“Sjellje e pazakontë përpara 25 prillit”/ Presidenti Meta sqaron qëndrimet e forta para zgjedhjeve: Më detyroi opozita që la Parlamentin dhe…

Sep 17, 2021 | 10:57
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë pas krijimit të qeverisë së re “Rama 3”. Në një prononcim për mediat nga qyteti i Korçës, kreu i Shtetit thotë se situata demokratike në vend është në gjendje problematike, por me hyrjen e opozitës dhe krijimin e kabinetit të ri qeveritar, situata mund të ndryshojë për mirë.

 

Meta ka sqaruar dhe oponencën që ka bërë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ku mazhoranca e quante tejkalim të kompetencave të Presidentit.

Sipas kreu të Shtetit, ai ishte detyruar nga braktisja e opozitës së institucioneve vendore dhe parlamentit por edhe nga mazhoranca që kishte kapur çdo institucion.

“Mendoj se kjo është një çështje madhore. Përsa i takon situatës së demokracisë në vendin tonë, edhe ajo kuptohet se është në një gjendje problematike. Nuk është ndoshta ashtu siç do të donin shumë, përfshirë edhe mua, pas 25 prillit, por pa asnjë diskutim është shumë më mirë se sa situata katastrofike para 25 prillit në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në të gjitha institucionet kryesore, qendrore dhe vendore të vendit, kështu që aktualisht pas 25 prillit sidoqoftë janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një demokraci funksionale, për një parlament funksional dhe ai është qëllimi ynë kryesor dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve që demokracia të funksionojë, që zëri i tyre të dëgjohet, që premtimet e atyre që votohen, të mbahen.

Nuk jemi këtu për të intepretuar dhe për të nxjerrë jashtë konteksti se çfarë kam thënë unë. Unë jam këtu për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtë gjë e kam bërë edhe përpara 25 prillit.

Shpesh kam shumë kërkesa nga gazetarët për të dalë nëpër studio apo për të dhënë intervista, por e kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë pas 25 prillit për arsye se unë besoj se i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve, që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese në mënyrën më antikushtetuese të denoncuar qartë edhe nga Komisioni i Venecias, për të kapur edhe Institucionin e Presidentit që përpara zgjedhjeve, dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët.

Kështu që unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë. Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament! Që parlamenti të jetë më funksional! Që sistemi i llogaridhënies të nisë të funksionojë në mbrojtje të interesit publik dhe po kështu, edhe të gjitha institucionet e tjera të rimarrin veten, të fitojnë integritetin e tyre dhe të respektojnë gjithmonë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” – tha Meta.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura