Si u kapën hajdutët e vilave, pasi vodhën mbi 16 mijë euro. Kreu i grupit i dënuar me burg përjetë në Greqi

Apr 16, 2021 | 12:21
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 5 të dyshuarit për grabitjen e vilave në zonën e ish-Bllokut dhe Lundrës në Tiranë.

Në qeli janë lënë shtetasit Dorjan (Hektor) Lamani (Qirjazi), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti. Personat në fjalë me precedentë të mëparshëm penalë ishte nën vëzhgim nga policia prej 2 muajsh dhe informacioni ishte se do të grabisnin një pikë Exchange në “Yzberisht”.

Ndërkaq, gazeta “Panorama” ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë lidhur me grabitjen e një vile në zonën e Lundrës në Tiranë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë menjëherë pas vjedhjes së banesën së shtetases me inicialet B.S, me banim në Tiranë Lundër.

Gjatë kapjes dhe kontrollit shtetasve iu sekuestrua një shumë prej 16 mijë e 250 euro, disa bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

GRABITJA DHE ARRESTIMI

Këta shtetas janë kapur në flagrancë menjëherë pas vjedhjes së banesën së shtetases Blerina S., me banim në Tiranë, Lundër, Rezidenca “J…”. Personave të mësipërm, në momentin e kapjes në flagrancë, si dhe gjatë kontrollit të bërë, u është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë prej 16 250 euro, disa bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë, të cilat janë renditur në procesverbalin e sekuestrimit.

Hektor Qirjazi
Hektor Qirjazi

Gjithashtu janë kapur dhe sekuestruar mjetet që kanë përdorur autorët për realizimin e vjedhjes, mjete të cilat janë përshkruar në procesverbalin e sekuestrimit, pajisje metalike me hapje me anë të presion (krikë), me ngjyrë të trupit të verdhë me mbishkrimin C180, piston ngjyrë e zezë, një kaçavidë metalike, dy radio marrëse dhënëse etj.

Po në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti, me të cilin udhëtonin autorët, tipit “Ford” me ngjyrë blu e errët me targa AB 715 BN, janë sekuestruar disa aparate telefoni celular të markave të ndryshme, të përdorur nga autorët për realizimin e veprave penale.

KEQYRJA E VENDIT TE NGJARJES

Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, banesa e vjedhur e shtetases Blerina S., e shoqëruar me fotografim nga eksperti përkatës. Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes është konstatuar se nga ana e autorëve, pasi është hapur dera e ballkonit duke përdorur forcën dhe mjetet për hapjen e saj.

Kanë hyrë në banese dhe kanë hapur po me anë të forcës një kasafortë, në të cilën ndodheshin vlerat monetare të cilësuara në procesverbalin e sekuestros.

Njëkohësisht, nga autorët janë vjedhur dhe sende të tjera me vlerë.

Nga ana eksperteve përkatës gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë marrë sende për t’u përpunuar nga ana e Policisë Shkencore për gjetjen e gjurmëve daktiloskopike.

Po në vazhdimësi të veprimeve hetimore janë kryer disa kontrolle të banesave të personave të arrestuar, ku në banesën e shtetasit Dorjan Lamani (Qirjazi) është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale dy çelësa automjetesh, peshore elektronike dhe sende të tjera.

Në banesën e shtetasit Klodian Çypi janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës material dy aparate celulare dhe dy karta “Sim”.

KREU I GRUPIT, HEKTOR QIRJAZI, I DËNUAR NË GREQI ME BURG PËRJETË

Personi që drejtonte grupin e grabitësve të vilave luksoze në Lundër, Hektor Qirjazi, që së fundmi njihej edhe me emrin Dorjan e mbiemrin Lamani, është dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm, si pjesë e një grupi famëkeq për vjedhje me armë.

Policia greke, në dhjetor të vitit 2013 ka shkatërruar këtë grup kriminal shqiptar të armatosur, duke arrestuar një anëtar ndërsa ka shpallur në kërkim gjashtë të tjerë. Policia ka shpërndarë fotografitë e shtatë shqiptarëve, sipas të cilëve kishin krijuar një grup kriminal që vepronte në Atikë dhe Argos.

Po të njëjtat burime shtojnë se në pranga ka rënë Ilir Gjini, i cili mendohet të jetë edhe kreu i këtij rrjeti. Këta persona akuzohen se kanë kryer një mori grabitjesh në këto zona, kanë pasur përplasje të armatosur me policinë, kanë bërë vjedhje të banesave dhe të makinave.

Pas hetimeve dhe zbardhjeve të disa ngjarjeve, prokurori i Atikës ka vendosur që të bëjë publike emrat dhe fotot e të akuzuarve. Bëhet fjalë për këta shtetas: Ilir Gjini, Hektor Qirjazi, Lulëzim Elmazaj, Agron Shakaj, Arsen Selimaj, Ervis Arapaj, Erion Peçi.

Mediat greke raportonin në atë kohë se të shtatë të pandehurit, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre ende të paidentifikuar kishin ngritur në fillim të vitit 2012 një organizate kriminale, me qëllimin e vetëm të plaçkitjeve të armatosura në dyqanet e bizhuterive, degët e bankave, dyqaneve dhe madje edhe në furrat e bukës në rajone të ndryshme të Atikës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura