Skadon afati për zhvendosjen e armëve kimike

Dec 31, 2013 | 11:54
SHPËRNDAJE

Nga protestat ne Shqiperi
Përpjekjet ndërkombëtare për të hequr dhe shkatërruar armët kimike të Sirisë janë ndeshur më shumë pengesa. Afati për zhvendosjen e armëve kimike jashtë vendit skadoi por shumica e tyre ende nuk është transportuar jashtë vendit.

Anijet norvegjeze në brigjet e Qipros janë duke pritur urdhërat për të shkuar në Siri për të marr kimikatet më të rrezikshme në botë, armët kimike si ato që fajësohen për sulmin vdekjeprurës ndaj civilëve në gusht të këtij viti.

Por vazhdimi i luftimeve e ka bërë të vështirë transportimin e armëve kimike drejt portit të Latakias. Sigrid Kaag punon për Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike.

“Mendoj se të gjitha palët janë dakord se siguria është një shqetësim i madh dhe ka ndikim në çdo përpjekje për transportimin e armëve kimike.”

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka paralajmëruar në ditët e fundit se afati i sotëm për transportimin e armëve kimike nuk mund të realizohet. Për momentin, vonesa nuk ka shkaktuar shqetësime në Uashington, i cili e ka cilësuar këtë si një afat ambicioz.

“Është e rëndësishme që ne të shohim përparim dhe deri tani kemi parë një lloj përparimi,” thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf.

Marrëveshja e arritur me presidentin sirian Bashar al-Asad nuk kërkon eliminimin e të gjitha armëve kimike deri në fund të qershorit. Megjithatë, disa ekspertë janë të shqetësuar se me ngadalësimin e procesit të eliminimit të arsenalit të armëve kimike të Sirisë, shtohet edhe rreziku për shkatërrimin e tyre.

Andrew Tabler është analist në Institutin Uashington.

“Presidenti Assad e di shumë mirë se pas dorëzimit të armëve kimike,  komuniteti ndërkombëtar nuk do të ketë më aq shumë nevojë për të. Prandaj, unë mendoj se atij i intereson zvarritja e këtij procesi.”

Ky është edhe një shqetësim tjetër ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar përpiqet t’i jap fund gjakderdhjes dhe eliminimit të armëve kimike të Sirisë.(voa)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura