Siti makineri rekordesh, Guardiola i lë pas të gjithë

Dec 16, 2021 | 15:47
SHPËRNDAJE

Pep Guardiola është në prag të një tjetër rekordi të jashtëzakonshëm në Angli. Pak ditë pasi ai personalisht shkatërroi rekordet e Murinjos, Fergusonit dhe Vengerit, duke u bërë trajneri që arrin më shpejt 150 fitore në Premier Ligë, ai barazoi edhe rekordin e Liverpulit 1982, me 33 fitore në Premier Ligë gjatë një viti kalendarik, pasi Siti i tij shkatërroi 7-0 Lidstin e Bielsës.

Pep Guardiola

Dhe me një fitore në 3 ndeshjet e mbetura të këtij viti, ata do të eklipsonin rekordin e skuadrës së “Reds”-ave që qëndroi në fuqi për gati 40 vite. Liverpuli i Bob Peislit me Dalglish, Sunes dhe Rash fitonte tituj dhe pushtonte edhe Europën.

Të martën në “Etihad”, Siti la pas rekordin e Çelsit të Zhoze Murinjos, i cili në vitin 2015 regjistroi 32 fitore në Premier Ligë, me blutë e Londrës që dominonin në Angli. Jo shumë larg ndodhet edhe Liverpuli i Klopit, i cili në vitin 2019 i dha fund pritjes 30-vjeçare për titullin e parë kampion dhe gjatë vitit kalendarik regjistroi 31 fitore.

Në librin e historisë e ka shkruar emrin me germa të arta edhe Mançester Junajtidi i Sër Aleks Fergusonit. “Djajtë e kuq” arritën dy herë nga 31 fitore gjatë një viti kalendarik: në 2009-ën dhe në 1993- shin dhe në të dyja rastet ata u shpallën kampionë. Në vitin 2009, në skuadër ishte edhe Kristiano Ronaldo.

Të njëjtin numër fitoresh (31) në vitin 1960 arrinte edhe Totenhemi. Bëhej fjalë për skuadrën e Bill Nikolsonit, e cila pasi ishte renditur në vend të tretë, në vitin 1961 fitonte titullin kampion por edhe Kupën, duke u bërë klubi i parë anglez që bënte dopietë.

Sot kampionët e Anglisë kanë fituar 33 ndeshje nga 40 në Premier Ligë prej 1 janarit 2021 (2 barazime, 6 humbje) dhe kanë shansin për ta thyer rekordin e të kuqve përpara se të vijë viti i ri. Ndeshja e radhës është transferta kundër Njukasëllit të dielën. Në “Boxing Day” më 26 dhjetor ata do të presin Lestërin në “Etihad” dhe vitin 2021 do ta mbyllin në transfertë me Brentfordin më 29 dhjetor.

dneshjer

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura