye menjëherë

May 23, 2016 | 10:30
SHPËRNDAJE

Mënyra më e mirë për të matur pëlqyeshmërinë e një pjese teatrale është duke kuptuar atë që spektatorët thonë apo tregojnë me gjeste e mimika, përgjatë e në fund të shfaqjes. Vlen më shumë se gjykimet e medias një ditë më pas.

a pa logo
Amos Zaharia dhe Niada Saliasi

Sigurisht që, mes reagimeve, do të ketë gjithmonë të kënaqur e të mëdyshur, por te “Sonte do të luajmë pa tekst” e Luigi Pirandelos, premiera e së cilës ishte të premten në Teatrin Kombëtar me regjinë e Driada Dervishit, pati reagime që në minutat e para.

Kur shkon vazhdimisht në teatër, dallon menjëherë, sapo hyn, edhe ndryshimet më të vogla në sallë (sepse skena ndryshon vazhdimisht). Të enjten në mbrëmje, për prova gjenerale, ata që shkojnë në teatër janë ata që nuk humbasin asnjë shfaqje, prandaj edhe e kuptuan menjëherë që diçka kishte ndryshuar edhe në sallë.

Lëvizjet e syve të spektatorëve tregonin sikur ata po numëronin abazhurët e rinj që kishin rrethuar sallën. Nuk ishte investimi i fundit për teatrin, ishte konceptimi skenografik që, këtë herë, regjisorja Dervishi e kishte marrë në dorë vetë.

 

Yllka Mujo dhe Sokol Angjeli, çifti me tri vajzat e shfaqjes
Yllka Mujo dhe Sokol Angjeli, çifti me tri vajzat e shfaqjes

Bisedat e para të aktorëve pas perdes, tashmë që drita e abazhurëve nuk ndriçonte, e zhvendosi përqendrimin aty. Në fillim u duk njëfarë shqetësimi që ta forcon edhe më përqendrimin, por më pas, me t’u siguruar që aktorët nuk po ziheshin, por ishin brenda lojës së Pirandelos, u çliruan për të kuptuar vazhdimin.

Prezantimi i regjisorit që drejtonte shfaqjen brenda shfaqjes, Met Xhelili, u duk se orientoi menjëherë, por zërat që bisedonin me të e që ishin të ulur në radhët e publikut, shpërqendruan sërish. Shfaqja tërhoqi që në fillim, sepse ishte si një lojë që të mbante të vëmendshëm për të kuptuar se ç’do të ndodhte më pas.

Aktorët që po shfaqeshin njëri pas tjetrit i hodhën edhe më benzinë zjarrit që sapo kishte nisur të flakëronte. Ne nuk e dimë se si janë këta të fundit në të përditshmen e tyre, ama, ata arritën të krijonin kapërcimet e duhura nga njëra gjendje te tjetra, nga roli i teatrit në atë të jetës, duke bërë diferencime të menjëhershme.

Olta Daku, gjatë shfaqjes, në rolin e kërcimtares së kabaresë.
Olta Daku, gjatë shfaqjes, në rolin e kërcimtares së kabaresë.

Vetëkuptohet që edhe dalja nga roli ishte një tjetër rol që vinte aq mirë, sa shkaktonte ilaritet. Spektatori nisi ta kuptojë menjëherë logjikën e lojës dhe e la veten të lirë për ta shijuar. Aty ti kuptoje se, sado e mirë të jetë një pjesë, sado të mirë të jenë aktorët në interpretim, njerëzit duan gjithnjë të dinë atë që ata nuk shfaqin në skenë, duan t’i njohin përtej.

Le të mos themi që duan të shohin gjithnjë edhe pak konflikt. “Sonte do të luajmë pa tekst” ia doli t’i kënaqë, por pa i mbajtur në emocion konstant. Atëherë kur mund të mendoje se shfaqja po bëhej e njëtrajtshme, ngjarjet tjetërsonin emocionet dhe të hidhnin për minuta të tëra në dramën e Mominës, “të burgosurës” së dashuruar me muzikën, që fati i dha një burrë agresiv.

Muzika ishte në çdo rast plotësuese e gjendjeve, në cilindo ekstremitet të gjendeshin emocionet. Nëse mendojmë se gjithë sa pamë ishte ende pjesë e provës së fundit, përfytyrojmë të nesërmen e premierës, një atmosferë edhe më ftuese.

* * *

Ndërsa nuk janë harruar ende të qeshurat e shfaqjes “Vanja, Sonja, Masha etj.”, regjisorja Driada Dervishi, rivjen në Teatrin Kombëtar për të kënaqur njësoj. Askush nuk mund të mohojë edhe vlerën që i jep shfaqjes prania e aktores Yllka Mujo, pa të cilën, duhet thënë që emocionet nuk do të ishin njësoj.

Në mimikën e saj arrije të shquaje gjendje që, në lëvizje sekondash, ndanin imët marrëdhënien e saj me të birin, Amos Zaharia, nga familjare në profesionale. Zgjedhja e Amosit ishte e duhura, jo vetëm pse premton të shkojë në të njëjtën rrugë të së ëmës, por edhe për t’iu kënaqur asaj loje nënë e bir që, sapo ndahej nga roli, “përkëdhelej” maturisht në rolin tjetër.

Disa veshëve mund t’u ketë shpëtuar kur Amosi i thoshte “O ma” së ëmës, por çaste si këto ishin kripa e së gjithës. Nuk kishte se si të ishte kaq organike marrëdhënia e Yllkës me ato që në rol ishin treshja e vajzave të saj, megjithatë, kur ajo është në qendër, duket sikur shërben si rregullator edhe të mangësive aktoriale që ndonjëra prej tri bijave mund të kishte.

Nuk mund të thuash të njëjtën gjë për tri partnerët e tyre që ishin, ashtu siç mosha, statusi dhe dashuria i kërkonin! Amos Zaharia, Bes Bitraku dhe Gent Hazizi gjallëronin humorin e vajzave, megjithëse njëra prej tyre interpretuar nga Adelina Muça, nuk ia doli të jetonte me ritmin e dy motrave, deri në fund. Sokol Angjeli, bashkëshorti i mefshtë i Zonjës së Shtëpisë, i theksonte pushtetin figurës së të shoqes.

Mirëpo, atmosfera nuk është gjithnjë kaq e parashikueshme. E pangjashme në asnjë pikë me gjendjen e aktorëve të tjerë, ishte Olta Daku si këngëtare kabareje. E veshur e gjitha me tragjizmin e fatit të saj të përdalë, Olta ishte “gjendja” tjetër e shfaqjes që njehsohej me të tjerët, në momentet ku hynte në skenë e zhveshur nga roli dhe ndërhynte me po atë humor që miqtë e njohin përditë.

Kalimet nga skena në “skenë” ishin më të ndjeshme pikërisht në rastin e saj. Ana e errët e shfaqjes, Dritan Boriçi, si dhunues i së shoqes, plotësoi dramën e fundit të shfaqjes që Adelina Muça kishte ngritur. Që të jetoni dy orë me të gjithë aktorët, bashkë me Niada Saliasin, duhet ta shihni shfaqjen vetë.

* * *

Në vitin 1929, kur Luigi Pirandello nxori në dritë “Sonte do të luajmë pa tekst”, si pjesë të tretë të trilogjisë, pas “6 Personazheve” dhe “Secili sipas qejfit së tij”, Europa ishte e zhytur në një krizë të thellë ekonomike. Në Gjermani, sipas përshkrimeve të Brehtit, blihej vetëm bukë. Përtej oqeanit, fundosej Wall Street.

Teksti i Pirandelos nuk flet për këtë, por lëviz në po atë sfond, ndërsa bazohet, siç ka ndodhur edhe në drama të tjera të tij, në novelën “Lamtumirë Leonora!”, 1910. Në të tregohet për Mominën e dashuruar me Trovatoren e Verdit dhe “e burgosur” nga xhelozia e të shoqit, Rico Verri. Por, sekreti i vërtetë i tekstit është paparashikueshmëria e asaj që ndodh në skenë, ndërsa nisin provat e një shfaqjeje dhe regjisori (zoti) hyn në konflikt me aktorët (krijesat).

Aktorët janë insektet që një regjisor entomologjist i studion nën zmadhimin e lentes së tij. Natyra e “Sonte do të luajmë pa tekst”, lejon ta trajtosh teatralisht si një teatër me regji të madhe, një “sistem sistemesh” teatrale, një marrëdhënie funksionesh të ndryshme regjisoriale.

Brenda këtij teksti gjenden interpretime të ndryshme; është aty drama sentimentale, farsa, opera lirike, ironia etj.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura