Si u grabit Katedralja në qendër të Korçës, autori mbajti në vëzhgim rojen, u fsheh…

Sep 4, 2018 | 10:27
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Katedralja “Ringjallja e Krishtit” në Korçë është vjedhur gjatë natës, ndërkohë që keqbërësit kanë përdorur një mënyrë të sofistikuar.

38f992a8-f1d2-4194-ba51-2ccf7b1803c5

Ata kanë hyrë në Katedrale gjatë ditës kur po kryheshin ritualet fetare dhe kanë qëndruar të fshehur. Pasi janë larguar të gjithë besimtarët dhe objekti është mbyllur dhe më pas kujdestari është larguar, ata kanë vepruar.

3749499c-adf9-49a8-8562-28103cf262e1

 

Autorët me qetësi kanë thyer dhe dëmtuar katër arkat e kishës ku grumbullohen të hollat e besimtarëve, duke përvetësuar një shumë prej 20 mijë lekësh të reja nga paratë që Mitropolia mbledh për mensën e të varfërve. Më tej, autorët janë larguar, duke shkallmuar shulin e brendshëm të derës kryesore të Katedrales.

“Për ne nuk vlen shumë ana materiale, siç e llogarisni ju. Për ne vlen ana morale e njerëzve që kryejnë akte vjedhjeje ndaj një objekti të shenjtë të kultit. Mitropolia e Shenjtë është tepër e shqetësuar sepse në periudha të ndryshme vala e vjedhjeve, grabitjeve, dhunimeve vazhdon të ndjehet edhe sot. Në radhë të parë, Policia nuk e ka kryer detyrën siç duhet. I kemi lajmëruar edhe gojarisht edhe me shkresa të veçanta nga ana e Mitropolisë që të merren masa te endacakët që vërtiten pranë institucionit të shenjtë. Këtë herë, autorët kanë hyrë nga brenda. Kanë mbajtur rojën në vëzhgim dhe pasi është mbyllur katedralja dhe më pas kanë vepruar lirshëm. Pavarësisht se kemi vjedhje të përsëritura, nuk ka asnjë autor, asnjë person të dënuar për këtë gjë. Është vërtet fenomen shqetësues” – shprehet At Ilia Kotnani.

Katedralja e Korçës është një nga krenaritë e besimit ortodoks dhe ndërtesë simbol në këtë qytet. Ndërkohë nga ana e saj, Policia sipas hetimeve paraprake dyshon se autori ka vepruar i vetëm.

“Më datë 03.09.2018, gjatë natës, në Lagjen nr 3 në Korçë, në Katedralen ‘Ringjallja e Krishtit’, një person i cili dyshohet se ka hyrë në Kishë si besimtar, pasi ka pritur largimin e njerëzve të tjerë duke u fshehur, ka marrë një sasi lekësh (e cila mendohet të ketë qenë e vogël) nga arkat, në të cilat besimtarët hedhin vlera monetare. Nga veprimet e kryera në vendngjarje, dyshohet se ky shtetas pasi ka marrë sasinë e lekëve, është larguar nga dera kryesore e Kishës, duke e hapur atë nga brenda”, bën me dije Policia e Korçës.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura