Skema e re, llogaritja e pensioneve sipas kategorive. Rama: Shtesa për pensionin minimal, maksimal e ushtarakët

Mar 27, 2015 | 14:26
SHPËRNDAJE

Dilemës për përfitimet që vijnë me skemën e re të pensioneve, hyrë në fuqi në janar të këtij viti, i është përgjigjur edhe një herë dje Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit.

Rama duke folur në seancën e djeshme

Ai theksoi se për të gjitha kategoritë, kjo skemë garanton një përfitim më të denjë sesa e vjetra dhe se për këtë ka shembuj konkretë të atyre që sot marrin një pension më të lartë. 

PËRFITIMET

Rama tha dje se skema e vjetër vendoste tavanin maksimal të përfitimit prej 24 mijë lekësh dhe kjo penalizonte të gjithë ata që kontribuonin me paga maksimale. Në total, sipas tij, ka një rritje të përfitimit si për ata që kanë paguar me pagë minimale, ashtu edhe ata që kanë paguar kontribute me maksimalen.

“Pensionet rriten për të gjitha fashat, nga 760 lekë për pagat minimale, për të vazhduar me një rritje 213 200 lekë për pagën mesatare dhe deri në 464 mijë për pagat maksimale. Ishte rrjedhojë e kësaj reforme që, gjatë vitit 2014 u ndez interesi i qytetarëve për t’u bërë pjesë e skemës”, tha Rama nga foltorja e Parlamentit gjatë seancës së djeshme.

Kjo skemë sipas tij është bërë atraktive dhe si e tillë ka tërhequr më shumë kontribuues të cilët për vitin 2014 kanë derdhur më shumë kontribute dhe bilanci i Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregon se ka 100 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Ai u ndal edhe te pensioni social, i cili u përfitua nga 5 mijë individë.

“Gratë shtëpiake, ato nëna që për shumë arsye nuk kanë dalë kurrë në punë dhe që këtë vit rrezikonin të mbeteshin pa asnjë qindarkë, përfituan pensionin social në masën 67 mijë lekë. Janë jo pak, por 5 mijë persona”, tha kreu i qeverisë.

KATEGORITË E VEÇANTA

Minatorët dhe ushtarakët ishin dy kategori ku kreu i qeverisë u ndal me shembuj konkretë lidhur me rritjen e përfitimit të pensionit që mundëson skema e re.

“I kam këtu, shumë raste, që nga Zabit Cuku që për 35 vjet ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe me atë formulën e vjetër nuk mund të merrte dot më shumë se 240 mijë lekë. Ndërsa duke filluar që nga ky vit, ai merr 315 mijë lekë pension”, u shpreh Rama.

Në një tjetër rast ushtaraku, që iu referua Kryeministri, rritja në përfitim ishte me 97 mijë lekë më shumë. Bëhet fjalë për një ushtarak me 48 vite totale pune dhe që nga 245 mijë lekë pension, tashmë merr 342 mijë lekë me skemën e re. Një kategori tjetër e sjellë me shembuj për masën e rritur të përfitimit ishte edhe ajo e minatorëve. Rama u ndal te ligji i trajtimit të veçantë që i shton automatikisht 85 mijë lekë më shumë në pension një minatori, duke e çuar përftimin nga 127 mijë lekë në 211 mijë lekë.

“Një minator tjetër, të cilin e kam takuar vetë dhe nuk u besonte syve kur mori librezën. 38 vjet në galeri dhe pensioni vetëm 139 mijë lekë, ndërsa me skemën e re, 51 mijë lekë më shumë, çdo muaj”, tha Rama.

Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura