Skandali me pronat/ Zbulohet telefonata, drejtoresha e Bujqësisë porosi nuses së djalit: “Zhduk…”

Mar 20, 2018 | 20:30
SHPËRNDAJE

Gjelina Baca, 58 vjeçe, e cila mbante detyrën e drejtoreshës së Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës, dyshohet të jetë krahu i djathtë i kreut të Bashkisë, Fran Frrokajt. Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” edhe për 58-vjeçaren Baca, megjithatë Gjykata vendosi që ajo të hetohej në “arrest shtëpie”.

Gjelina Bacaj, drejtoresha e Hipotekës në Lezhë
Gjelina Bacaj, drejtoresha e Hipotekës në Lezhë

Burimet thanë per “Panorama” se Gjelina Baca gjatë viteve të fundit ka punuar pa ndërprerje përkrah Fran Frrokut. Madje, edhe gjatë kohës kur Frrokaj drejtonte Komunën Shënkoll për 3 mandate radhazi, ajo ka qenë punonjëse në atë Komunë.

Edhe pse ka vetëm arsimin e mesëm, Gjelina Baca kishte detyrë të rëndësishme në Bashkinë e Lezhës, si drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë. Burimet thanë se në momentin kur ka mësuar se do të shoqërohej në Polici, ajo ka tentuar të “zhdukë” dy dosje pronash.

Baca i ka telefonuar nuses së djalit, duke i thënë që të fshihte dosjet që kishte në shtëpi, të cilat në fakt u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, para se të “zhdukeshin”. Përveç Gjelina Bacës, Gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” edhe për Juxhina Memën, 25 vjeçe, ish – specialiste në Drejtorinë e Bujqësisë në Bashkinë Lezhë, Marte Gjergji, 50 vjeçe, me detyrë topografe, Frrok Frroku, 75 vjeç, babai i biznesmenit në kërkim, me banim në Bashkinë Mamurras, i cili ka përfituar tokë në mënyrë të paligjshme, si dhe Luigj Paloka, 76 vjeç, me banim në Shkodër, i cili dyshohet se ka falsifikuar aktet.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e 11 shtetasve, me detyra në ZVRPP, në ish-Komunën Shëngjin apo përfitues tokash në mënyrë të paligjshme. Hetimet lidhur me këtë dosje kanë filluar mbi bazën e të dhënave të siguruara nga burime policore dhe ankime të qytetarëve.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura