Sipas medias, Policia fik radarët

Nov 17, 2022 | 7:48
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb-nako

Vite më parë, një delega cion i Policisë së Shtetit shkoi për vizitë në Romë për të zhvilluar takime me DIA (Departamenti Investigativ Antimafie). Gjatë bisedimeve, si përkthyese shërbeu një arbëreshe e cila e njihte mrekullisht gjuhën zyrtare shqipe.

Në çastin kur në bisedë po flitej për Policinë Kriminale Shqiptare, duke menduar se emërtimi “ kriminale” është term italian dhe në shqip i korrespondon “ kriminele”, ajo në shqip thoshte “Policia Kriminele Shqiptare”. Kryetari i delegacionit shqiptar ndërhyri me të qeshur dhe tha : “ Vërtet ne kemi probleme edhe me krimin brenda radhëve tona, por jo aq sa të quhemi kriminelë”.

Gabimi në përkthim u sqarua dhe të gjithë qeshën, kurse përkthyesja e skuqur, kërkoi ndjesë disa herë. Kjo histori vjen automatikisht si kujtim kur në portale të shumta lexon pohimin gazetaresk se “Policia fik radarët..”. Në fakt, marrëdhëniet e Policisë me median në vendin tonë, për fat të keq, nuk janë ato që duhet të jenë. Nga ana e saj, Policia nuk ka një vijë sjelljeje të qartë, të strukturuar në raport me të dhe për këtë ndoshta është e imponuar nga një strategji e zgjedhur nga qeveria për komunikim të centralizuar. Përveç kësaj, në të shumtën e rasteve, Policia nuk reagon për të kërkuar përgënjeshtrim edhe në situata kur deklarimet publike të njerëzve mediatikë nuk janë të sakta. Më së shumti këtë gjë e bën sa herë që i duhet të replikojë me opozitën politike.

Nga ana tjetër, gazetarët të cilët mbulojnë problemet e krimit, të drejtësisë dhe Policisë, shpesh u referohen burimeve. Mungesa e një komunikimi reciprok të ndërtuar mirë, bën që mundësia e faktimit të asaj, me të cilën informohet publiku, shpesh të mbetet e pasaktë. Dhe kjo jo vetëm për mungesat që u theksuan, por edhe për faktin se Policia e Shtetit nuk përpiqet të mbledhë dhe të formojë gjithë gazetarët e kronikës për mënyrën se si funksionon ajo në përditshmëri. Një gjë e tillë e ndihmon gazetarin të jetë i familjarizuar me jetën brenda Policisë dhe të ketë pika reference të qarta të lidhura me profesionin policor në ato që deklaron.

Madje, ndodh që vetë gazetarët me dhe pa përvojë, të mos kenë as idenë më të vogël se si funksionojnë gjërat në Polici. Por, ndërkohë, të dyja palët si Policia dhe media, kanë përballë tyre përgjegjësinë për të menaxhuar komunikimin mediatik mbi krimin në përgjithësi dhe atë të organizuar në veçanti, me sa më shumë transparencë, vërtetësi dhe profesionalizëm. Shpesh ky lloj komunikimi bëhet nga nivelet politike dhe marrin me thjeshtësi trajtë demagogjike duke krijuar një situatë iluzioni. Përcjellja mediatike jo profesionale e ngjarjeve të ndodhura ngjallin në publik frikë nga krimi, ushqejnë ndjenjën e pasigurisë te ai. Sot për sot, të ndara në komunikimin mediatik, Policia më vete dhe media më vete (duke operuar me burime anonime), nuk mund të jenë produktive dhe me përfitim për publikun e gjerë. Përkundrazi e frikësojnë atë duke e bërë të mendojë atë se do të jetë viktima e radhës.

Transparenca e Policisë karshi medies dhe njësimi i gjuhës së komunikimit mediatik me të, ndihmon në misionin që ka qeverisja për të luftuar “ndjenjën e pasigurisë” te qytetari. Nga ana tjetër, kur gazetari, me maninë për të lënë njerëzit me gojë hapur për ato që di e thotë, me pasaktësitë në atë që komunikon, bën dëm të madh pikërisht duke ushqyer frikën e publikut nga krimi. Një bashkëveprim i integruar ndërmjet Policisë dhe medias, do të bënte që kjo e fundit të arsyetonte me të njëjtën logjikë si Policia dhe në raste të veçanta mund të mos bënte të ditur ngjarje të cilat Policia nuk ka interes t’i publikojë.

Kjo jo për mungesë transparence apo kompromise të kalbura, por për të fashitur frikën e publikut nga krimi në një rast të veçantë. Në kushtet e mungesës së frymës integruese, ndodh që njerëz të medias të mos gjejnë kohën e duhur as për të lexuar vetë aktet administrative me të cilat funksionon Policia dhe të botuara në Fletoren Zyrtare. Pikërisht kështu, ndryshe nga sa u fol më lart, ka ndodhur në një nga këto ditë. Në një emision televiziv të ndjekur me shumicë, gazetari protagonist, i cili analizonte problemin e mprehtë të trafikut të drogës nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane, shprehet se “ Policia fik radarët…”.

Ky deklarim u përcoll te të gjithë ndjekësit e emisionit dhe të nesërmen u shumëfishua në portale të shumtë. Lajmi mori dhenë dhe Policia si institucion mori një damkë negative jo të vogël. Por në të vërtetë, nuk ndodh kështu. Policia në tërësinë e saj ka pasur dhe vazhdon të ketë probleme të rënda për shkak të lidhjeve të individëve të saj me botën e krimit. Shkaqet në këtë drejtim janë të shumta. Por ai më kryesori mbetet i lidhur me frymën, me të cilën drejton një qeveri e caktuar. Të tjerat, përfshi edhe nivelin e pagesës, janë më dytësore. Nuk është e mundur të ketë një qeverisje të kulluar, me duar të pastra që të garantojë rendin dhe sigurinë e qytetarëve nëpërmjet një policie të lidhur me krimin apo që flirton me të, një Polici që fik radarët.

Në rastin tonë, e vërteta është se ajo për të cilën flet gazetari në lidhje me fikjen e radarëve nga ana e policisë, as ka ndodhur, as ndodh dhe as mund të ndodh. Kjo sepse sistemin e radarëve që survejojnë bregdetin shqiptar, nuk e menaxhon Policia e Shtetit, por Roja Bregdetare, institucion i Ministrisë së Mbrojtjes. Saktësimi i këtij fakti ka rëndësi pasi publikisht është dhënë një mënyrë sesi bashkëpunon Policia me krimin e organizuar, detaj ky i pavërtetë. Në drejtim të survejimit të hapësirës detare, për të luftuar trafiqet në to, Policia e Shtetit shfrytëzon sistemin e integruar të radarëve në përdorim nga Roja Bregdetare.

Të dyja institucionet, së bashku me doganat dhe peshkimi, punojnë tok në të njëjtën sallë mbi bazën e sinjaleve që emeton sistemi. Këto të fundit analizohen nga operatorë të cilët nuk i përkasin Policisë së Shtetit, por përsëri Rojës Bregdetare dhe të qendërzuar në Durrës. Analiza e sinjaleve që emetojnë radarët ka nevojë për persona të specializuar dhe të tillë i ka vetëm Roja Bregdetare. Janë këta të fundit, të cilët në bazë të imazheve të përcjellë në mënyrë të integruar nga repetitorët e shtrirë gjatë bregdetit, që përcaktojnë praninë ose jo të një mjeti lundrues të pa identifikuar (gomone për shembull) dhe për këtë informojnë punonjësin e policisë të pranishëm po aty në sallë.

Ky i fundit njofton urgjentisht njësinë detare të Policisë më të afërt, duke i dhënë koordinatat e mjetit të dyshuar dhe duke ruajtur komunikimin gjatë gjithë ndërhyrjes. E njëjta gjë edhe për institucionet e tjera sipas kompetencave të tyre në hapësirën detare. Pra, ndryshe nga çfarë shkruhej sot në medie, Policia nuk e fik dot radarin. Madje, as e lexon dot imazhin që ai transmeton. Policia e Shtetit mund të ketë forma të tjera bashkëpunimi me krimin e organizuar, por jo duke fikur radarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura