Si fshehu një familje hebreje nën kërcënimin e gjermanëve

Apr 28, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Profesor Neki Babamusta, djali i Rabihanes, kur ka ndodhur ngjarja ishte 8 vjeç
Familjet Babamusta mund të quhen ndryshe edhe hebreshpëtuesit në Shqipëri. Të vendosur në Kavajë, Beqir, Mehmet, Isuf, Ibrahim, Ragip, Halit Babamusta etj. strehuan dhe mbrojtën nga përndjekja naziste të paktën 178 hebrenj. Emrat e të gjithëve nuk u kujtohen, por detajet po. Dhe nëpërmjet detajeve, trashëgimtarët e familjeve Babamusta kanë nisur një fushatë për të gjetur miqtë që patën bujtur në shtëpi 7 dekada më parë. Atyre që jo thjesht u dhanë një vend për të fjetur, i ushqyen, i veshën, i lanë etj., por që nuk i tradhtuan edhe atëherë kur nazistët u vunë automatikun mbi kokë fëmijëve. Siç ishte rasti i Beqir e Rabihane Babamustës, të cilët nga tetori 1943 në janar 1944 strehuan katër hebrenj të ardhur nga Vlora. Beqiri dhe Rabihania jetonin në një shtëpi dykatëshe bashkë me katër fëmijët e tyre: Qemali (16 vjeç gjatë luftës, vdekur), Merushja (13 vjeçe, vdekur), Bukurija (10 vjeçe) dhe më i vogli, Nekiu (8 vjeç). Ky i fundit tregon për “Panorama” edhe historinë e mbijetesës së familjes hebreje në shtëpinë e tyre… Nekiu tashmë është profesor i njohur, mban titullin “Mësues i Merituar” dhe është dekoruar dy herë nga Kongresi Amerikan për mbrojtje të vlerave demokratike në Washington D.C.
“SI I SHPËTOI NËNA IME HEBRENJTË”
“Në shtëpinë e prindërve të mi Beqir dhe Rabihane Babamusta në Kavajë janë strehuar 4 hebrenj, burri (rrobaqepës), gruaja me dy fëmijët, djalin 8 vjeç dhe vajzën 10 vjeçe. Emrat nuk më kujtohen…”, nis rrëfimin Neki Babamusta. “Kur erdhi familja hebreje në shtëpinë tonë, kishin vetëm rrobat në trup, asgjë tjetër. Ne i dhamë rroba, i ushqyem, u kujdesëm për ta me shumë dashuri. Qëndruan te ne për tre muaj e gjysmë, sigurisht pa pagesë”, shton ai. Atëherë Nekiu ishte 8 vjeç dhe jetonte me dy motrat, Merushe dhe Bukurije. Ndërsa vëllai i tij më i madh, Qemali, kishte dalë partizan për të luftuar gjermanët. Siç mban mend Nekiu, shtëpia e tyre ishte dykatëshe, me 2 dhoma poshtë dhe 2 dhoma lart. “Kishim dy dhoma poshtë, plus magazina, dy dhoma lart dhe vendi i strehimit te livadhi, në kohë rreziku, te kasollja e bagëtisë (barakja). Gatimi bëhej në kuzhinë, në katin e parë. Gatuante nëna Rabihane, bashkë me gruan izraelite. Ajo e ndihmonte nënën për gatim. Në fillim gatuante nëna, pastaj edhe gruaja izraelite kishte dëshirë të ndihmonte. Kishim një dhomë të madhe në katin e parë ku hanim të gjithë së bashku. Në katin e dytë, një dhomë fjetjeje me aneks ku flinte familja jonë dhe një dhomë gjumi veçmas, në të cilën flinte familja hebreje me dy fëmijët e vegjël. Babai im, Beqiri, komunikonte me ta në italisht, megjithëse edhe ata mësuan të flasin pak shqip”, sqaron Nekiu. Sipas tij, në tetor 1943, rreziku u shtua në Kavajë, kur erdhi ushtria gjermane me gestapon. Për të shmangur rrezikun e zbulimit nga nazistët, Nekiu me dy motrat e tij vrojtonim lëvizjet në rrugë, por njëkohësisht sinjalizoheshin edhe nga të afërm të lagjes. “Nëse shihnim rrezik, lajmëronim nënën tonë. Në momente rreziku, nëna i çonte të katërt hebrenjtë te kasollja e bagëtive për t’u fshehur, 700-800 metra në livadhin tonë. Nëna ime, Rabihane Babamusta, qëndronte me hebrenjtë te kasollja dhe ishte gati të jepte jetën e saj për t’i mbrojtur. Nëna nuk largohej nga kasollja, derisa ikte rreziku. Më kujtohet një kontroll i befasishëm që na bëri gestapoja, në janarin e vitit 1944, që na tronditi pa masë. Përmbysën çdo gjë në shtëpi dhe kërcënuan nënën. Ne fëmijëve na drejtuan automatikët në kokë për të na vrarë. ‘Partizanët! Hebrenjtë, ku i keni fshehur?’, bërtisnin ushtarët gjermanë. Na thanë se do na vrisnin e do digjnin shtëpinë, nëse nuk tregonim. Pavarësisht se gjermanët nuk na hiqnin automatikun nga koka ne fëmijëve, nëna nuk tregoi asgjë”, tregon Neki Babamusta, duke shtuar se “familjen hebreje e kishim dërguar në fshatin Patk-Milot në Rreth Greth, afër Kavajës te miqtë tanë, për t’i çuar në Itali”.
LARGIMI I SIGURTË I HEBRENJVE
Babai i Nekiut, Beqir Babamusta, e veshi familjen hebreje me rroba fshatare, që ata të mos binin në sy. Beqiri, bashkë me nipin e tij Qamil Babamusta u nisën me triçikël për në Patk-Milot. I strehuan për një javë te miqtë e tyre besnikë Sel dhe Dyl Zyba. Në fshatin Kryevidh u doli për mbrojtje Spiro Pella, kujdestari dhe rojtari i pasurisë së Babamustave, të tokave dhe bagëtive në pyllin e Spillesë dhe Rreth-Grethit. Gjatë qëndrimit te familja e Sel dhe Dyl Zybës, me drurë nga pylli, llamarina dhe mjete rrethanore, ata sajuan një varkë, sepse burri hebre kuptonte nga mekanika dhe ndërtimi i anijeve. Sel dhe Dyl Zyba, bashkë me burrin izraelit, ndërtuan varkën e shpëtimit, që përdorën për lundrim drejt Italisë. “Babai im Beqiri i dha porosi nipit të tij Qamil Babamusta që të nisë me varkë familjen hebreje drejt Barit të Italisë. Qamili e shoqëroi familjen hebreje deri në Bari te një familje italiane, menaxheri i tregtisë Shqipëri-Itali për fisin Babamusta. Pas dy ditësh, Qamili u kthye në Kavajë duke i thënë babait tim: ‘Arritëm shëndoshë e mirë. Amanetin e kreva’. Në ato çaste, babai im plot gëzim përqafon nipin e tij, Qemalin”, kujton Neki Babamusta. Se çfarë ndodhi më pas me familjen hebreje të shpëtuar, Neki Babamusta nuk di të tregojë: “Izolimi 50-vjeçar e bëri të pamundur komunikimin, pavarësisht kontakteve që ishin lënë. Babai im Beqiri ndërroi jetë në vitin 1947. Pas përmbysjes së regjimit komunist unë nisa përpjekjet për të rigjetur këtë familje, por pa sukses. Akoma jo, por shpresoj… Nuk do të ndalem!”.

Fatime Babamusta: Bashkëjetesa me hebrenjtë
Një tjetër dëshmitare vjen nga familja Babamusta. Quhet Fatime, është 82 vjeçe, e bija e Mehmet dhe Fitnete Babamustës në Kavajë, që kanë shpëtuar disa familje hebrenjsh. Ja çfarë tregon ajo: “Kanë ardhur disa familje hebreje në shtëpinë tonë në Kavajë. Nuk më kujtohen mirë të gjitha, por mbaj mend që kanë ardhur gjashtë a shtatë hebrenj. Një familje hebreje ka ardhur nga Kosova, burrë, grua, motra e burrit dhe vajza e vogël. Burri e kishte emrin David, ndërsa vajza e vogël ishte Adela (1-2 vjeç), me të cilën unë luaja. Davidi solli dhe motrën e tij që ishte e pamartuar. Kanë jetuar në shtëpinë tonë dykatëshe, në një dhomë lart, ishin 4 veta. Më vonë ka ardhur një vajzë tjetër, e kishte të atin rrobaqepës. Kishin ndenjur në Kavajë. Babai im Mehmeti e solli vajzën te ne, sepse donin ta rrëmbenin ekstremistët e asaj kohe. Mehmeti e solli te shtëpia jonë, flinte te ne. Ka qenë gocë e madhe gati për t’u martuar”.   

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura