Skandali i ekstradimit të Nezar Seitit në Itali, pse u pushuan hetimet për “financierin’ e Habilajve

Aug 25, 2018 | 20:19
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA / Ekstradimi në mënyrë “të paligjshme” i Nezar Seitit nga Shqipëria në Itali, shkaktoi një debat të fortë janarin e këtij viti, në lidhje me procedurat e ndjekura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë.

nezar-seiti_1508839820-2370763

Për këtë çështje, Prokuroria e Durrësit nisi një procedim penal që përfshiu të gjitha institucionet që “firmosën” për dorëzimin e papritur të “financierit” të Habilajve në Itali. Hetimet nisën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të zyrtarëve përgjegjës, që i morën nga duart drejtësisë shqiptare Nezar Seitin, në një kohë që Gjykatat kishin vendosur “arrest me burg” dhe ndaj tij po kryheshin hetime, në të njëjtën dosje ku ishte nën hetim edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Deri dy ditë më parë, kur u mësua se Gjykata e Katanias kishte nxjerrë nga qelia Seitin, duke e lënë në “arrest shtëpie”, ecuria e hetimeve të Prokurorisë së Durrësit ishte lënë disi në harresë. Madje, deri më sot askush nuk kishte mësuar se prej muajit qershor çështja e parregullsive të ekstradimit të tij nuk po hetohej më.

Burime nga Prokuroria e Durrësit thanë dje se kjo dosje tashmë është e pushuar. Vendimi ishte marrë që në muajin qershor. Arsyetimi për pushimin e çështjes, ishte fakti se, sipas Prokurorisë, ishin konstatuar shkelje nga ana e institucioneve, por ato ishin të një natyre që nuk përbëjnë vepër penale.

“Parregullsitë e kryera nga zyrtarët e Prokurorisë, Gjykatës së Tiranës dhe zyrave të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, janë të karakterit që mund të përbëjnë shkak për masa disiplinore, por nuk i ngarkojnë me përgjegjësi penale”, ky është arsyetimi në vendimin e Prokurorisë së Durrësit, që është miratuar edhe nga Gjykata.

Pas këtij vendimi, tashmë në Shqipëri kjo çështje konsiderohet e mbyllur, por pritet vendimi që do të marrë drejtësia italiane. Prokurorët shqiptarë kanë afat deri në muajin tetor për të vendosur në lidhje me çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin kanë pasur dyshime për përfshirjen në trafik droge me grupin “Habilaj”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura