Si do ta kishte përshkruar Shekspiri fshatin Gërdec

Mar 8, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

“Qyteza ishte krejt e tërhequr në vetvete. Të kujtonte pak thithjen e kotë të gjakut me helm gjarpri në gju. Shumë banorë ishin larguar për shkak të shkatërrimit të të mbjellave.

Shumë ishin larguar nga tmerri i ëndrrave që bënin. Disa për ta lënë pas kujtimin e të shpërthyerve. Por disa ishin edhe në gjendje të shurdhët, ose gjysmë të shurdhuar nga plasja. Në këtë qytet vetëm fantazma ishte personazh i plotë.

Pamje e fshatit Gërdec pas shpërthimit të depos
Pamje e fshatit Gërdec pas shpërthimit të depos

Ose, në rast se do ishte skenë për ‘Hamletin’, për shembull, vetëm fantazma do të ishte gjëja më e plotë: një asgjë, sepse s’duket, e njëkohësisht gjithçkaja, pikërisht ngaqë ajo fantazmë zaptonte krejt qytetin para e mbrapa në atë hapësirë”.

Ky është Gërdeci sipas Idlir Azizajt, i cili sapo ka nxjerrë librin “Shekspirotët”, botim i shtëpisë botuese “Toena”. Termi “Shekspirotët” bën lidhjen mes nesh dhe veprës së Shekspirit, veçanërisht ato që dramaturgu i ka vendosur në Ilirinë e dikurshme.

E prapë këto nuk janë tregime sociale. Ato vizatojnë një popullatë paralele me tonën; janë personazhe të sotme, por që udhëtojnë nëpër peizazhin shekspirian. Një trupë teatri mbërrin në Gërdec pas shpërthimit të depos së armëve për të vënë në skenë “Hamletin”, por tani, në vend të babait, Fantazma është vetë qyteza e shkatërruar.

Një aktor që reciton një monolog kombëtar për festën e Pavarësisë, gëlltit një copë nga torta gjigante, por pëson një metamorfozë të çuditshme, sepse një gjuhë paralele i del në gojë gjatë spektaklit. Një motër e vëlla, që e kanë shkrimin e dorës binjak si dy pika uji, arrestohen sepse kanë parashikuar ngjarjet tragjike të 21 janarit.

Një aktor trupmadh e mbipeshë, që luan përherë rolin e Falstafit në teatër, bëhet papritur memec në mes të emisionit “Zonë e lirë” dhe të ftuarit e tjerë mundohen të shpjegojnë këtë defekt… Këto janë disa situata tragjikomike dhe groteske të Shqipërisë, sjellë në përmbledhjen me tregime e novela “Shekspirotët”. Shqipëria parë nga prizmi shekspirian. Pa u munduar të bëjë një aplikim modern të Shekspirit në shoqërinë e sotme, autori na tregon se si vendi ynë sot gjendet si aktualitet brenda veprës së dramaturgut të madh.

AUTORI

Autor dhe përkthyes, Idlir Azizaj ka botuar vëllimin me poezi “Syri në mur”, që është botuar së fundi në një vëllim dygjuhësh në SHBA nga “CC Marimbo Press”. Azizaj është përkthyes i shumë veprave letrare. Veçanërisht është i njohur me përkthimin e “Uliksit” të James Joyce-t, për të cilin ka marrë dhe “Pendën e argjendtë” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2004.

Gjithashtu ka përkthyer më parë dhe “Dublinasit” të J. Joyce-t, “Dashuria e parë” të Samuel Beckett-it, poemën madhore të Allen Ginsberg-ut, “Kaddish”, si dhe romanin “Të Nëndheshmit” të Jack Kerouac-it. Vitet e fundit Azizaj ka përkthyer vëllimin “Imazhi dhe proza të tjera”, ku përmblidhet gjithë proza e shkurtër e Samuel Beckett-it. Në vitin 2015 doli dhe përkthimi “Kopisti Bartëlbi” i Herman Melville-it.

Po ashtu është autor i veprave “Katër, ose një film i fundit mbi komunizmin tonë”, “Ti doje të shkruaje një fugë”, “Terxhuman”, “Gazetarja e kulturës vetëvritet, shpirti i saj në drejtim të paditur”, “Don Kanuni, ose ngadalë gjakësi dremit në pritë”. Poezitë dhe dramat e tij janë vënë disa herë në skenë në Francë ku autori jeton dhe punon prej vitesh. Libri “Shekspirotët” është përmbledhja e tij e parë me tregime dhe novela.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura